
Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, ka reaguar publikisht në studion e lajmeve të këtij televizioni, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e reagimit nga institucionet pas kërcënimeve të përsëritura ndaj tij dhe bizneseve që zotëron. Meksi deklaroi se, pavarësisht kallëzimit të bërë më 10 mars dhe paraqitjes së tij më 18 mars në Prokurorinë e Tiranës, deri më sot nuk ka marrë asnjë informacion mbi ecurinë e hetimeve. “Nuk kemi informacion deri më sot për ndonjë zhvillim nga ana e policisë… dhe nuk kam asnjë lloj informacioni për ndonjë zhvillim të mëtejshëm,” u shpreh ai.
Ai theksoi se kjo situatë krijon bindjen se ekziston një tentativë për heshtje dhe mungesë interesi për ta ndjekur çështjen. “Kjo është e dyshimtë, e kam parë si tentativë heshtjeje… askush nuk ka interes të ndjekë këtë çështje,” tha Meksi.
Sipas tij, do të duhej të kishte hetime më të thelluara, pasi rasti lidhet me disa elementë që përfshijnë si aktivitetin e tij në media, ashtu edhe bizneset në sektorë të ndjeshëm. Ai solli në vëmendje një detaj shqetësues të zbuluar nga gazetarët e kronikës, fakti që pamjet e kamerave të sigurisë nuk janë përcjellë siç duhet. “Një nga detajet… ka të bëjë me faktin që kamerat nuk janë përcjellë nga policia në prokurori.” Meksi shtoi se vendosi ta bëjë publik denoncimin për të garantuar transparencë dhe për të shmangur dyshimet. “Unë e denoncova se dua transparencë,” u shpreh ai.
Meksi pretendon gjithashtu se në këtë proces janë përfshirë persona të lidhur me Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi. “Në grupin e auditimit është përfshirë një person i porositur direkt nga Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi,” tha ai, duke shtuar se ka njoftuar për këtë si ministrinë ashtu edhe SPAK, por pa marrë përgjigje.
Duke folur për arsyet e mundshme të kërcënimeve, ai i lidhi ato me aktivitetin e tij në sektorë që shpesh konsiderohen problematikë, si lojërat e fatit, interneti, si dhe projekte që lidhen me AKSHI-in dhe ARRSH-në. “Jam i përfshirë në shumë sektorë… lojërat e fatit, interneti, AKSHI dhe ARRSH.” Ai u ndal edhe te biznesi i monitorimit të lojërave të fatit, duke theksuar se ky sektor shpesh stigmatizohet padrejtësisht.
“Nuk flasim për drogë, për vrasje… flasim për një treg që duhet të ishte i rregulluar dhe i ligjshëm,” u shpreh Meksi.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me një auditim të gjatë ndaj bizneseve të tij nga Ministria e Financave. “Ka nisur një auditim… që zgjat tashmë prej 1 viti e 1 muaj e gjysmë… dhe thonë: do ta zgjasim sa të duam.”
Në fund, Meksi u shpreh se i është drejtuar SPAK-ut për të treguar vendosmërinë dhe besimin tek ligji.
“Arsyeja që kam zgjedhur t’i shkruaj SPAK ka qenë për të treguar vendosmëri dhe besim tek ligji,” përfundoi ai.
Ndërkohë, gazetarja Ola Xama reagoi duke e cilësuar situatën një kërcënim serioz për gjithë stafin e MCN TV, jo vetëm për drejtuesin, duke theksuar se shfaqja e personave të armatosur lidhet me investigimet e medias dhe përbën shantazh për të heshtur gazetarët, ajo kritikoi mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet, pasi edhe pas denoncimit të parë nuk janë kryer hetime efektive, çka ka bërë të mundur përsëritjen e ngjarjes, dhe paralajmëroi se kjo situatë tregon përkeqësim të lirisë së medias në vend, ku presioni nuk vjen më vetëm nga politika apo interesat ekonomike, por edhe nga elementë kriminalë.
Pas denoncimit të Endri Meksit për mungesë reagimesh ndaj kërcënimeve të cilat ai i ka denoncuar ka pasur edhe një reagimi nga SafeJournalists Network (SJN). SafeJournalists Network thekson shqetësimin për pretendimet e Endri Meksit lidhur me kërcënimet dhe incidentet e intimidimit ndaj MCN TV, duke nënvizuar se çdo formë presioni ndaj gazetarëve, redaktorëve apo pronarëve të mediave duhet të trajtohet me seriozitet maksimal. SJN kërkon një hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent nga autoritetet kompetente, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e punonjësve të medias dhe respektimin e standardeve profesionale. Organizata thekson se një reagim efektiv institucional është thelbësor për ruajtjen e besimit publik dhe për mbrojtjen e mjedisit mediatik, veçanërisht në një kontekst ku qarkullojnë narrativa të paverifikuara dhe shpesh kontradiktore, që mund të ndikojnë në integritetin e informimit.


