
Nuk kemi parë ndonjë vënie shpatullash të tilla siç Dua Lipa bëri dje. Shpatulla përballë denigrimesh e ofendimesh ndaj shqiptarëve të të njëjtit gjak me të, në vendin që e zhvilloi e i dha famën artistes.
Nuk e kemi parë fjala vjen as nga shkrimtari Ismail Kadare, një të tillë qëndrim e shërim egoje të lënduar, atëherë kur opinioni publik e ka pritur më shumë se kurrë.
Por çfarë ka ndodhur dje? Çfarë gjëje të jashtëzakonshme ka bërë artistja me famë botërore që kurrë nuk e ka mohuar se ka qenë shqiptare, madje gjithnjë e ka shprehur sa herë ka ardhur në Tiranë kur ka qenë nevoja?
Konteksti
Koncerti i Dua Lipës me rastin e 110-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar dhe dhënia e nënshtetësisë shqiptare për të nga presidenti Bajram Begaj nuk erdhën në një kontekst neutral ngjarjesh.
Ditë më parë, një presion i organizuar nga qeveria dhe media britanike kundrejt emigrimit të paligjshëm të të rinjve shqiptare dhe qeverisë shqiptare shpërtheu fuqishëm.

Diskursi i politikanëve dhe medieve britanike pati në vëmendje një “kontigjent kriminal shqiptarësh”, që sipas tyre futeshin në Britaninë e Madhe në mënyrë klandestine.
Deklaratat e ministres së Brendshme britanike Suella Braverman u shoqëruan me një tubim shqiptarësh në Londër, teksa pankartat që ata mbanin thumbonin me tekse të tipit: “Ditën zdrukthtar, natën punoj në Shtëpi Bari” (Lexo këtu për më shumë).
Politika
Tentativa e Ramës për t’u mbyllur gojën britanikëve duke u përballur mediatikisht me diskursin e ngritur nuk rezultoi edhe aq efektive, përveçse nxori publikisht një kryeministër në përpëlitje për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, teksa realiteti i të rinjve në Shqipëri, zhvillimi ekonomik apo prosperiteti është në nivele ulëritëse (Lexo këtu për më shumë ). Pa ndonjë ndikim, te shqiptarët brenda atdheut dhe atyre jashtë tij qe edhe një tentativë e pedagoges Lea Ypi në median britanike për të “mbrojtur shqiptarët”, që në fakt më shumë i ngjante një “Apologjie të Ramës” (Lexo më shumë këtu).

“Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetin tonë”, u tha ministrja britanike deputetëve britanikë. Shumica e emigrantëve shqiptarë, sipas autoriteteve britanike janë meshkuj që nisen nga Tirana ose Prishtina për të shkuar në Francë, nga ku nisen me gomone nga Kanali i La Manshit dhe më pas zbarkojnë në Durkin.
Por politika është politikë. Realiteti ama nuk përkon gjithnjë me retorikën politike.
Është e vërtetë se mijëra djem të rinj, kryesisht nga veriu i Shqipërisë, ku zona të tëra si ajo e Hasit, Kukësit, Tropojës etj. janë braktisur nga të rinjtë, i janë mësyrë Britanisë së Madhe, por po aq sa është e vërtetë që britanikët kanë vite që e njohin mirë këtë realitet dhe nuk e mësuan sot.
Ashtu siç është e vërtetë që një pjesë prej tyre mund të kenë nisur aktivitete kriminale në të ashtuquajturat “shtëpi bari” a tjetërkund, ashtu është e vërtetë që një pjesë prej tyre bëjnë punë të ndershme.
Më mirë një Dua se sa një tortë

Dua Lipa kuroi egon e lënduar të atdheut. Të shqiptarëve brenda shteteve të tyre, të shqiptarëve në Britaninë e Madhe që prej vitesh u janë nënshtruar ligjeve e rregullave britanike.
Dua na shkëputi nga helmimi me vendime të gabuara e të padrejta prej 1 dekade të një qeverie që e përdori edhe dje artisten për propagandë, mjafton të ndjekësh edhe jehonën që nënshtetësia dhe koncerti i saj bëri te BBC-ja apo CNN-i, sepse arti i saj është më i madh dhe nuk mundet të futet në strofulla partiçkash a individësh.
Dua kuroi shpirtin e lënduar të një populli të vjetër, të cilit rinia i është zhdukur nga sytë këmbët, duke na vënë në vend dinjitetin përballë kujtdo që guxon të bëjë gabimin e përgjithësimit me bazë origjine.
Dua na bëri të ndjehemi krenarë, edhe për vetëm pak orë.
Dua kaq mund të bëjë. Një artiste e përmasave të tilla edhe po të dojë nuk mund të bëjë më shumë.
Por kaq nuk mjafton.
Një ditë duhet të përballemi me zgjedhjet tona.
