
Virtuoze në piano, Martha Argerich quhet në skenat botërore si “grand dame”. Kritikët e vlerësojnë interpretimin e saj si plot shpirt, energjik, të fuqishëm, poetik dhe të ndjeshëm. Në të paktat intervista që ka dhënë, me modesti ka thënë se e ka më të lehtë të luajë në piano, se sa të flasë. Në një dokumentar të realizuar nga vajza e saj, Bloody Doughter, artistja e përcakton veten pak kokëfortë, të paparashikueshme dhe përfundimisht; kaotike, më pas të turpshme, të brishtë dhe reflektuese sipas “Berliner-philharmoniker”. “Bella Martha”, kështu është thirrur nga publiku, artisja argjentino-zvicerane një gjeni që luante pa gabime në piano që në moshën 3-vjeçare. Disipilinën artistike e formoi në familjen e saj, si vajza e një profesori matematike dhe nënës, një grua me origjinë hebreje e ardhur nga Perandoria e dikurshme Ruse. Publikisht është prezantuar në moshën 70-vjeçare me një pjesë të Ludwig van Beethoven.

Pasi u shpall si “Fëmija mrekulli”, ajo u mbështet nga Juan Perón, atëherë president i Argjentinës. Ai i dha babait të saj status diplomatik dhe një post në ambasadën argjentinase në Austri që vajza e tij të studionte me pianistin austriak Friedrich Gulda. “Berliner-philharmoniker” duke iu referuar dokumentarit, citon dëshminë e Guldas i cili ka thënë se nuk dinte çfarë t’i mësonte vajzës 12-vjeçare, “Sepse ajo dinte të bënte gjithçka”, edhe pse atëherë nuk e njihte ende magjinë e skenës, por po rritej nga pak bashkë me famën e saj. Sipas “Britannica” ajo fitoi në Evropë dy konkurse në vitin 1957, në moshën 16-vjeçare: “Geneva International Music Competition” dhe “Ferruccio Busoni International Piano Competitio”.

“Ajo performoi në mbarë botën dhe ia kushtoi pjesën më të madhe të karrierës muzikës së dhomës në bashkëpunim, veçanërisht me violinistin letonez Gidon Kremer, me të cilin realizoi një sërë regjistrimesh të vlerësuara me çmime. Muzikantë të tjerë me të cilët ajo ka performuar dhe regjistruar janë pianistët Alexandre Rabinovitch dhe Nelson Freire, si dhe violonçelistët Mstislav Rostropovich dhe Mischa Maisky.
“Tagesspiegel” shkruan për një moment pauze të papritur pas lindjes së vajzës së saj të parë. Ajo po kalonte një krizë psikologjike gjatë koncerteve me “Berliner Philharmoniker”, në “Koncertin e Tretë për Piano” të Béla Bartók. Vetëm 27-vjeçare dhe e ndjeu veten se po e humbiste karrierën duke u kthyer në një amvisë, dhe pas kësaj situate u largua vërtetë nga skena. Gjatë këtyre zhvillimeve ishte edhe ndikimi negativ i pianistit Arturo Benedetti Michelangeli i cili i kishte dhënë vetëm 4 mësime. Qëndrimi i tij për pianisten e re ishte zhgënyes dhe dekurajues.

“Asnjë pianiste nuk e ndez tastierën si Martha Argerich”, nis shkrimin e saj “BBC” duke vlerësuar modestinë Argerichut për të mos e kërkuar famën me ngulm. “Ajo ka shmangur me vetëdije dritat e skenës, duke evituar recitalet solo për dekada dhe duke u përqendruar në koncerte me orkestër dhe bashkëpunime, veçanërisht me muzikantë që i beson dhe i admiron.”-shkruajnë kritikët e artit që e përshkruajnë si një personalitet në art me regjistrime elektrizuaese dhe spontane. Kulmi i saj artistik vlerësohet në regjistrimet e veprave pianistike të Robert Schumann, si “Kinderszenen”, “Kreisleriana” dhe “Fantasia”.

Në produksionet e “BBC Proms”, Martha Argerich ka interpretuar edhe në moshën 75-vjeçare Koncertin nr. 1 për piano të Liszt-it nën dirigjimin e muzikantit tjetër me origjinë argjentinase, Daniel Barenboim. “The Guardian” shkruajti se: “Aftësia e saj për të thurur fije të holla melodie mbetet e pakrahasueshme. Një performancë magjepsëse, ajo shpërthente me intensitet që nga masa e parë, shpesh e shtyrë nga saktësia kristal e qartë që i vjen ende kaq natyrshëm, ndërsa linjat e lëvizjes së ngadaltë notonin me një lehtësi pa peshë”.

Pjesa e parë, sipari i suksesit të padiskutueshëm është “Sonata nr. 3” e Frédéric Chopin, ndërsa “Mazurkat” janë të zhytura në karakter autentik polak. Ky album përfshihet në listën e 50 regjistrimeve më të mira të të gjitha kohërave. Pjesa e dytë muzikore është “Koncertet për piano” e Prokofiev në vitin 1967, të dirigjuara nga Abbado. Pjesa ka ndikime të jazzit me lirizmin, ku nxjerr karakterin e saj në interpretim; plotësisht bindëse. “Koncerti për Piano nr. 1” e Tchaikovskyt, është regjistruar live prej saj dhe Charles Dutoit në nuancat e një romance. “Martha Argerich dhe sjellin një vizion të gjerë dhe thellësisht romantik të koncertit,” “BBC” citon recensentin, Jan Smaczny.
“Kinderszenen / Kreisleriana” e Schumannit në vitin 1984, pasionante dhe shprehëse. “Koncertet për Piano nr. 1 & 2” e Chopinit me “Mahler Chamber Orchestra” arrin një tjetër nivel të lartë paraqitjeje duke marrë mbështetjen e Abbados në pjesën e cila I shkonte përshtat ngjyarve e karakterit të saj mbi tastierë. Në 2014-ën tenton dhe ia me “Koncertet për Piano nr. 25 & 20” të Mozartit I cili nuk ishte “kompozitori i saj”. “Në një nga bashkëpunimet e tyre të fundit, rezultati është i ndritshëm dhe thellësisht shprehës. Fraza e saj është e rrjedhshme dhe vigjilente, duke kapur madhështinë e Koncertit nr. 25 dhe dramën e stuhishme të nr. 20. Një performancë rrezatuese dhe e ndjerë thellë nga dy artistë të mëdhenj”, -shkruajti “BB” Proms”. Në vitin 2016 ajo u nderua me një Kennedy Center Honors, një çmim amerikan që vlerëson arritjet në art.

Vitale në angazhimet e saj, është e pranishme në jëtën artistike. Që nga viti 1999, një konkurs pianoje me emrin e saj organizohet çdo vit në Buenos Aires dhe nga viti 2001 ajo drejton një festival muzikor që mban emrin e saj, gjithashtu në Buenos Aires.




