
Pasi shmangu përballjen me kundërshtarët për më shumë se treçerekun e kohës së fushatës dhe orientoi kinse debate në hapësirat televizive me në qendër të besuarit e tij, kryeministri Edi Rama ka menduar që në formën e një sorbetoje pas një dreke të mirë, të shfaqet në disa prej televizioneve të vendit. Nga A2 CNN, te Euronews Albania, te MCN TV e Report TV dhe me gjasë të enjten në “Opinion” TV Klan apo “Top Story” në Top Channel. Ky është turi që ka zgjedhur të kryejë kryeministri që po kërkon mandatin e katërt.
Rama është ftuar hapur nga kreu i opozitës Sali Berisha për t’u përballur në debat, mirëpo në ekranet që ka zgjedhur të shfaqet nuk ka përballë asnjë përfaqësues të Partisë Demokratike apo partive të reja, aq më shumë vetë Berishën. Daljet e tij në javën e fundit të fushatës në televizionet ku është raportuar në mënyrë frekuente për të, kanë nxituar reagimin e gazetares Ambrozia Meta, e cila është një ndër të vetmet që e ka sfiduar në disa raste publikisht.
“Të dashur kolegë, ju që po intervistoni kryeministrin këto ditë dhe po e bëni të ndihet sikur ka shkuar në dasmë, mos harroni se: Nëse intervista juaj e ndihmon politikanin të duket më mirë, nuk jeni më gazetar por staf i tij.”, u kujton gazetarja Meta kolegëve Andrea Danglli, Jonida Shehu, Ylli Rakipi dhe Denis Minga.
Intervista në A2 CNN
Në një intervistë tek për tek me gazetarin Andrea Danglli, rrëfimi i Ramës ka zgjatur rreth 1 orë. Po a qëndron pretendimi se kjo intervistë është një shërbim i mirëfillte PR-i ose gjasme përballje me publikun për qeverisjen e tij në 3 mandate? Le ta analizojmë me kujdes.
Intervista nis me pamjet e “Tiranës së transformuar” nga lart, nga poshtë, anash, majtas dhe djathtas. “Një politikan që i ka sfiduar kohët”, thotë gazetari Andrea Danglli. “Çfarë ka arritur, çfarë premton dhe pse duhet votëbesuar sërish?!”, thekson më tej në fjalën hapëse gazetari duke shtuar se ai ka përgjegjësi vetëm për pyetjet, kryeministri mban përgjegjësi për përgjigjet dhe publiku për vlerësimin dhe vendimin në 11 maj.
Si të mos mjaftonte një intro për të treguar vetëm Tiranën në “zhvillim”, pa godina mbytëse, pas smog, pa trafik të rënduar dhe vetëm me vepra “madhështore”, u desh edhe një insert tjetër për t’i kujtuar publikut se çfarë bëri më 21 janar të 2011-ës Sali Berisha, insert i shoqëruar me zërin kumbues të Edi Ramës në fjalime. Një antireklamë perfekte për Partinë Demokratike. Natyrisht në insert nuk kishte si mos të mungonte me një muzikë pompoze dimensioni “cool” i një kryeministri që ka “shkëlqyer” në fushatat e 3 mandateve të tij.

Edi Rama dhe Andrea Danglli
Por le të shohim me kujdes pyetjet që gazetari Danglli ka bërë me tej dhe përgjigjet që ka dhënë Rama.
I pyetur nëse është penduar për deklarata të tipit “nëse nuk i realizon premtimet për 8 vjet mos i bëj më ose për premtimin ujë 24 orë në ditë”, Rama është përgjigjur se nuk është penduar. Gazetari ka zgjedhur të mos e pyesë në mënyrë direkte: pse nuk e keni mbajtur premtimin ujë 24 orë në ditë dhe përgjigja tipike e Ramës ka qenë: populli e di, e ka te çezma. Danglli e ka pyetur Ramën për bullizimin me termat “çyryk”, “autik”, “buf”, duke marrë përgjigjen prej Ramës se satira dhe karikatura nuk hyjnë te bullizimi, por gazetari u kujdes të shtonte që ishte një lloj gabimi sepse “kërkuat ndjesë”.
