
Elena Pelushi është emëruar në detyrën e Zëvendësinspektores së Lartë të Drejtësisë për një mandat 2-vjeçar, pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes dhe miratimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Kandidatura e saj u propozua nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve pas një votimi të fshehtë dhe më pas u konfirmua nga Artur Metani.

Sipas kuadrit ligjor, Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron funksionet e drejtuesit të institucionit në mungesë të tij, por pa përfshirë kompetencat kryesore që lidhen me hetimet dhe inspektimet. Mandati i saj është 2-vjeçar, me mundësi riemërimi.
Elena Pelushi vjen në këtë detyrë me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. E diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 në profilin e prokurores, ajo e ka ushtruar këtë funksion deri në shkurt të vitit 2021. Më pas është vendosur pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku ka shërbyer si inspektore magjistrate, duke u përfshirë në proceset e mbikëqyrjes së sistemit gjyqësor.

Gjatë viteve të karrierës së saj, Pelushi ka qenë pjesë e shumë trajnimesh profesionale të organizuar nga institucione të drejtësisë si Shkolla e Magjistraturës dhe Prokuroria e Përgjithshme.


