
Opinioni publik italian pati mundësi 2 javë më parë të ndiqte në sallën e parlamentit një debat midis Presidentes së Këshillit të Ministrave, Giorgia Meloni, dhe Kryetares së Partisë Demokratike Italiane, Elly Schlein, mbi shëndetësinë.
Debati nisi nga fjala e deputetes Schlein: “Në këtë vend duhet të zgjedhësh midis të ushqyerit dhe të kuruarit”, sepse, si një e liderë e qendrës së majtë, normalisht që tezat e saj do të vërtiten gjithmonë te ajo çfarë është publike, më shumë se sa private. Teza ku do të bazohej më vonë Schlein ishte kolapsimi i sistemit publik shëndetësor në Itali. Argumentet që mbështesin këtë tezë sipas saj janë mungesa e 75,000 infermierëve, personel i shtypur nga turnet e punës, emigrimi i mjekëve jashtë shtetit dhe migrimi i tyre nga jugu në veri, etj.

Schlein më vonë paraqet argumentat, arsyetimin e akuzat e saj duke u bazuar edhe në shifra të marra nga institucione të ndryshme dhe e mbyll fjalimin duke pyetur: “Pse po shkatërroni sistemin publik shëndetësor italian?”
Më pas, Meloni mori të drejtën për të replikuar. Fjalimin e së cilës e konsideroi propagandë e gënjeshtërt. Meloni shpalosi numrat e saj, duke pretenduar se Fondi Kombëtar i Shëndetësisë ka pësuar rritje. Jo vetëm kaq, por madje dhe uljen e fenomenit të “mjekëve dhe doktorëve me xhetona”, dhe një sërë kundër-argumentash të tjerë. Në fund, ajo shtoi se shpresonte që kolegët e opozitës mund ta ndihmonin në hartimin e Planit Shëndetësor të ri kombëtar, në vend të propagandës për rritje në sondazhe, përbylli ajo.
Elly Schlein mori përsëri fjalën, duke i kujtuar se fenomeni i “xhetonistëve” është akoma prezent dhe ia faturon vendimit të qeverisë Berlusconi, ku Meloni ishte pjesë e kabinetit qeverisës, për tavanin e personelit në pavijone. Schlein akuzoi qeverinë e saj si një grup që bën sikur ul shpenzimet në një sektor, por ngre shpenzimet në një sektor tjetër. Schlein e ka akuzuar edhe njëherë tjetër qeverinë Meloni si të papërgjegjshme dhe që dështimet gjithmonë ia faturon të tjerëve.
Video Credits: Agenzia Italia News
Ndër rastet e dështimeve të Melonit që u përmendën në sallën e Parlamentit italian ishte edhe ai i kampit të Gjadrit, i cili supozohej të priste mijëra emigrantë klandestinë, por funksionimi i tij u bllokua nga gjykatat. Pikërisht kjo marrëveshje me shtetin shqiptar u promovua si një model për menaxhimin e krizës së refugjatëve dhe si një kartë e fortë në betejën për zgjedhjet e Parlamentit Europian vitin e kaluar.(foto link 3) Megjithatë, deri më tani, çdo përpjekje për të dërguar emigrantët në këtë kamp është ndaluar nga vendimet e gjykatave, të cilat kanë anuluar vendimet e qeverisë Meloni. Schlein është e njohur për qëndrimin e saj të qartë kundër kësaj marrëveshjeje, duke e dënuar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe duke e cilësuar projektin si një dështim që në nisje.
Elly Schlein mori drejtimin e Partisë Demokratike Italiane më 26 shkurt 2023. Ajo ka një profil ndërkombëtar, duke u bërë e njohur për punën në fushatat presidenciale të Barack Obama në SHBA. Në Itali, ajo është njohur për aktivizmin klasik të majtë, konkretisht në çështje të drejtësisë sociale, barazisë gjinore, mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes së taksës për pronarët.
Kjo figurë përfaqëson fytyrën e re të opozitës italiane, e ardhur nga aktivizmi, e kontestuar edhe nga anëtarësia e partisë së saj; një grua, biseksuale, feministe dhe aktiviste për të drejtat e emigrantëve dhe për drejtësinë klimatike. Një lidere e re në Europën e vjetër, drejtuar kryesisht nga meshkuj, që kërkon të thyejë hegjemoninë konservatore.



