
Pyje të shkrumbuara, hi dhe tym, kjo është pamja që të ofron Puka, pas vënies në kontroll të flakëve në Malin e Tërbunit. Zjarri që nisi në Fushë-Lajë u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë të masivit pyjor, kurse flakët depërtuan edhe në fshatrat Gojan i Madh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, duke djegur 4 banesa. Veç dëmeve në komunitet, kurora e gjelbër e Tërbunit pësoi dëme të jashtëzakonshme në florë dhe në faunë, ku disa hektarë me pisha u përpinë nga flakët, kurse kafshët e egra u panë nga banorët në përpjekje shpëtimi, bëjnë me dije për Gogo.al ekspertët e mjedisit Ilir Shyti, Klaudja Koçi dhe Bledi Hoxha nga PPNEA, të cilët kryen vëzhgime në këtë ekosistem.
“Zjarret në masivin malor të Tërbunit, në rajonin e Pukës, prej një jave kanë djegur sipërfaqe të kosiderueshme pyje me pishe të zezë (Pinus nigra), ndër kurorat më të shëndetshme me pisha të rajonit të Pukës. Duke pasur parasysh forcën dhe shpejtësinë me të cilën përhapet zjarri në habitate të tilla, siç është pisha e zezë, flakët arrijnë të djegin të gjithë bimësinë dhe llojet e drurëve pyjore që gjenden në të njëjtën sipërfaqe. Në të njëjtën formë, zjarri ka djegur pyjet e ahut (Fagus sylvatica) që gjenden në të njëjtin habitat me kurorat e pishës së zezë, si dhe disa sipërfaqe me gështenja në afërsi të fshatrave Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh dhe fshatrave të tjerë perreth. Pyje te tilla kosiderohen pyje prodhues, por njëkohësisht kanë rëndësi të madhe ekologjike, pasi shërbejnë si strehim dhe sigurojnë ushqim për shume lloje të tjera, duke formuar një mozaik habitatesh në këtë masiv malor.“
Nga vëzhgimet e kryera në terren ekspertët thonë se nga zjarri janë dëmtuar kullota dhe një numër i madh fidanësh të rinj të pishave të zeza, të cilat ishin pjesë e rigjenerimit të pyllit.
“Nuk kanë arritur të shpëtojnë pa u djegur as kullotat e fshatit mbi bjeshkë apo në bjeshkë. Nga një vlerësim paraprak, është e rëndësishme të theksohet se një numër shumë i madh fidanësh me pishë të zezë dhe ah, të cilët ishin në procesin e rigjenerimit natyror në përpjekje për të formuar pyje të reja, janë djegur. Gjithashtu, është djegur edhe bimësia e ulët nën kurorat e këtyre pyjeve, përfshirë shqopen (Erica) dhe boronicën (Vaçinum myrtillus), duke dëmtuar një tjetër shtresë të rëndësishme të këtij ekosistemi.”
Në pyjet e Pukës kanë qenë të instaluara nga ekspertët kamera kurth, përmes së cilave janë përkapur edhe specie të rralla në mbarë botën, si “Rrëqebulli i Ballkanit” apo “Ariu i Murrmë”, kurse ekpertët thonë se gjatë kohës kur po ndihmonin banorët të shpëtonin nga zjarri kanë parë kafshë të vrapojnë, për t’i shpëtuar rrezikut.
“Rajoni i Munëllës dhe korridoret ekologjike që lidhen me Parkun Natyror të Munellës strehojnë një biodiversitet të lartë, por sidomos gjitarë të mëdhenj si “Rrëqebulli i Ballkanit” (Lynx lynx balcanicus) dhe “Ariu i Murrmë” (Ursus arctos), të cilët janë lloje të kërcënuara në nivel europian dhe global. PPNEA ka realizuar monitorime në këtë rajon prej gati 2 dekadash me anë të kamerave kurth. Gjatë kësaj jave të vështirë me betejën me zjarret në kurorën me pisha të fshatrave të Gojanit dhe Kushnenit, banorët kanë parë sesi kafshët e egra, si kaprolli (Capreolus capreolus), dhia e egër (Rupicapra rupicapra balcanica) dhe ariu vraponin përpara syve të tyre, për t’i shpëtuar flakëve të zjarrit, ashtu siç fluturonin shpendët në mes të tymit që kaploi kurorat e pishave. Teksa ecnim në rrugen e pyllit për të ndihmuar banoret me zjarrin, ndjenim lëvizjet e zvaranikëve që provonin t’i shpëtonin zjarrit që përpinte çdo gjë me shpejtesi. Kemi gjetur kamerat tona kurth, pajisje profesionale të shkrira nga flaket e zjarrit, por është vështirë të kemi akses të plotë në zonë në këtë moment, për të vlerësuar dëmet, pasi vatrat e zjarrit janë ende aktive.”
Të njohur me rrezikun e këtyre ditëve nga zjarri, ekspertët e PPNEA-s thonë se është e nevojshme të vijohet ndërjyrja me helikopter, në mënyrë që të shuhen të gjitha vatrat që kanë mbetur.
“Ne shpresojmë që zjarrfikëset dhe helikopterët të vijojnë të punojnë me shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit, në radhë të parë për të shmangur rrezikun ndaj banorëve, për të shpëtuar shtëpitë e tyre dhe bagëtinë. Menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit, ekipi ynë do të realizojë një vlerësim të shpejtë të ndikimeve të zjarrit në biodiversitet.

Ekspertët e mjedisit, Ilir Shyti, Klaudja Koçi dhe Bledi Hoxha sqarojnë se ripyllëzimi për të rikuperuar dëmet në Malin e Tërbunit kërkon të paktën 50 vite, duke theksuar se gjatë këtij procesi nevojiten monitorime të shpeshta, për të parë ecurinë e fidanëve të mbjellë.
“Një zonë e ripyllëzuar ka nevojë për të paktën 50 vjet që të rikuperohet, natyrisht aksioni i ripyllëzimit që të jetë i suksesshem duhet të monitorohet rregullisht për ecurinë e tij dhe të tregohet përkujdes, të paktën gjatë viteve të para pas aksionit të mbjelljes. Pavaresisht monitorimit të ecurisë së rritjes dhe kujdesjes për zevendesim të fidanëve jo të suksesshëm, me rëndësi kritike është mospërsëritja e zjarreve, të cilat nuk kursejnë as fidanët e rinj.”
Nisur rnga raportimet e ditëve të para, kur zjarri përfshiu Malin e Tërbunit banorët kanë bërë thirrje për 3 ditë me radhë për ndërhyrje nga ajri, por kërkesa e tyre nuk gjeti zbatim nga ana e autoriteteve përgjegjëse. Për rrjedhojë, ekspertët e konsiderojnë shumë të vonuar operacionin me helikopterë zjarrshues, duke rënduar, sipas tyre pasojat negative.
“Ndërhyrja nga ajri dhe mbërritja e autoriteteve ishte shumë e vonuar, shkaku kryesor i përshkallezimit të zjarrit në mijëra hektarë sipërfaqe pyjore dhe për djegien e staneve dhe shtëpive të banoreve të fshatit. Ndërhyrja e autoriteteve është kritike në momentin e parë të rënies së zjarrit, për të mos lejuar përhapjen e tij, ndërkohë që përpjekjet e rrezikshme për shuarjen e zjarrit janë realizuar pothuajse plotësisht nga banorët e fshatit, të vetëm dhe pa pajisje, duke rrezikuar jetën në flakët dhe tymin e tij.”



