
Një incident është regjistruar mëngjesin e kësaj të enjteje në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku rreth 40 studentë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit. Studentët kanë shfaqur shqetësime shëndetësore menjëherë pas vaktit të drekës, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, studentët kanë pasur simptoma të forta dhe janë paraqitur në shërbimin infektiv, ku një pjesë janë trajtuar dhe larguar, ndërsa disa të tjerë janë mbajtur nën kujdesin e mjekëve. Dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar në mensën e Akademisë së Sigurisë.
Mësohet se institucioni ka një kontratë me një kompani private kateringu, e cila ofron tre vaktet ditore për studentët. Pas ngjarjes, autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e helmimit, ndërsa specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike.
Deri në përfundimin e analizave, mbetet ende e paqartë se cili produkt ushqimor ka shkaktuar helmimin masiv të studentëve.


