Nga Klodian Tomorri

Vendosja e tarifave publike në monedha të tjera nga leku është e paligjshme. Qartësisht e paligjshme.

Tarifat e kalimit në autostrada janë tarifa publike sepse vendosen mbi një shërbim që buron nga një e drejtë ekskluzive publike. Ato nuk mund të jenë në monedhë tjetër, përveçse lekut.

Këta e nisën këtë histori me rrugën e Kombit dhe pastaj e vazhduan me të gjitha të tjerat. Thumanë-Kashar, më vonë do jenë segmentet e tjera, Kashar-Rrogozhinë, Lekaj-Fier dhe Verra e Llogarasë. Të gjitha këto do t’i kenë tarifat në euro.

Ligji për Bankën e Shqipërisë, neni 33 thotë shprehimisht: Njësia Monetare në Republikën e Shqipërisë është lek-u.” Ose rrëzoni tarifat në euro ose rrëzoni ligjin e Bankës së Shqipërisë.

Nuk mundet që ministria e Infrastrukturës të dalë me njoftim dhe të thotë pa pikë turpi se tarifa tek tuneli i Llogarasë do të jetë 5 euro, ose tarifa në Thumanë Kashar do të jetë 2.1 euro.

Kjo praktikë duhet të marrë fund. Sepse pastaj ndodh ajo historia, që nuk merret vesh se me çfarë kursi këmbehet euro me lekun.

Nga njëra anë Banka e Shqipërisë thotë po bëj deeuroizim të ekonomisë, nga ana tjetër këta vendosin tarifa publike në euro. Shkoni provoni një herë të paguani kafe në euro në Kroaci, kur t’ju mbajnë peng derisa të gjeni zyrë këmbimi dhe të paguani në monedhën zyrtare.

Banka e Shqipërisë nuk duhet të heshtë dhe të fusë kokën si struci, por duhet të ngrejë zërin përballë kësaj çmendurie. Madje kjo duhet penguar edhe me gjykatë.

Së dyti, marifeti i përshtirë i tarifave që shpallen pa tvsh duhet të marrë po ashtu fund. Qytetarëve u duhet thënë se çfarë çmimi do të paguajnë, që në shpalljen e tenderit, jo të mashtrohen me marifete xhambazesh. Se thuhet 2.1 euro me të madhe dhe pastaj del që është 270 lekë.

Qeveria nuk mund të sillet si tregtar matrapaz me qytetarët e saj. Këta e thonë enkas ashtu që të duket si pak, a thua se nuk e shohin njerëzit kur shkojnë dhe paguajnë.

Me këtë llogjikë i bie që kur qytetarët të shkojnë të blejnë bukë në dyqan t’u thuhet kushton 80 lekë pa tvsh. Ose ose, 20 lekë pa tvsh, pa tatim fitimi, pa krah pune dhe pa kosto energjie. Se kjo nuk ka më fund pastaj.

Çfarë është kjo? Qeveri që sillet si spekulant.

Leave a Reply

  • (not be published)