
Tre muaj protesta përballë zyrës së tij për “Shqipërinë që duam”, por Rama ofron për qytetarët “Pasqyrën”, ku të reflektohen hallet e tyre, sikur të mos mjaftonte xhami i dritares së tij.
Sa herë revolta troket në dyert e Kryeministrisë, Edi Rama krijon platforma digjitale, duke i ofruar qytetarëve opsione virtuale, për zgjidhjen e problematikave që iu vështirësojnë realitetin e përditshëm.
Në mbledhjen e fundit të zhvilluar më 23 gusht në Pogradec me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe, Rama prezantoi platformën “Pasqyrë Albania”, e ndarë në dy kategori, ku sërish ideatori luan me simbolikën, duke i emërtuar: “Flamingo Mirror”, ku qytetarët kanë mundësi të shkruajnë ankesat dhe shqetësimet e tyre. Më pas zgjidhja vjen nga “Radar”, i cili do të mbledhë problematikat e raportuara dhe do të mundësojë gjurmin e tyre. Sipas Ramës, shqetësimet duhet të verifikohen në 48 orë dhe të marrin zgjidhje brenda dy javëve.
Krijimi i kësaj platforme digjitale nuk është risi, në vitin 2017 Edi Rama prezantoi “Shqipëria që duam”, të cilën e konsideroi një platformë të hapur komunikimi dhe ndërveprimi me qytetarët, që do të shërbente për t’i dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar reforma e masa të rëndësishme, por mbi të gjitha për të luftuar korrupsionin.

Për analistin Gentian Gaba, Edi Rama është bërë karikatura e vetvetes, ku përballë çdo krize, riciklon të njëjtat përgjigje të dështuara. Sipas Gabës, kriza e besimit nuk zgjidhet me artifica propagandistike. Refuzimi për t’u parë në pasqyrën e degradimit të qeverisjes së tij, të gërryer nga korrupsioni dhe klientelizmi, e bën qesharak rikthimin te këto lojëra të lodhura e të konsumuara, duke reflektuar një pushtet që nuk ka më çfarë t’i japë Shqipërisë, por vetëm dëme të tjera për t’i shtuar.
“Edi Rama është bërë karikatura e vetvetes. Përballë çdo krize, riciklon të njëjtat përgjigje të dështuara. Platformën online të paraqitur si zgjidhje që në vitin 2017, sot e risjell si ofertë të re me emrin “Pasqyra Albania”, përballë krizës politike që e ka mbërthyer. Por kriza e besimit nuk zgjidhet me artifica propagandistike. Refuzimi për t’u parë në pasqyrën e degradimit të qeverisjes së tij, të gërryer nga korrupsioni dhe klientelizmi, e bën qesharak rikthimin te këto lojëra të lodhura e të konsumuara, duke reflektuar një pushtet që nuk ka më çfarë t’i japë Shqipërisë, por vetëm dëme të tjera për t’i shtuar”, shkruan Gaba.
Përtej platformave të ankesave, Rama ka në kabinetin e tij qeveritar edhe një ministre virtuale si Diella, e cila fillimisht shërbeu si asistente në platformën E-Albania, ndërsa sot dialogon me kryeministrin për arritjet e ministrave.


