Liz Truss e cila është ish-kryeministrja e Britanisë me mandatin më të shkurtër në histori, ka mbetur pa një vend në Parlament pas zgjedhjeve të 4 Korrikut.

Partia Laburiste u rikthye në pushtet pas një fitore historike në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më datë 4 Korrik 2024, e cilësuar nga Politico.eu si një nga fitoret më të mëdha që nga zgjedhja e famshme e Tony Blair në vitin 1997. Kjo sepse laburistët fituan me një shumicë prej 170 vendesh në Dhomën e Komunave.

Në një kohë kur konservatorët britanikë u përballën me një humbje të thellë, u përballën dhe me lajmin se ish-kryeministrja e tyre Liz Truss kishte humbur vendin e saj në parlament.

Shumë analistë kanë arritur deri në atë pikë saqë e kanë cilësuar Trussin si “përgjegjëse” duke cituar se paraqitja e saj e turpshme është shkaku kryesor i këtij rezultati të zgjedhjeve. Kjo duke marrë parasysh se ajo shërbeu si kryeministre për vetëm 45 ditë në vitin 2022, u detyrua të jepte dorëheqjen pasi shkaktoi një shkrirje të tregut me paketën e saj të shkurtimeve të pafinancuara të taksave, pasojat ekonomike të së cilës ndihen edhe sot dhe ndikuan edhe në humbjen e pasardhësit të saj, Rishi Sunak.

Siç shkruan Politico.eu, zona e saj elektorale ishte një nga zonat që më para konsideroheshin si të “sigurta” për konservatorët.

Në një intervistë për BBC ajo foli mbi humbjen, duke thënë se: “Unë mendoj se çështja me të cilën u përballëm si konservatorë është se ne nuk kemi zbatuar mjaftueshëm politikat që njerëzit duan. Dhe kjo nënkupton mbajtjen e taksave të ulëta, por gjithashtu veçanërisht për reduktimin e imigracionit – dhe mendoj se kjo ka qenë një çështje thelbësore.”

Liz Truss duke folur për BBC-në pasi humbi vendin e saj në parlament

Karriera politike e Trussit dhe historia e tradhëtisë që i prishi imazhin

Liz Truss e ka nisur karrierën e saj politike në moshën 25-vjeçare duke kandiduar pa sukses për vendin që përfaqësonte Hemsworth në West Yorkshire të dominuar nga Laburistët.

Në vitin 2005 ajo doli në një tjetër kandidim për Parlamentin, këtë herë për të përfaqësuar Calder Valley, gjithashtu në West Yorkshire. Partia i kishte siguruar asaj një mentor, deputetin Mark Field, i cili përfaqësonte qytetet e Londrës dhe Westminster.

Megjithëse si Truss, ashtu edhe Field ishin të martuar, të dy filluan një lidhje romantike që zgjati rreth 18 muaj dhe rezultoi në prishjen e martesës 12-vjeçare të deputetit.

Ndërsa martesa e Trussit nga ana tjetër i mbijetoi aferës siç shkruan portali enciklopedik Britanicca, por kur kjo aferë doli në dritë nga mediat në vitin 2006, kjo histori e pengoi atë të vazhdonte si kandidate për Partinë Konservatore.

Mark Field në të majtë dhe Liz Truss me bashkëshortin e saj Hugh O’Leary në të djathtë

Trussit iu desh të përgjigjej sërish për aferën, këtë herë në fund të vitit 2009, kur ajo kërkoi të bëhej kandidatja konservatore për zonën kryesisht rurale të Norfolkut Jugperëndimor.

Më pas ajo fitoi lehtësisht në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 dhe hyri në Parlament. Pasi erdhi në detyrë, Truss themeloi Free Enterprise Group, një grup deputetësh konservatorë të orientuar drejt tregut të lirë, të cilët mbrojtën uljen e taksave dhe derregullimin e biznesit dhe punësimit.

Liz Truss u bë deputete në vitin 2010

Truss mbështeti me entuziazëm qëndrimin “të mbetur” për çështjen e Brexit, por, pasi votimi në referendumin kombëtar të 2016 shkoi në anën tjetër, ajo deklaroi se kishte gabuar. Në të njëjtin vit ajo u bë gruaja e parë që shërbeu si kancelare dhe sekretare e shtetit për drejtësinë, pasi u emërua në atë post nga kryeministrja e asokohe Theresa May.

Foto e vitit 2016: Kryeministrja në detyrë Theresa May me sekretaren e saj të re të drejtësisë Liz Truss (majtas) dhe sekretaren e arsimit Justine Greening (djathtas)

Në vitin 2019, Trussi u bë një nga ministrat e parë që mbështeti kandidaturën e Boris Johnson për t’u bërë kreu i ri i partisë dhe kryeministër. Kur u zgjodh kryeministër, Johnson e shpërbleu Trussin duke e emëruar si sekretaren e tij të shtetit për tregtinë ndërkombëtare dhe presidente të Bordit të Tregtisë në gusht 2019. Një muaj më vonë ai i dha të drejtonte dhe ministrinë e Grave dhe Barazisë.

