
Zv.kryeministrja e rikthyer në detyrë pas pezullimit nga GJKO-ja, Belinda Balluku ka bërë zëvendësime në postet drejtuese pasi edhe vartësit e saj janë të arrestuar për abuzime në detyrë. Gentian Gjyli është larguar, e në vendin e tij është emëruar Ami Kozeli. Gjyli është në listë me të tjerë emra pranë Ballukut dhe është i pandehur nga Prokuroria e Posaçme “për shkelje të barazisë në tendera”. Ai nuk e ushtron më funksionin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Gjyli u emërua drejtor i ARRSH-së më 28 mars 2024. Ai mori detyrën vetëm një javë pas arrestimit të paraardhësit të tij, Evis Berberi. Para shpalljes “I pandehur” nga prokuroria, Gjyli është paraqitur në SPAK për të dëshmuar për detajet e procedurave që kishte ndjekur në tenderat e rrugëve Berberi, i cili është në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Berberi rezulton të jetë i përfshirë në 8 raste korruptive me tendera që arrijnë në vlerën e 5 milionë eurove. Berberi i kishte kaluar tendera firmës së drejtonte vetë para se të emërohej në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së.

Ami Kozeli i cili do drejtojë ARRSH-në ka qenë zv. ministër i Energjetikës dhe Infrastrukturës, numri 2, pas Ballukut. Kozeli ka mbajtur edhe postin e Këshilltarit Ekonomik të Zëvendëskryeministres Balluku. Ai ka mbajtur një sërë pozicionesh, duke filluar që nga Këshilltar i Kryenegociatorit për Aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (2020 –2021) dhe më pas është emëruar Drejtor i Kabinetit të Kryenegociatorit (2021 – 2022).

Në krye të KESH-it vjen Viola Haxhiademi. Ajo ka drejtuar kabinetin e Ballukut prej vitesh, ku më herët ka qenë Sekretare e Përgjithshme. Haxhiademi zëvendëson Erald Elezin, edhe ai në “arrest shtëpie” i dyshuar për abuzime me fondet e BE-së dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Mbi Elezin rëndojnë 2 tendera me vlerë 210 milionë euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur është zhvilluar tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe. Mes këtyre lëvizjeve, nga detyra është shkarkuar edhe zv/ministri në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu, i cili do mbajë funksionet e Haxhiademit, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.



