
Një tjetër ditë tensionesh e përplasjesh në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë të enjte deputetët e opozitës e nisën me një aksion të mirëmenduar, pas përjashtimit të shumicës prej tyre nga Kuvendi. Ata shkuan herët për të hyrë në seancë, por për shkak se ishin të përjashtuar janë përballur me punonjësit e Gardës, të cilët i kanë ndaluar të futen brenda.
Duke qenë se vetë nuk futeshin dot, deputetët e PD-së u përpoqën të ndalojnë dhe kolegët e Partisë Socialiste. Moment që shkaktoi tensione dhe përplasje deri në fizike mes palëve. Pavarësisht tensioneve, djegies së disa manekineve jashtë nga PD-ja dhe disa përplasje të tjera, 71 deputetë arritën të futeshin në sallën e seancave plenare, ku u mbajt një seancë 27 minutëshe ku miratuan një marrëveshje me Gjermaninë për përballimin e ndryshimeve klimatike. Më poshtë do të rendisim momentet kyçe.

Garda ndalon opozitën të futet brenda – Tensione dhe përplasje
Forcat e gardës nuk kanë lejuar të futen në sallën e parlamentit deputetët e PD-së të cilët vetëm një ditë më parë u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës, për ngjarjet që patën ndodhur në seancën e fundit. Opozitarët ishin paraqitur 75 minuta më herët pikërisht për t’u futur, ndonëse e dinin se nuk do të lejoheshin. Në momentet në video të qarkulluara në medaia, Gazment Bardhi dëgjohet duke u thënë punonjësve të Gardës: “Hape pak rrugën, çfarë ka ndodhur?!”
Më pas demokratët janë vendosur në të gjitha pikat e hyrjeve në parlament për të mos lejuar futjen e kolegëve të Partisë Socialiste. Bardhi ka patur dhe një përplasje me Niko Peleshin të cilit i tha: “Keni tre kukulla në Komisionin e Etikës dhe përjashtoni opozitën.” Ndërkohë deputeti Flamur Noka ka qenë personazhi kryesor i përplasjes, ku në një moment u acarua me ardhjen e gardistëve të tjerë nga pjesa prapa të cilët shoqëronin ministrin e Financave Petrit Malajn, e në një moment tjetër pati dhe një përplasje tjetër me deputetin Frrok Gjini. Ky i fundit iu drejtua Nokës me fjalët: “Ore s’më prek kush më dorë mua. Nuk ka bir k*rve që më ndalon të hyj në Parlament”. Noka pati një përplasje dhe me Paulin Ndreun.

Noka është njëri nga deputetët e përjashtuar me 60 ditë nga Kuvendi pas seancës së kaluar ku gjuajtën me shishe e sende të tjera ndaj kryetares së Parlamentit Elisa Spiropalit dhe dogjën karriget e Kuvendit (lexo këtu). 24 deputetët e përjashtuar të PD-së: 60 ditë të përjashtuar: Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati; 40 ditë të përjashtuar: Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho dhe Dashnor Sula. 10 ditë i përjashtuar: Edi Paloka.
Një moment diskutimi ka qenë dhe hyrja e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit, makina e së cilës u rrethua nga Garda. Noka dhe Bardhi u afruan tek makina e Spiropalit menjëherë duke bërë thirrje të mos hapet dera dhe të mos daë kryeparlamentarja. Por më pas kuptuan se ajo nuk ishte brenda.
“Zonja 5 milion euro. Nuk është në makinë. Makina është bosh, ka hyrë nga dera e banjës. Nuk përfaqësojmë popullin.”- është shprehur Noka pastaj. Kjo ishte një mënyrë e Spiropalit për të shmangur përplasjen me deputetët e opozitës dhe sërish të futej brenda nga një hyrje tjetër. Ndërsa ndodhnin këto, deputetët e tjerë të grupimit të demokratëve Euroatlantikë të opozitës si Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka dhe Merita Bakiu kanë mbetur jashtë poshtë shkallëve të hyrjes së Parlamentit pa u futur dot.
Opozita djeg manekinë jashtë Kuvendit
Pas tensioneve dhe përplasjeve me Gardën dhe deputetët e Partisë Socialiste, demokratët kanë nxjerrë diaa manekinë përpara Kuvendit, të cilëve iu kishin vënë fytyrën e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Geron Xhafaj. Ishin Flamur Noka dhe Bledjan Nallbati ata të cilët i kanë lyer me benzinë dhe më pas u kanë vënë flakën.

Nisja e seancës, si reagoi Spiropali
Në nisje të seancës, deputeti Frrok Gjini i kërkoi kryeparlamentares Spiropali që të lejohet futja në sallë e deputetëve që nuk ishin të përjashtuar, por kishin mbetur jashtë. “Deputetë jo të dënuar është mirë tu krijohet mundësia të jenë prezentë në sallë. Të marrin pjesë në debat në Kuvend.”- tha Gjini. Spiropali ra dakord ndërsa shtoi se “Ata që i pengojnë po bëjnë një akt të rëndë ndaj tyre dhe Gardës. Ata përballen me fyerje, janë vëllezër prindër bij të dikujt e nuk meritojnë të trajtohen në atë mënyrë.”
Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj shprehu mirënjohjen për punonjësit e Gardës së Republikës të cilët zbatuan urdhrin e sekretariatit të etikës që përjashtoi deputetët e PD-së. “Padiskutim që deputetët që nuk janë dënuar, duhet të jenë në sallë dhe ata që i pengojnë bëjnë një akt shumë të rëndë, jo vetëm ndaj tyre, por dhe ndaj Gardës së Republikës për të cilën kërkoj të gjithë mirënjohjen tonë dhe të publikut, që bënë një detyrë shumë të vështirë dhe përballet me shumë sulme, me shumë fyerje të pamerituara . Të gjithë ata janë baballarë, të gjithë ata janë vëllezër, janë bij dhe nuk meritojnë të trajtohen në atë formë.”- tha Spiropali.

Gazment Bardhi: Radhën e ka kryeministria
Pasi mbaruan incidentet e sotme, Gazment Bardhi u pyet nga gazetarët se si do vijojë aksioni i opozitës. Por ai u përgjigj se do vijojë si t’ju teket dhe paralamëroi se pas Kuvendit, radhën e ka Kryeministria.
“Si të na teket. Do të veprojmë në raport me këtë godinë me kryeministrinë dhe çdo godinë tjetër ku strehohet krimi dhe qëllohet ndaj atyre që luftojnë krimin. Ska patur asnjëherë marrëveshje me Edi Ramën. Kemi detyruar të na njoh të drejtat që ka opozita në kuadër të aksionit, u detyrua për shkak të aksionit. Dënimet janë shfuqizuar nga Gjykata. Nuk janë vendosur flakë Kuvendit. Karriget janë mjet pune, ka dhe detyrim ta dëmshpërblejë. Nuk është e Edi Ramës dhe as e Elisa Spiropalit.”- tha Bardhi.
Çfarë u vendos sot në Kuvend?
Pavarësisht tentativave nga opozita, mbledhja e sotme u zhvillua dhe zgjati plot 27 minuta. Në këtë mbledhje ku morën pjesë 72 deputetë, u miratua një marrëveshje me Gjermaninë për përballimin e ndryshimeve klimatike. Por dështoi zgjedhje e 2 anëtarëve nga Shoqëria Civile për KLGJ dhe KLP. Pas tensioneve në dy seancat e fundit në Kuvend, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka shkuar në Presidencë ku u takua me presidentin Bajram Begajn, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet e fundit.