Liz Truss me Boris Johnson

Në shtator 2021, Johnson e ngriti Trussin në postin e Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin. Kështu, ajo u bë gruaja e dytë që e mban atë post. Si sekretare e jashtme, ajo u përpoq të zgjeronte shtrirjen globale të Britanisë, ndërsa ajo po kërkonte të rishikonte rolin e saj në çështjet botërore pas largimit të saj nga BE.

Truss ishte në qendër të përgjigjes së rreptë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, por, edhe pse ajo qëndroi krah për krah me liderët e tjerë evropianë në vendosjen e sanksioneve të paprecedentë kundër Rusisë, ajo mbeti e vendosur në negociatat e saj me ta në lidhje me post- Brexit për çështjet ekonomike.

Liz Truss mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, në javët para pushtimit të Ukrainës.

Gjatë gjithë kohës, Trussi dukej se me vetëdije po e stilizonte veten si ardhja e dytë e Margaret Thatcher, jo vetëm në mbrojtjen e saj të tregut të lirë, mbrojtjes së fortë dhe lirisë, por edhe në mënyrën se si e prezantoi veten ndaj botës.

Në korrik 2022, në garën e saj kokë më kokë me Sunak, Trussi e kritikoi ashpër atë për rritjen e taksave si ministër i Thesarit.

Ajo u zotua të hiqte rritjen e planifikuar të taksës së korporatës nga 19% në 25% dhe tha se shpresonte të bënte ndryshimin më të madh në politikën ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar në 30 vjet.  Kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve më 5 shtator, Trussi kishte marrë 57.4 për qind të votave për t’u bërë kryetare partie. Ajo mori detyrën si kryeministre të nesërmen.

Liz Truss pasi u emërua zyrtarisht nga Mbretëresha Elizabeth II

Rënia e shpejtë dhe largimi nga pushteti

Mandati si kryeministre i Lis Trussi zgjati për vetëm 47 ditë, duke u shënuar dhe si më i shkurtri në histori. Kjo erdhi si pasojë e fushatës së saj të pa suksseshme në një platformë për të ofruar “rritje, rritje, rritje“, që arriti pikërisht të kundërtën.

Paketa e saj e firmosur prej 45 miliardë £ (50.6 miliardë dollarë) për uljen e taksave të pafinancuara, të cilat favorizuan më të pasurit e vendit, ia doli vetëm të rrëzonte paundin, të trembte tregjet dhe të minonte besueshmërinë e Britanisë në mbarë botën.

Në vend që të qetësonte shqetësimet që shumë britanikë kishin për rritjen e inflacionit dhe rritjen e faturave të energjisë, qeveria e Trussit thjesht u dha atyre më shumë për t’u shqetësuar, duke përfshirë rritjen e normave të hipotekave dhe një ekonomi në rrezik.

Siç shkruan portali enciklopedik Britanicca, Trussi pranoi se kishte bërë gabime duke shkuar “shumë larg dhe shumë shpejt” me reformat e saj ekonomike.

Por ndoshta gabimi më i madh që bëri Trussi ishte duke supozuar se rritja ishte prioriteti kryesor i britanikëve, ku në të vërtetë, shqetësimet mbizotëruese janë kriza e kostos së jetesës dhe ekonomia, e ndjekur nga ndryshimet klimatike, Shërbimi Shëndetësor dhe imigracioni.

47 ditë zgjati mandati i Truss si kryeministre, më i shkurtri në histori.

E ardhmja e pasigurt

E ardhmja mbetet e paqartë për Liz Trussin pas humbjes së saj në zgjedhjet e javës së kaluar. Ekipi i saj është kontaktuar në shumë raste për koment nga mediet britanike, por nuk është marrë asnjë përgjigje.

Vetëm një herë ka folur për BBC direkt pasi humbi vendin e saj në Parlament, të cilin e kishte mbajtur që nga viti 2010. Në këtë intervistë ajo pranoi se ishte pjesë e një qeverie konservatore e cila nuk arriti të përmbushte disa nga premtimet e saj.

Sipas saj, qeveria nuk bëri mjaftueshëm për të dëbuar më shumë emigrantë të paligjshëm dhe e cilësoi këtë çështje si një nga arsyet pse konservatorët janë “në këtë situatë që jemi tani”.

Kur u pyet nëse dëshiron të qëndrojë në politikën konservatore, ajo tha: “Kam shumë për të menduar”.

Më pas shtoi: “Kanë qenë disa javë shumë të vështira. Nuk kam fjetur mbrëmë, kështu që më jep pak kohë – por patjetër do të flas me ty përsëri kur të kem mundësi.”

Por, pas këtij prononcimi të fundit, nuk kemi më asnjë deklaratë nga ish-kryeministrja.

Leave a Reply

  • (not be published)