
Jared Kushneri po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen e tij në verën e vitit 2021, disa muaj pas përfundimit të mandatit të parë të trazuar të vjehrrit të tij, Donald Trump-it. Ndërsa ishin të ankoruar pranë bregdetit shqiptar, ai i kërkoi një miku të ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim në jahtin e tij me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Gjatë darkës, Rama krijoi një lidhje me Kushnerin dhe diskutoi sesi bregdeti mahnitës Adriatik i Shqipërisë shpesh neglizhohet nga turistët e pasur që lëvizin mes Italisë dhe ishujve grekë. “Kushneri nuk përmendi investimet. Thjesht po pyeste për Shqipërinë… Praktikisht, ata nuk kishin asnjë njohuri për historinë shqiptare. Të nesërmen, familja Kushner u largua.”- kujton Rama.
Kur u takuan përsëri në Davos disa muaj më vonë, Rama thotë se Kushneri i tha se e kishte pëlqyer shumë Shqipërinë. Kushner kishte takuar Mohamed Alabbar, miliarderin investitor nga Gjiri, i cili po zhvillon një marinë luksoze në portin e Durrësit, dhe të dy kishin diskutuar mbi mundësitë e investimit, sipas Ramës. “I thashë që kjo do të ishte e pabesueshme.”

Kushner e vizitoi përsëri Shqipërinë në verën e vitit 2023 me një grup më të madh, duke përfshirë Richard Grenell-in, një aleat të fuqishëm të Trump-it, i cili shërbeu si përfaqësues i tij për Ballkanin gjatë mandatit të parë dhe së fundmi është emëruar si i dërguar i posaçëm për mandatin e tij të dytë. “Qëndruan rreth një javë, duke vizituar vende të ndryshme. Këtë herë, Kushneri ishte i drejtpërdrejtë: “Ne jemi të interesuar për të investuar.“- tha Rama.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë para inaugurimit të dytë të Trump-it, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak për Kushnerin që të zhvillojë një resort luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë në Mesdhe. Ky është një nga investimet më të rëndësishme deri më tani nga firma e tij e kapitalit privat “Affinity Partners”. të cilën Kushneri e themeloi menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump-it, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite. Marrëveshja në Shqipëri ofron një pasqyrë mbi perandorinë e biznesit që Kushneri ka ndërtuar që prej largimit nga pozicioni i këshilltarit të lartë në administratën e parë të Trump-it, ku ai ishte një figurë kyçe në një sërë çështjesh të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe konsiderohej nga shumë diplomatë si një zgjidhës efektiv i problemeve.

Pamja nga një shtëpi e braktisur në ishullin Sazan në Detin Mesdhe.
Para se të futej në politikë, Kushneri ishte një zhvillues pronash me fokusin kryesor në qytetin e Nju Jorkut. Megjithatë, që nga largimi nga Uashingtoni, ai ka ndërtuar një portofol global me aksione kompanish dhe prona në Evropën Lindore, Gjirin Persik dhe Amerikën Latine. Shumë nga këto marrëveshje janë lehtësuar nga kontaktet që ai krijoi gjatë kohës që ishte në qeveri ose nga profili i lartë që fitoi duke qenë një nga ndihmësit më të besuar të vjehrrit të tij. Kushneri ka treguar aftësinë për të shndërruar marrëdhëniet dhe afërsinë me pushtetin në investime të mëdha. Në një rast, ai po e pozicionon veten si një ndërmjetës për investitorët nga Gjiri Persik që janë të interesuar të investojnë në sektorin privat dinamik të Izraelit.
Kushneri thotë se modeli i tij i biznesit bazohet në aftësinë për të parë prirjet para të tjerëve. “Ndihem shumë rehat duke qenë kundër rrymës. Isha i gatshëm të mbështesja Trump-in kur njerëzit në rrethin tim mendonin se kjo nuk ishte e popullarizuar apo e zgjuar. Besoja se mund të bëja përparim në Lindjen e Mesme kur të gjithë thoshin se isha i çmendur.”

Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Financial Times”. Kliko këtu për të lexuar shkrimin e plotë.


