
Eileen Higgins është zgjedhur kryebashkiakja e re e Miamit, duke shënuar një moment historik për qytetin, ajo është demokratja e parë që fiton këtë post në gati tre dekada, si dhe gruaja e parë e zgjedhur ndonjëherë në këtë detyrë. Higgins arriti të sigurojë një fitore të thellë në raundin e balotazhit, duke marrë 59% të votave kundrejt kandidatit republikan Emilio Gonzalez, i cili u mbështet publikisht edhe nga presidenti Donald Trump dhe mori rreth 41%, sipas rezultateve zyrtare të përmendura nga “BBC’.

Në fjalimin e fitores, Higgins u shpreh se, “Miami zgjodhi një drejtim të ri… ju zgjodhët kompetencën përpara kaosit.” BBC-ja e quan fitoren e saj pjesë të një vale të re suksesi për Partinë Demokratike në SHBA, ndërkohë që zgjedhja e Higgins përbën një thyerje të qartë të dominimit republikan në Miami në vitet e fundit.
Fushata e Higgins ka qenë e fokusuar kryesisht tek temat sociale dhe ekonomike, sidomos, imigracioni, ku ajo ka kritikuar ashpër politikat e presidentit Trump, duke i cilësuar si “çnjerëzore dhe mizore”, strehimi i përballueshëm, një çështje kyçe për qytetin në rritje dhe angazhimi për të ndërtuar “një qytet që u përket të gjithëve”,- shkruan “BBC”-ja.

Në një intervistë për “El País”, Higgins foli për atë që ajo mendon për Trump-in. “Ai (Trump) dhe unë kemi pikëpamje shumë të ndryshme për mënyrën se si duhet t’i trajtojmë banorët tanë, shumica e të cilëve janë imigrantë.” Megjithatë, ajo është shprehur se është e gatshme të punojë me administratën federale kur ka pikë të përbashkëta, por kur nuk do të bien dakord, zëri i saj do të dëgjohet. Kandidatja demokrate u mbështet nga figura të rëndësishme të partisë, përfshirë ish-sekretarin e transportit Pete Buttigieg.
Para zgjedhjes si kryebashkiake, Eileen Higgins ka shërbyer si komisionere e qarkut Miami-Dade, duke ndërtuar një profil të fortë në politikat vendore dhe në shërbimet komunitare. Në moshën 61-vjeçare, ajo hyn në këtë mandat me një eksperiencë të gjatë administrative dhe me fokus të deklaruar për të adresuar sfidat e qytetit. Ajo zëvendëson kryebashkiakun në largim Francis Suarez, i cili më herët kishte tentuar të kandidonte për nominimin republikan për president.
Sipas BBC-së fitorja e Higgins vjen pas një serie rezultatesh të mira për demokratët në zgjedhjet e para të mandatit të dytë të presidentit Trump. Në Nju Jork Zohran Mamdani fitoi garën për kryebashkiak, në Virxhinia Abigail Spanberger u zgjodh guvernatore, duke e marrë postin nga republikanët, ndërsa në New Jersey u zgjodh guvernatore Mikie Sherrill.


