Kanë qenë ditë të trazuara për socialistët këto javët e fundit.

Pas “Nusretit”, shfryrjes së “tullumbaces” së vaksinimit të 500 mijë shqiptarëve dhe sidomos pas publikimit të dosjes së përgjimeve të Ndraghetës, u duk se Rama-Veliaj dhe njerëzit e tyre bënë ca hapa pas në sulmin e përhershëm.

Strategjia e Marrëdhënieve Publike

Veliaj për shembull nisi të fshihej pyjeve orbitalë imagjinarë, tentativave shterpë për rregullim imazhi me pemë për të ndjerin Klodian Rasha apo në rastin më të keq shpërndau nga zyra sondazhet e televizionit të Carlo Bollinos ku rezultonte se Partia Socialiste do të fitonte. Ndërsa Rama pasi i la stafetën ministres Manastirliu për të vazhduar në komunikimin publik të vaksinimit, me siguri që do jetë marrë lokalisht me punë konkrete të fushatës.

Pas takimeve me Erdoganin e sigurimit të ndërtimit të një spitali në Fier, në pikëpamje të rëndësisë së takimeve publike me përfaqësues shtetesh këto ditë qe tryeza e rëndësishme mbajtur në presidencë; mes tij, ambasadores amerikane Yuri Kim, Gjeneral Major Joseph Jarrard, zv.komandant i Ushtrisë së SHBA-ve në Europë, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe presidentit Ilir Meta. Tryeza u parapri me mesazhin e amerikanëve për moskandidim të personazheve të inkriminuar në zgjedhjet e 25 prillit dhe u pasua me daljen krahë tij të ambasadores Kim në nisjen e rikonstruksionit të ish-Piramidës.

Kryeministri Edi Rama, ambasadorja amerikane Yuri Kim, Gjeneral Major Joseph Jarrard, zv.komandant i Ushtrisë së SHBA-ve në Europë, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta

Por po t’u rikthehemi operacioneve lokale për të bindur elektoratin, u duk se taktika e sondazheve qe as më shumë e as më pak se një operacion pa ndonjë efekt të rëndësishëm. Kontrasti mes sondazheve televizive në pozicione të kundërta editoriale vetëm sa asgjësoi jehonën e secilit të transmetuar individualisht.

Sondazhet nuk mund të kthenin topin në fushën e socialistëve sidomos pas tre skandaleve të mëdha: uljen rreth tavolinës në Dubai të përfaqësuesve të qeverisë e biznesmenit Samir Mane, deklarateve publike se do vaksinoheshin 500 mijë shqiptarë kur kontratat dhe dërgesat reale nga “Pfizer-BionTech” treguan se shpërndarja e vaksinave ishte 1-vjeçare, për të mos përmendur pastaj mungesën e prodhimit të tyre dhe sidomos përgjimet e Ndraghetës.

Edhe përpjekjet e Ramës për të tërhequr vëmendjen me batuta për korçarët duket se nuk zgjidhën ndonjë punë të madhe. As deklaratat e tij që “LSI-në kishte programuar ta çonte për skrap bashkë me Bashën”.

Deri diku zgjidhi hedhja për opinionin publik e një interviste të ish-kryeministrit Fatos Nano në “Opinion”.

Video e kreut demokrat Lulzim Basha duke gatuar

Por ajo që ka ndodhur, për herë të parë në thuajse këto 3-4 vite të fundit është kursi që ka marrë PR-i, sidomos mes dy partive kryesore.

Gjithnjë lojën e PR-it e ka drejtuar Edi Rama dhe kundërshtari i tij politik Lulzim Basha thjesht e ka ndjekur. Nga ana tjetër Basha dhe ekipi i tij i kurimit thjesht sa kanë treguar se vendimet e Ramës janë të këqija, qeverisja është e keqe teksa kanë mbetur në nivelin e denoncimeve.

Pika e kthesës mes tyre duket se është publikimi i programit të Partisë Demokratike, ndihmuar edhe nga skandalet që prekin socialistët.

Edhe pse ende nuk është publikuar i plotë, programi i Bashës është kritikuar, përgëzuar deri përçmuar nga njerëz që i njohin mirë profesionalisht fushat përkatëse. Për të është folur; kundër ose pro dhe ky për ekspertët e PR-it e marketingut politik quhet sukses.

