Pedagogu i Teorive të Shtetit në Universitetin Mesdhetar Shqiptar, Edon Qesari ka dhënë një këndvështrim ndryshe të protestave që përfshinë Tiranën pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

I ftuar në GogoCast nga Valmora Gogo, Qesari tha se në protestë është vërejtur një mllef i përgjithshëm.

Ai pohon se protesta ka pasur njerëz të përfshirë nga disa sektorë dhe ka qenë e larmishme, përkundrejt idesë se në të kanë marrë pjesë vetëm të rinj të periferive të Tiranës.

“Kam dëgjuar shpesh herë që në protesta ka pasur djem të rinj, shpesh herë në moshë jo madhore dhe që vijnë nga periferitë e Tiranës. Unë nuk kam parë nga ana tjetër një matje empirike apo statistikore se ku bazohen këto pohime. Shpesh herë janë bazuar në një look të përgjithshëm, në disa dëshmira të marra individualisht por unë e kam parë me dyshim këtë përgjithësim që i bëhet. Për mua protesta ka pasur shumë ngjyra, shumë sektorë. Shumë nga këta të rinj janë nga periferitë e Tiranës, po shumë nga këta edhe nuk janë. Ajo që dua të theksoj është mllefi i përgjithshëm te të rinjtë.” – tha Qesari.

Edon Qesari dhe Valmora Gogo

Më tej gjatë komunikimit, ai theksoi se në protestë sipas mendimit të tij, ka pasur një larmishmëri idesh, ndjesish, diversitetesh të cilët kanë dalë aty për arsye të ndryshme.

“Revolta e përbërë nga disa sektorë. Aty mendoj nuk janë bashkuar të gjithë nga e njëjta ndjesi. Është pak a shumë si koncepti i popullit. Një masë e ngurtë që sipas meje duhet të flasim për një shumësi pluralitetesh, ndjesish, diversitetesh. Në protestë ka pasur me siguri njerëz të ndjeshëm ndaj ngjarjes. Por kjo mund të lidhet edhe me një realitet të dukshëm politik. Është e pamundur të mos shohësh një vrull politik, të njerëzve që ndaj qeverisë aktuale kanë pasur përherë antipati. Siç mund të ketë njerëz që në këtë protestë janë udhëhequr nga një psikologji turme.” – shtoi Qesari.

Po kështu, pedagogu theksoi se çdo protestë që zhvillohet në shesh është politike por jo domosdoshmërisht partiake.

Ndërsa lidhur me protestën e fundit ai tha se ajo është politike, e deri diku partiake, duke qenë se ngërthen shqetësimin lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit e shqetësimin se nga policia është ushtruar dhunë pas protestës apo qoftë shqetësimin mbi qeverisjen.

“Unë do doja shumë që të ishte politike. Çdo aktivizim brenda qytetit është politik. Ka një shqetësim se mund të ketë pasur abuzim nga forcat e policisë, se po ushtrohet shumë dhunë, ka një shqetësim të lidhur me qeverisjen, me periferitë. Nëse e kapim në këtë sens kudo kjo protestë është politike. Gjithçka ndodh në një shesh është politike, jo domosdoshmërisht partiake, por në këtë rast për mua edhe partiake ka qenë. Është protestë politike, deri diku partiake.” – shtoi Qesari.

Moment nga protesta Tiranë, dhjetor 2020

Një lexim dhe analizë e protestës së këtyre ditëve me qëllimin e thellimit mbi problemet e shoqërisë shqiptare.

Të rinjtë, intelektualët, mediet, qeveritë, komunikimi, e ardhmja. Këto janë disa nga pikat e trajtuara gjatë bisedës me pedagogun Edon Qesari, me lupën te protesta dhe dinamikat që ajo solli.

Pse duhet dëgjuar Qesari?

-Sepse ngjarjet që na ndodhin në shtëpi, siç ishte vrasja brutale e një 25-vjeçari e ndjekur nga protestat nuk duhet të kalojnë pa u analizuar.

-Sepse nuk japin zgjidhje përgjigjet neveritëse të asaj që vetquhet “Elitë” e që të rinjtë i quan “Llum”, përtej të pavërtetës që mbart.

-Sepse koncepti i të krijuarit e të paturit shtet mund të na shpëtojë në të ardhmen.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)