
Nga Suela Kocibellinj
Sot, më shumë se kurrë, nevojitet një strategji kombëtare për transformimin e kulturës së punës, në të gjitha institucionet dhe shërbimin publik:
1. Nga formaliteti te përgjegjësia
Puna nuk mund të shihet thjesht si një orar që duhet mbushur deri në fund të ditës, por si një detyrë me rezultate dhe ndikim të matshëm. Një mësues nuk është aty vetëm për të mbajtur orët e mësimit, por për të udhëhequr nxënësit drejt dijes. Një mjek nuk është aty vetëm për vizita rutinë, por për të shpëtuar jetë. Një punonjës bashkie nuk është aty vetëm për të firmosur letra, por për t’i shërbyer qytetarëve me korrektësi dhe dinjitet.
2. Roli i meritës dhe vlerësimit
Ende mbizotëron mendësia dhe stili se vendi i punës zihet e ruhet nga lidhjet, jo nga performanca. Ky mentalitet shuan motivimin dhe pengon avancimin profesional. Nevojitet një sistem real vlerësimi, ku puna e mirë shpërblehet me avancim, trajnim dhe pagë më të lartë, ndërsa neglizhenca ka pasoja.
3. Shembulli nga lart
Ndryshimi nuk mund të vijë nga poshtë, nëse drejtuesit vetë nuk e mishërojnë. Kur një ministër, drejtor apo kryebashkiak sheh detyrën si privilegj dhe jo si përgjegjësi, kjo frymë përhapet në gjithë administratën. Kur lidershipi justifikon pagën e vet me punë të dukshme dhe konkrete, edhe punonjësi i thjeshtë ndjen detyrimin të bëjë të njëjtën gjë.
4. Një ndryshim brezash
Për brezin e ri, nuk mjafton më vetëm paga si motivim. Ata duan kuptim, transparencë dhe mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur profesionalisht. Nëse nuk u ofrojmë këtë, ata largohen nga vendi ose nga sektori publik. Ndaj është urgjente të ndërtojmë një kulturë të re pune, ku karriera dhe integriteti ecin paralelisht.
Me pak fjalë:
Ne nuk mund të ndërtojmë një shtet modern me një administratë që pret vetëm për fundin e muajit. Vetëm kur punonjësi publik të ndjejë se sot mund të bëjë edhe më shumë, mund të themi se kemi hyrë në një fazë të re të kulturës së punës në Shqipëri. Ky transformim nuk vjen vetë, ai kërkon strategji, lidership dhe vullnet politik.