Pra, nëse muaj më parë Rama prodhonte dhe Basha e eksponentët e PD-së sulmonin dhe maksimalisht sulmet e tyre shndërroheshin në meme, tani duket se lojën e PR-it po e drejton Basha dhe ekipi i tij, duke prodhuar e duke bërë që Rama e eksponentët e PS-së të sulmojnë.

Një “shift”, do të thoshin amerikanët në gjuhën e tyre, një pikë kthese jo e zakonshme.

Një operacion i organizuar PR-i është takimi i bashkëshortes së Lulzim Bashës, zonjës Aurela Basha me kryetaren e LSI-së, zonjën Monika Kryemadhi me qëllim mbytjen e zerave që besojnë te diversioni, edhe pse së fundmi Bashën nuk e kemi parë me Kryemadhin sëbashku por as nuk dihet se çfarë diskutohet në prapaskenë mes tyre dhe me Ramën në veçanti.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe bashkëshortja e kreut të PD-së Aurela Basha

Ndërsa Rama ka vazhduar “gju më gju me popullin” në Gjirokastër.

Forma mes agresionit të ushqyer

Sëpata, foto në dush e duke fjetur gjysmë zhveshur apo ngritja e këmbës mbi depozitën e ujit, tavolina e makinë janë stili i kryeministrit Rama kur popullariteti i tij ka pësuar lëkundje.

Një agresion ky i ushqyer te publiku nga Rama dhe prandaj lideri i opozitës Basha me videon duke gatuar hedhur së fundmi shihet si atipik, si i palidhur me realitetin, si jashtë asaj që ndodh zakonisht, madje si pa asnjë efekt në të mirë të tij. Si mund të gatuajë burri, si mund të rrijë me xhinse e këpucë në shtëpi dhe si mund të lejojë një burrë që e shoqja të hedhë në profilin e saj “Instagram” këtë video?!

Macron, Merkel dhe Obama

Në fakt po të shohësh liderë të tjerë botërorë, perceptimi i veprimeve të tyre vjen më i butë e i përqafuar më ngrohtë kur marketingun e tyre kanë dashur ta ushqejnë me veprime normale njerëzore.

Kujtoni kancelaren gjermane Angela Merkel duke bërë pazar për shembull, apo presidentin francez Emmanuel Macron duke mbajtur vetë çadrën, apo ish-presidentin amerikan Barack Obama duke kërcyer me bashkëshorten.

Video e Bashës, e realizuar krejtësisht brenda të vërtetës që bart, një lider opozite që gatuan, me një reagim krejtësisht natyral kur e kupton që bashkëshortja po e filmon duket e butë për një ambjent agresiv ushqyer nga Rama, e simbolizuar edhe me një nga ngacmimet që ka mbetur në historinë e PR-it politik shqiptar, kur kundërshtari politik Rama i bën rivalit të tij Bashës teksa jepte një deklaratë për shtyp vite më parë.

Edi Rama teksa shpotit Lulzim Bashën kur jepte deklaratë për shtyp

Dhe në këtë pikë kryeministri Rama ka avantazhin e të qenit batutaxhi, e futjes në gjendjen aktoriale, e gallatës deri në talljen e kundërshtarëve të tij por po ashtu ai di ta përballojë me sukses e ta marrë me sportivitet edhe efektin e kundërt të vendimeve agresive të tij. Në fund të fundit nuk ka reklamë të keqe.

Eksperimenti social

Intervista e Fatos Nanos para shqiptarëve është eksperimenti social më i fuqishëm ndaj shqiptarëve gjatë këtyre muajve po ndoshta edhe me gjerë.

Është eksperimenti që tregon as më shumë e as më pak atë që të mençurit e kanë thënë më parë; një popull meriton qeverisjen që ka.

Mund ta kritikojmë qeverisjen Rama, mund t’i kritikojmë socialistët, mund të kritikojmë gjithë qeverisjet e djathta e me koalicione para saj por sërish mbetemi në një rrugë qorre.

Kolazh me imazhet e operacioneve të PR-it; kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha

Ky eksperiment tregoi se e kemi të vështirë të shohim nga vetja dhe se mbytemi me “një pikë ujë” para çdo operacioni PR-i të kalkuluar.

Megjithatë fakti që sot flitet më shumë për gatimin e Bashës është tregues se çudia më e madhe zgjat vetëm 3 ditë.

Valmora Gogo
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)