
Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij të sotëm ka mohuar të jetë autor i “The Albanian Files”. Ai thotë se botimi “është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës”. Rama deklaron se nuk është libri i tij: “Nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje. Ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur”. Sa i përket lidhjes së tij me “The Albanian Files”, Rama thotë: “Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës”. Më tej ai sqaron se: “Në këtë libër 60 arkitektë nga studio prestigjoze ndërkombëtare paraqesin 500 projekte të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri, së bashku me shënimet e tyre mbi vendin dhe këto investime”. Debati nisi pas një komenti ironik të botuar në “The Albanian Files” nga arkitekti holandez Reinier de Graaf. Përmes një letre dërguar vjet kryeministrit Edi Rama, pasi mori mandatin e katërt të tij qeverisës e quan vendin tonë një “Mekë të arkitekturës bashkëkohore” dhe shton se nuk mund ta imagjinonte se çfarë do të ndodhte nëse socialistët nuk i fitonin zgjedhjet.“Për ne, arkitektët, do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri (2025) të anuloheshin. Madje do të shkoj më tej. Duke qenë se Shqipëria ka qenë prej vitesh një mbështetëse kaq e ndritur e arkitekturës, për profesionin tonë do të ishte më mirë që në këtë vend të mos zhvilloheshin më kurrë zgjedhje. Dhe ju, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të bëheshit president i përjetshëm. Ose ndoshta edhe mbret”, shkruan arkitekti. “The Albanian Files: Freedom and Architecture” është publikuar nga Lars Müller Publishers.


