

Rachel Reeves, një ish-ekonomiste e Bankës së Anglisë, do të bëhet kancelarja e parë grua e Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar.
Si shefe financiare e qeverisë, kancelarja është përgjegjëse për përcaktimin e taksave, shpërndarjen e shpenzimeve publike dhe kujdesin për rritjen ekonomike.
Pra, kush është gruaja që do të marrë përsipër këtë përgjegjësi kaq të madhe? Në këtë artikull do të mësoni mbi edukimin e saj, karrierën dhe planet e saj ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar.
Reevesi u emërua pas fitores së Partisë Laburiste në zgjedhjet që u mbajtën më 4 Korrik në Britaninë e Madhe. Sipas gazetës lokale britanike “The Standard” partia e Keir Starmer mori 412 vota nga 650 vendet në Dhomën e Komunave, ndërsa Konservatorët 121 vende. Pas këtij rezultati, kryeministri i ri Starmer zgjodhi Rachel Reeves si kancelare të thesarit, e para grua e zgjedhur në këtë detyrë.

Karriera politike e Rachel Reevesit
Pas diplomimit, ajo mori një rol si ekonomiste në Bankën e Anglisë. Ajo pa me vëmendje përpjekjet e vendit për të dalë nga stanjacioni në vitet 1990.
Por hyrja në politikë nuk qe aq e thjeshtë për të. Pati dy fushata të dështuara në dy zona të cilat tradicionalisht deri atëhere vononin për konservatorët.
Fillimisht Reevesi konkuroi në vitin 2005 për partinë Laburiste në zgjedhjet e përgjithshme në zonën elektorale të Bromley dhe Chislehurst, por dështoi pasi nuk u zgjodh.
Më pas ajo fitoi postin si deputete në vitin 2010 në zonën e Leeds West, duke pasuar nga John Battle.
Pas vitit 2010 ajo u emërua në një sërë pozicionesh të ndryshme duke nisur si Kryesekretare e Thesarit dhe më pas në pozicionin e sekretares së shtetit për Punën dhe Pensionet.
Në vitin 2017 deri në 2020 ajo u emërua si Kryetare e Komitetit të Strategjisë së Biznesit, Energjisë dhe Industrisë. Më vonë ajo u emërua edhe si Kancelare në hije e Dukatit të Lancasterit si dhe Kancelarja në hije e Thesarit, ku u bë përgjegjëse për politikat ekonomike të partisë dhe qasjen ndaj financave publike.
Reevesi është gjithashtu e njohur për qasjen e saj ndaj politikës monetare, duke mbrojtur përgjegjësinë fiskale ndërsa promovonte dhe investimet në shërbimet publike dhe infrastrukturën.
Ajo ka luajtuar një rol të rëndësishëm në modernizimin e qëndrimit ekonomik të Partisë Laburiste, duke theksuar nevojën për një politikë fiskale të fortë dhe të përgjegjshme për të fituar besimin e publikut.
Gjithashtu ajo është e angazhuar dhe për rëndësinë e trajtimit të ndryshimeve klimatike dhe ka mbështetur iniciativa të ndryshme të drejtësisë sociale.
Fëmijëria e Reevesit
Reeves lindi në vitin 1979 në Lewisham, në juglindje të Londrës. Prindërit e saj, Graham dhe Sally Reeves ishin të dy mësues dhe e kanë përshkruar atë si një fëmijë aventurier që mund të shkonte edhe buzë gremine kur dilte për një shëtitje pranë detit.
Së bashku me motrën e saj, ajo u arsimua në një shkollë gjithëpërfshirëse vetëm për vajza në Beckenham, për të cilën ajo u shpreh se “besonte vërtet” në të dhe “më dha gjithçka që më duhej për të vazhduar“.
Në një intervistë për BBC-së, ajo tregoi mbi fëmijërinë e saj dhe u shpreh se “Ne nuk ishim të varfër, por nuk kishim para për të humbur”.
Prindërit e saj u ndanë kur ajo ishte në shkollën fillore dhe ajo dhe motra e saj Ellie, u transferuan në qendra që mund të kujdeseshin për ta.
Gjatë pushimeve të shkollës, motrat kalonin kohë me gjyshërit e tyre në qytetin Northamptonshire. Motra e Reevesit, Ellie Reeves, është e njohur në fushën e politikës, ajo është deputetja laburiste e Lewisham West dhe Penge.

Jeta Personale e Rachel Reevesit
Reevesi është e martuar me Nicholas Joicey, një nëpunës civil i cili ka punuar në pozicione të larta në Thesar dhe Departamentin për Punë dhe Pensione. Ai ka qenë dhe gazetar dhe gjithashtu ka punuar si shkrimtar fjalimesh për Gordon Brown kur ishte kancelar. Bashkë ata kanë dy fëmijë.
Kancelarja e thesarit është gjithashtu dhe autore librash, e cila ka shkruar mbi historinë ekonomike dhe sociale, duke përfshirë dhe një biografi të Alice Bacon si deputetja e parë femër në Leeds.
Ajo ka një interes të madh për historinë dhe njihet si adhuruese e çiklizmit dhe vrapimit.
Reevesi ka dhe një pasion për lojën e shahut, madje në kohën kur ajo ishte në shkollën e mesme, ishte një kampione kombëtare, pasion të cilin e ka të trashëguar nga babai i saj. Ajo është gjithashtu një lojtare shumë e zonja e flautit.

Akuzat për plagjiaturë ndaj Rachel Reeves
Vitin e kaluar Rachel Reevesi publikoi librin “The Women Who Made Modern Economics”, një udhëzues prej 288 faqesh për ekonomistet femra “të anashkaluara” gjatë shekujve të fundit.
Pas këtij botimi ajo u përball me kritika pasi verifikimet nga “Financial Times” gjetën më shumë se 20 seksione në librin e zonjës Reeves që identifikonin tekste nga diku tjetër pa cituar burimet origjinale. Madje dhe nga Wikipedia.
E pyetur pas kësaj akuze ajo u përgjigj për një intervistë me BBC, duke thënë se madje ishte krenare për plagjiaturën që ka bërë: “Ajo që doja të bëja ishte të bashkoja historitë e këtyre grave dhe nëse jam fajtore që kam kopjuar dhe ngjitur disa fakte për disa gra të mahnitshme dhe duke i kthyer ato në një libër që lexohet, atëherë jam vërtet krenare për këtë.”
Megjithatë shtoi se në botimet e ardhshme do tregohej më e kujdesshme që t’i referonte burimet në mënyrë korrekte në bibliografi.