Dominanca në bisedë e Ramës është e dukshme, deri te reagimi intimidues ndaj gazetarit, teksa i bën pyetjet “çfarë, çfarë?!’ ose “ke ndonjë problem me tekstin e këngës së fushatës?!”, duke e vendosur gazetarin në pozita shpjeguese dhe mbrojtëse për pyetje krejt normale si për shembull “sa i sinqertë keni qenë në mbylljen e TikTokut për dhunën që transmetonte te rinia kur keni marrë në fushatë këngëtarin Noizy që ka tekste shumë të dhunshme dhe shpesh të imituara nga të rinjtë?”. Megjithatë gazetari Danglli është kujdesur që të balancojë, duke thënë që dhe pala tjetër ka të njëjtën gjë. Edhe kur ka përmendur Plarent Ndrecën dhe akuzat ndaj tij, Rama është shfajësuar si gjithnjë me komentin: “Është njeri i lirë”.
“Kur filloi reflektimi për të mirat e Trumpit?”, ishte një nga pyetjet e gazetarit Danglli, teksa deklaratat e Ramës për Trumpin kanë qenë aq kontradiktore, sa pyetja mund të mbante edhe një kërkesë më të lartë si për shembull “Si ka mundësi që keni ndryshuar me 180 gradë komentet tuaja për Trumpin, nga “rrezik për demokracinë” në bërje çmos për t’u afruar me të dhe një nga shenjat dyshuese është edhe dhënia e ishullit të Sazanit, pronës sonë të përbashkët dhëndërrit të tij?”
Me një intervistë krejt në kontroll të tij, i qetë dhe “vendosjen në cep në ringun” e intervistës së gazetarit Danglli duke i përcaktuar edhe se është për të folur për 11 majin dhe jo Bashkinë e Tiranës, Rama nuk është vënë në asnjë moment në pozita llogaridhënëse. A2 CNN është kujdesur që të transmetojë dhe plane detaj të numrit 5 në atletet e Edi Ramës, numër që korrespondon me numrin e Partisë Socialiste në fletën e votimit.
Intervista në Euronews Albania
Me titullin “Edi Rama u përgjigjet të gjitha pyetjeve”, Euro News Albania ka publikuar në “Youtube” intervistën me kryeministrin Edi Rama të drejtuar nga gazetarja Jonida Shehu, e cila në hyrje thotë se i ka përgatitur vetë pyetjet por edhe duke marrë perceptime nga publiku. Televizioni është kujdesur që pas kryeministrit në sfond të qëndronte gjatë gjithë kohës slogani “Vetëm me Edin dhe PS”.
“Si ka shkuar fushata deri tani, entuziazëm?!”, e ka nisur bisedën Shehu. “A është apo jo fushata e 11-të”, ka qenë diskutimi mes tyre, ku gazetarja është kujdesur që ta pyesë Ramën se çfarë ka ndryshuar në fushata, duke e vënë kështu në rolin e analistit politik, ku Rama ka komentuar si gjithnjë dhe me sy shumë kritik punën e mediave. Me plot hapësirë në dispozicion, i lirshëm, Rama për minuta të tëra ka bërë komentet që ka patur si qëllim për mediat, duke i quajtur një pjesë prej tyre dhe të degraduara.
Po kështu ka ndaluar edhe te sondazhet, sipas të cilit gjykimi i shumicës është gjykimi më i pjekur dhe i maturuar, duke promovuar të dhënat e tyre që nxjerrin Partinë Socialiste fituese. Megjithëse Shehu ka sjellë të dhëna nga sondazhi që realizojnë në Euro News Albania ku qytetarët thonë se askush nga partitë politike nuk i zgjidh dot problematikat, Rama nuk është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe i ndihmuar nga moderatoja për të vazhduar më tej bisedën me çështje të tjera.
Mburrje të jashtëzakonshme për shqiptarët ka bërë Rama, për burrat kur marrin rrugët, të cilët sipas tij “janë të paduruar dhe çajnë malet”, një koment krejt në kontrast me etiketimin “çyryk” që u ka bërë burrave gjatë fushatës.
Pa ndonjë ndryshim nga retorika në fushatë, e njëjta retorikë është përdorur nga Rama në studion e Euronews Albania. “Kundërshtarët tuaj favori më i madh politik?”, ka qenë njëra prej pyetje konfirmuese dhe jo ballafaquese. Një nga pyetjet më ballafaquese të kësaj interviste ka qenë “Arritje e madhe është ujë dhe drita në 2025-ën?!”.
Komunikimi mes tyre ka patur edhe nuanca të zhargonit, ku Rama i është drejtuar gazetares në studio “Zemër”. “Ne si komb shqiptar kemi takim me historinë zemër”, i ka thënë Rama gazetares Shehu, e cila nuk ka reaguar aspak pas kësaj. Edhe pyetjes “Ndonjë dështim e keni?”, Rama i ka bërë bisht, duke shkuar sërish te kritikat e transformimit që sipas tij media u bën deklaratave të tij.

