
Në puntatën e parë të programit të Elvis Naçit, “Për Shqiptarët”, u tregua historia e 84-vjeçarit nga fshati Mesaplik i Vlorës, Bardhosh Hanajt, të cilin të gjithë e njohin si gjysh Bardhi. Prej disa javësh, ai endet dhe fle në korridoret e stolat e spitalit, ku është shtruar e bija. Gjysh Bardhi, zgjohet, rri dhe fle në spital duke pritur një lajm të mirë për të bijën, ndonjëherë dhe i pa ngrënë dhe nuk pranon për asnjë çast të ndahet nga ajo, pasi nuk ka njeri tjetër që ta ndihmojë. Historia e jetës së tij është shumë e dhimbshme, ai kishte një shtëpi të madhe dikur në fshat ku jetonte me bashkëshorten dhe tre fëmijët: dy vajza dhe një djalë. Mirëpo i biri kur ishte vetëm 16-vjeç për shkak të një incidenti mbytet në liqenin e Tiranës dhe humbet jetën. Për shkak të humbjes së madhe, bashkëshortja e tij pas pak kohësh nuk e përballoi dot më dhimbjen dhe u nda nga kjo jetë, duke e lënë Hanajn të vetëm.
Ai i martoi dy vajzat dhe u bë gjysh nga vajza e tij Marjeta. Fatkeqësisht të bijën me dy fëmijë e braktisi bashkëshorti dhe ajo u rikthye të jetonte me të. Marjeta më vonë nisi të shfaqte probleme shëndetësore, ajo nisi të humbiste ndjenjat shumë shpesh. Gjysh Bardhi e dërgoi për shumë vizita në spital dhe ajo u diagnostikua me një sëmundje të rrallë e cila i ka dëmtuar edhe mushkërinë.
Gjyshi Bardhi ka ndejtur deri 8 ditë pa ngrënë asgjë sepse i vinte zor t’i kërkonte ndihmë të tjerëve dhe ka mbijetuar duke pirë ujë nga çezma e spitalit, duke u larë me ujë të ftohtë në ambientet e banjës të spitalit dhe duke fjetur në stolat e spitalit. “Unë jam në një karrige dhe kur më bien këmbët bien ë gjunjë kësjhtgu pranë saj, ashtu shplodhem.”- u shpreh i moshuari.
Tashmë janë bërë pothuajse 40 ditë që ai qëndron afër vajzës. Në programin e mbrëmjes së të premtes, Elvis Naçi ka i ka komunikuar atij lajmin se pasi janë vënë në kontakt me një nga spitalet më të mira në botë dhe i kanë treguar rastin e të bijës, ata i kanë dhënë shpresë se mund t’i shpëtojnë jetën. Dhe falë donacioneve të shqiptarëve, të bijës së tij Marjanës do t’i mundësohet nisja jashtë vendit për kurim. Po ashtu mbesës së tij do t’i ofrohet një bursë për të studiuar dhe nëse do të jetë nevojë për të qëndruar në konvikt pa asnjë pagesë. “Nuk kam dashur të dorëzohem kurrë në jetë”- është shprehur gjysh Bardhi.
Për më shumë mund të lexoni duke klikuar Këtu


