
Nga Ermal Hasimja
Dëgjoj çuditërisht edhe ndonjë të djathtë që ankohet që qeveria nuk po ul apo përcakton çmimet. Hapni librat e ekonomisë ose nëse jo lexoni lajmet nga bota: nëse qeveria ul çmimet, biznesi thjesht nuk i ofron më ato produkte. Çmimet i cakton ofertë/kërkesa dhe oferta përcaktohet mes të tjerash edhe nga barra fiskale e shtetit dhe nga ekzistenca e monopoleve. Këtë uljen e çmimeve e provoi Venezuela para ca kohësh me letrën higjienike dhe një javë më pas venezuelianët nisën të testonin gjethen e fikut. E provoi edhe Hungaria në 2022-2023 me cmimet e naftës dhe hoqi dorë sepse nisën të mbyllen pikat e shitjes. Etj, etj., se kudo ka gjeni që mendojnë se ekonomia funksionon me ndjenja, jo me logjikë. E vetmja arsye pse nuk nisën të mbyllen edhe në Shqipëri pompat e benzinës kur u caktua bordi i famshëm është se qeveria u kujdes që çmimet realisht të mos uleshin duke dashur të mbrojë klientët e vet naftëshitës. Shkurt, bordi bëri sikur, por nuk uli asgjë, madje nganjëherë duke u bërë edhe qesharak. E vetmja masë e bordit që ka logjikë është ulja e aksizës së naftës kur çmimi kalon një prag të caktuar.
Asnjë biznes nuk funksionon me humbje. Nëse doni që të ulen çmimet kërkojini qeverisë që:
1. të ulë barrën fiskale (pasi të ulë nivelin e vjedhjes së taksave);
2. të mos mbrojë monopolet e klientëve të vet që i vendosin çmimet pa trysninë e konkurrencës;
3. të mos lejojë inspektorët të rrjepin bizneset duke u rritur koston;
4. të reduktojë urgjentisht kërkesat e pafundme për certifikime idiote që nuk i hyjnë në punë askujt përveç atyre që i kanë shpikur.
Ekonomia nuk është art si piktura. Është shkencë dhe ka ligjet e veta. Kemi jetuar një kohë kur qeveria përcaktonte çmimet: ishte ajo koha kur mbanim rradhë disa orëshe për bukën, vajgurin, qumështin dhe shumëçka tjetër.