Edi Rama dhe Jonida Shehu
Edhe kur pyetet për drejtësinë nuk përmenden emra konkretë të eksponentëve të tij kryesorë që ose janë arrestuar ose kanë hetime si Veliaj ose kallëzime penale si Balluku. “Sa e kishit kuptuar ju që në radhët tuaja kishte njerëz që kishin marrë vendime të gabuara? Sa i vetëdijshëm keni qenë?”, ka qenë pyetja e Shehut. Sipas kryeministrit karrigia rrugës mund ta ndryshojë njeriun dhe për të mbështetur këtë narrativë ai rrëfeu edhe episode nga mbledhjet e para të qeverive të tij teksa u thoshte ministrave: “Qëllimet e përbashkëta na mbledhin në këtë tavolinë, për qëllimet e përbashkëta unë do hidhem në zjarr për secilin prej jush. Për çdo qëllim tjetër që formësohet nga marrëdhënia juaj me karrigen dhe që ju çon juve në drejtime të tjera do mbani përgjegjësi vetë.”
Nuk ka munguar edhe etiketimi nga Rama i gazetares Shehu me emrin e një gazetari tjetër, “O Blendi, lëre telefonin”, duke e vënë dhe në lojë “Nuk do kthehesh mbrapa, nuk do kthehesh mbrapa…” apo “Mos u bëj si këneta”, duke marrë pas përgjigjen e Shehut: “Nuk më prishin punë etiketimet”. “Është satirike, nuk është etiketim”, ka sqaruar më tej Rama.
Gjatë intervistës kryeministri është bezdisur shpesh duke i thënë gazetares Shehu: “Ç’është ky stil që më merrni në intervistë dhe shihni telefonin?!”, ndërsa gazetarja Shehu i ka kujtuar se “Fuga është i shqetësuar se kanë kaluar shumë minuta në intervistë. Ta mbyllim Altin Dumanin dhe 2-3 pyetje dhe mbarojmë shpejt”. “Më shih këtu se t’u çova dhe ika”, I ka thënë në një moment, duke kërcënuar me largimin e tij.
“Sa shumë pyetje të tjera kisha…1 orë e 50 minuta. Ishim nisur për shumë më pak dhe shumë më shumë pyetje por gjithsesi unë e falenderoj kryeministrin që ishte me ne sonte”, e ka mbyllur Shehu, ndërsa Rama nuk ka pritur që ajo të mbarojë fjalën duke u çuar menjëherë nga karrigia.
Intervista në Report TV
“Ekskluzive- Rama flet për të gjitha”, është titulli i publikimit në “Youtube” të intervistës që i kanë bërë kryeministrit Rama. Intervista zgjat 1 orë e 36 minuta.
Megjithëse i organizuar në një formë tjetër ku Rama është vendosur përballë analistëve Arion Sulo, Mentor Kikia dhe Armand Mero, sërish diskutimi është fokusuar te Bashkimi Europian, “kali i betejës” së kryeministrit Rama në këtë fushatë dhe programi e premtimet kanë kaluar përciptas.
Gazetari Minga është kujdesur që në moderimin e panelit të ndërhyjë duke iu thënë analistëve: “Ja të mbarojë deri në fund”.
Edhe kur Sulo e ka pyetur në mënyrë direkte se i ka dhënë gjëra nga interesi kombëtar Melonit, Erdoganit dhe Sarkozisë apo ç’punë kemi ne me emigrantët te Kampi i Gjadrit, Rama ka reaguar “çfarë kam dhënë unë, kjo është temë tjetër”, i ndihmuar nga gazetari Minga, i cili i ka kërkuar Sulos mos ta kalojnë aty se është ezauruar dhe “se s’kemi minuta”.

Edi Rama dhe Arion Sulo
“E kam problem vizual me ty unë. Nuk të shoh dot në kënetë”, e ka sulmuar Sulon Rama. “E ke thënë çyryk, ata që nuk më votojnë mua janë çyryk”, i kundërpërgjigjet Sulo, ndërkohë që moderatori Minga i ka thënë që të ecin dhe të mos mbeten aty.
Rama nuk ka artikuluar asnjë përgjegjësi për ministrat dhe eksponentët e arrestuar të PS-së. Ka mburrur projektin e inceneratorëve, nuk ka folur për mjekësinë dhe edukimin, ndërsa janë prekur tangent çështje si zhvillimi ekonomik apo programi i tij në këtë fushatë.
