
“Ajo që më shqetëson është se qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për Zonat e Mbrojtura pa asnjë lloj konsultimi publik”, këngëtarja Dua Lipa përkrah protestat. Ajo shpreh pakënaqësinë për vendimin e qeverisë. Në podkastin e saj ku të ftuar kishte studiuesen Lea Ypi, Lipa tha: “Unë e shoh shumë frymëzuese se sa shumë njerëz kujdesen vërtet”. Duke komentuar 45 ditë protesta ajo tha: “Duhet të them se më frymëzon jashtëzakonisht shumë fakti që njerëzit kujdesen aq shumë sa dalin në rrugë ditë pas dite. Shkaku ishte vendimi i qeverisë për të hapur një pjesë të një rezervati të bukur natyror për ndërtimin e një kompleksi luksoz buzë detit. Natyrisht, kjo histori mori jehonë ndërkombëtare sepse kompania investitore është pjesërisht në pronësi të Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Por ajo që më shqetëson më shumë është vetë parimi. Qeveria ndryshoi ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë konsultim publik”, tha Lipa.
Kudo ku jetojnë shqiptarë ka patur protesta që i nxitën më shumë tensionet në Zvërnec. Banorët e aktivistët u përplasën pasi njëri prej tyre u tërhoq zvarrë nga rojet e kompanisë së planifikon të ndërtojë kompleksin turistik aty. Ndërtimet rrezikojnë mjedisin në zonë që më herët është shpallur e Mbrojtur. Speciet mes tyre flamingot rrezikohen të largohen. Për këtë këngëtarja Dua Lipa u shpreh në mbështetje të protestuesve duke thënë: “Më pëlqen shumë edhe emri “Revolucioni i Flamingove”. Mendoj se ka diçka shumë të bukur dhe simbolike në të”.
Studiuesja Lea Ypi mori në analizë zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ajo përkrahu daljen e të rinjve duke u shprehur se: “Një brez të rinjsh që dilnin në rrugë me një ide tjetër për demokracinë. Me një mënyrë tjetër për të bërë politikë. Me bindjen se qeveria duhet të bëhet përgjegjëse. Se duhet të ketë transparencë. Se vendimet duhet të merren në interes të qytetarëve dhe jo të elitave”. Protesta për Ypin u ndihmua nga fakti se nuk u kap nga opozita, pasi sipas saj politika shqiptare gjatë dekadave të fundit është reduktuar në përplasjen mes qeverisë dhe opozitës. “Ajo që më pëlqeu në fillim ishte se protestuesit thoshin qartë: “Jemi kundër mënyrës së vjetër të të bërit politikë, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.” Kjo dukej edhe në mënyrën se si protestonin”, sqaron ajo.
Në podkastin “Service95 Book Club”, Dua Lipa e Lea Ypi folën për liritë e munguara në Shqipërinë komuniste të viteve ’80-të dhe ndryshimin e mentaliteteve pas përmbysjes së sistemit diktatorial. Në bisedë u sollën episode nga libri i Ypit “Free” ku zbërthehet vetëdija e lirisë e jetuar nga një fëmijë e më pas si një grua që reflekton me sarkazëm e ironi mbi të shkuarën.