“Nuk kam asnjë ide për efektin e arrestimit të Veliajt në fushatë”, e ka mbyllur Rama përgjigjen ndaj pyetjes së analistit Mero.
Intervista në MCN TV
Një nga intervistat më të gjata, më ballafaquese se të parat por që meriton një analizë. Në studion e Ylli Rakipit, ku diskutohet zakonisht me analistë prezentë, Rama ka dalë vetëm përballë moderatorit.
Edhe te Rakipi Bashkimi Europian ka qenë temë qëndrore, por po ashtu edhe primaret e Berishës, terminologjia e përdorur gjatë fushatës si “bufi i kënetës”, lobimi në USA i Berishës e “i shtrenjtë” sipas Ramës, “Non Grata” e Berishës, vrasjet e 21 janarit 2011, prokurimet dhe shërbimet online, duke shmangur krejtësisht komentet për Veliajn. Rakipi e kaloi shpejt pyetjen për Veliajn, nga arrestimi i tij te incineratorët kur pa që Rama nuk u përgjigj, ndërsa janë diskutuar rasti i vrasjes së të riut Martin Cani apo bujqësia.
Në mënyrën si ia bën pyetjet, Rakipi ia faturon thathemnajës dhe jo fakteve kur e pyet Ramën: “Thonë pse nuk e thërrasin Ramën në SPAK”, “Për inceneratorët”, ”Kështu thonë, sa është kryeministër nuk e thërrasin në SPAK”. Ndërsa Rama në mesin e përgjigjes së tij thotë se ata që u arrestuan nuk ishin më ministra, Rakipi s’e kundërshton me faktin që një nga eksponentët kryesorë të PS-së Veliaj është arrestuar në zyrë.
Rama thotë se kemi rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ka folur me Rakipin për koncesionet dhe oligarkinë, si i nisi PD-ja sipas tyre dhe si i vazhdoi Rama. Për pensionet dhe infrastrukturën po ashtu si dhe taksimin progresiv.
Herë pas herë Rama i është drejtuar Rakipit me pyetjen “A do më lësh të flas?!”.
Rama ka pranuar shitjblerjen e votës kur ka deklaruar se: “Që janë blerë vota në Shqipëri, kjo nuk diskutohet por që partitë e mëdha nuk kanë asnjë shans që me blerje të ndërtojnë rezultat.” Rama ka mohuar pastrimin e parave me ndërtimet në Shqipëri.
“Taksimi progresiv. Kjo filozofi është aplikuar vetëm te pagat, ti të këput 23%, këta që i quajmë oligarkë paguajnë shumë pak.”, ka komentuar Rakipi. “Për hotelet me 5 yje kemi 10 vjet taksë zero dhe TVSh 6%. Nuk diskutohet.”, u përgjigj Rama.

Edi Rama dhe Ylli Rakipi
Një kohë e posaçme i është dedikuar shëndetësisë, ndërsa logjika e bisedës është zbardhur si më poshtë:
Rakipi: Kanë folur për shëndetësinë falas e premtuar: Përse nuk është realizuar shëndetësia falas?
Rama: Mbulimi universal ka faza. Ne rimbursojmë ilaçet për 600 mijë persona, ne ofrojmë shërbimin falas. Për këtë arsye në Onkologjikun po e ribëjmë me spitalin Sheba të Izraelit, kemi marrëveshje me San Raffaele të Italisë ( e kanë bërë në Poloni), ose mjekë turkë.
“Shumë shqiptarë janë larguar gjatë qeverisjes suaj. Çfarë mund të bëni për të kthyer të larguarit?”, e ka pyetur Rakipi duke e kursyer kryeministrin nga pyetja “Pse gjatë qeverisjes së tij kemi patur më shumë largime?”.
Rama e quan trend historik lëvizjen e shqiptarëve teksa ka shtuar: “Kur të fillojë konvergimi i pagave, atë moment do fillojë balancimi…Ka që kthehen në Shqipëri po janë shumë më pak se ata që ikin. Ky hendek do fillojë të ngushtohet. Në sektorin e turizmit ne i kemi pagat shumë më mirë se Greqia.
Ndryshe nga emisionet e tjera, te Rakipi ka zgjedhur t’i komentojë partitë e reja. “Unë nuk besoj te partitë e vogla se krijohen për interesa të vogla dhe punët e mëdha nuk bëhen me parti të vogla. Ne nuk do bashkohemi me askënd.”, theksoi rama.
Përmendjes së ishullit të Sazanit dhe kthimin e tij në resort nga dhëndërri i presidnetit të Amerikës, Rama ia ka përgjigjen gati: “Dhëndrri i Trumpit ka ardhur kur Trumpi ndiqej në USA nëpër gjyqe.”
Intervista e gjatë është mbyllur me mesazhin për të votuar më 11 maj për Partinë Socialiste, por kësaj here një mesazh jo i kërkuar nga Rama, po nga vetë Rakipi. “Shpik një gjë. Thuaj një mesazh”, i drejtohet Rakipi-Ramës, teksa i uron në fund: “Ne ju urojmë në zgjedhjet e së dielës të merrni ç’u do zemra.”.
Një nga kontradiktat më evidente në komunikimin e tij gjatë emisionit në MCN TV ka qenë interpretimi që Rama i ka bërë kontratës së lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ç’është kjo? Blendi Klosi firmos me ata po unë s’kam asnjë lidhje?!”, pyet gjithë dyshim Rama e megjithatë kur pyetet a mban përgjegjësi për ministrat e kryebashkiakun e tij, thotë përgjegjësia nuk është e tij por e tyre dhe se ata janë njerëz të lirë. Pra firmat e tyre, nuk kanë lidhje me të.
Një lexim në komunikimin e Ramës si një i tërë
Nëse përpiqesh që të analizosh komunikimin e Ramës në të katërta emisionet si një komunikim të vetëm, pavarësisht se nuancat janë të dukshme, gjen disa të përbashkëta.
1. Rama ka orientuar skaletat televizive ose duke përzgjedhur për çfarë të flasë ose kur ka gjetur ambjente komode për të mos u bezdisur fare nga gazetarët. Rama ka zgjedhur kur dhe si të dalë në TV. Tema mbizotëruese ishte “Kali i tij i betejës” në fushatë, premtimi për anëtarësim në Bashkimin Europian.
2. Qasja në komunikim nuk është llogarimbajtëse por qasje krejt e ngjashme me retorikën në fushatë. U vu re që munguan pyetjet për dosjen e kallëzimit në SPAK kundër Belinda Ballukut, ikjet masive të shqiptarëve (tek-tuk u përmendën të zbutura si për shembull a është një shqetësim demografia për ju? ose çfarë zgjidhje ofroni për këtë?), mungesë përgjigje për pikat e dobëta si arrestimi i Veliajt ose mungesë diskutimi për çmimet, sigurinë ushqimore, pagat.
3.Qarkullimi i të njëjtave citime ose i të njëjtave ide në emisione të ndryshme. Për shembull: “Është shtëpi të pasurish BE-ja dhe nuk ta hapin derën”, “Mos merrni dy gjysmë të vërteta”, “Populli i qan analizat politike”, “në Kuç është një kafe dhe atje shkruaj sa është minimumi dhe sa është maksimumi i mandateve”.
4.Momente vetëvlerësimi të lartë por dhe refuzimi. Disa momente janë shënuar si për shembull teksa u ka thënë gazetarëve “Puno këtu, je me kryeministrin këtu. Sheh mesazhet e hienave”, ose “…ka ikur koha kur doja të dilja në foto me botën e re për mua në Amerikë, tani kush del me mua në foto…”, “Shqipërisë i dhashë dinjitetin që nuk e kishte në arenën europiane dhe shqiptarëve iu dhashë identitetin europian. Kjo Shqipëri është ulur në tryezë dhe negocion anëtarësimin.”, apo “Unë do ta vendos vetë se kur iki. Misioni im është të vendos atë “Albania” në BE. Të marrim mandatin e katërt, unë rri për historinë këtu.”. Po kështu disa momente refuzimi janë shënuar teksa thotë se nuk e njeh Irfan Hysenbelliun, pronarin e disa mediave të rëndësishme në Shqipëri, apo drejtuesit e partive të reja, me sa duket për t’u dredhuar përgjigjeve për ta.
5. Edhe pse në nivele të zbutura për shkak të negociatave me BE-në, Rama sërish vazhdoi me intimidimet ndaj gazetarëve. Dihet që Rama jep përgjigjet që do por në këto komunikime televizive vazhdoi t’i vërë në pozitë gazetarët duke i quajtur dhe hiena, më shumë se ç’e vunë ata dhe e bëri këtë në rolin e “analistit politik” ose “ekspertit të medieve”, rol që ia kanë dhënë gazetarët dhe televizionet ku ka zgjedhur të shfaqet.


