
Fëmijët në Shqipëri po bullizohen online. 32% e incidenteve të raportuara online nga 620 raste në total në platformën Isigurt.al vetëm gjatë vitit 2025, lidhen me bullizmin duke dëshmuar për përhapje të këtij fenomeni. Psikologia Borjana Dine argumenton se bullizmi synohet të ekspozohet më shumë në rrjete sociale, pasi kjo e bën më të lehtë denigrimin e një individi në publik. “Mjedisi online ofron një audiencë shumë më të gjerë. Kjo e bën më të lehtë denigrimin e një individi në publik. Në këtë mënyrë, bullizmi nuk mbetet vetëm brenda një mjedisi të vogël fizik, por përkthehet në një impakt më të madh social, ku përfshirja e të tjerëve e përforcon dhe e zgjat atë”, sqaron Dine. Ajo thotë se online përfitohet edhe nga anonimati që ofron interneti apo edhe me krijimi i profileve të rreme me emrin e targetuar ndaj viktimës.

Borjana Dine, psikologe
Nadia Elbasani, pedagoge e Sigurisë Kibernetike thekson një problematikë që sipas saj mund të mos kishte lejuar këtë formë të përdorimit të bullizmit sot. “Duhet të ishte diskutuar që në fillime se ku qëndron problemi i algoritmit, sepse gjithçka ka të bëjë me algoritmin. Nuk është çështja te rrjetet sociale, çështja është te pompimi që algoritmi i jep një diskutimi të caktuar që mund të jetë edhe bullizmi ndaj fëmijëve”, thotë ajo. Elbasani ndalet te veprimi që algoritmi ka. “Pompon mundësinë që hate speech (gjuha e urrejtjes) ka, pra që gjuha e urrejtjes të marrë më shumë vëmendje. Duke patur një kontradiktë, duke nxitur debate, duke u bërë trend, algoritmi ka si tendencë të vejë më shumë në dukje një element që mund të jetë edhe elementi i bullizmit”, analizon ekspertja.

Nadia Elbasani, pedagoge e Sigurisë Kibernetike
Se çfarë pasojash ka bullizmi online te të miturit, në krahasim me format e tjera, për Milena Turtulli Bregun, psikologe klinike, aty ka një diferencë rrënjësore si në kohë, po edhe në hapësirë. “Bullizmi online nuk ndërpritet dhe kjo shpie në një goditje të vazhdueshme pa rrugëdalje për fëmijën apo adoleshentin”. Sipas saj gjurma digjitale e krijuar nga fotot, komentet apo bisedat është e vështirë të anashkalohet nga një fëmijë. Ajo ngre shqetësimin e krijimit të ankthit që shndërrohet në traumë. “Grupi ku kryhet bullizmi online mund të ketë shumë anëtarë gjë që e bën bullizmin edhe më denigrues për viktimën, duke shkaktuar ankth që shndërrohet në traumë. Impakti në shëndetin mendor është shumë i fuqishëm fatkeqësisht”, shprehet psikologia.
“UNICEF-i” e klasifikon bullizmin virtual si më të rrezikshëm se ai tradicional pasi agresori mund të sulmojë vazhdimisht dhe ka mundësi të fshihet. Psikologia Borjana Dine thotë se: “Përveç dëmit të drejtpërdrejtë psikologjik, viktima përjeton edhe një presion social të shtuar si p.sh. ndjesinë se po gjykohet nga të gjithë”. Ajo parashtron edhe ulje të performancën në mësime, vetëdëmtime apo edhe mendime suicidale. “Dëmtohet ndjeshëm vetëbesimi dhe aftësia për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme sociale aktualisht edhe në të ardhmen”, shton Dine.

Milena Turtulli Bregu, psikologe klinike
“Stopbullying” një website i menaxhuar nga qeveria amerikane e përcakton bullizmin online si “Një formë bullizmi që ndodh përmes pajisjeve digjitale si telefonat celularë, kompjuterët dhe tabletët. Bullizmi online mund të ndodhë përmes SMS-ve, mesazheve tekst dhe aplikacioneve, ose në internet në rrjetet sociale, forume apo lojëra ku njerëzit mund të shohin, të marrin pjesë ose të shpërndajnë përmbajtje. Bullizmi online përfshin dërgimin, publikimin ose shpërndarjen e përmbajtjeve negative, të dëmshme, të rreme apo fyese për dikë tjetër. Ai mund të përfshijë edhe shpërndarjen e informacioneve personale ose private për dikë, duke shkaktuar siklet apo poshtërim. Në disa raste, bullizmi online kalon kufirin dhe bëhet sjellje e paligjshme ose kriminale”.
Pse bullizmi përhapet kaq shpejt online? Tomi Kallanxhi, ekspert i teknologjisë së Informacionit, thotë se tashmë është e thjeshtë të hapësh një llogari false në rrjete sociale pasi mjafton vetëm një email, i ndihmuar edhe nga Inteligjenca Artificiale krijohen emra false, foto e video. “Më parë ishte e vështirë që ti të krijoje një personazh, do të duheshin aftësi photoshop-i, video etj me radhë, kurse tani me Inteligjencën Artificiale është shumë kollaj dhe njerëzit i përdorin këto për të sulmuar individë të caktuar”, tha Kallanxhi duke përmendur edhe shantazhet si forma të bullizmit.

Tomi Kallanxhi, Ekspert i Teknologjisë së Informacionit
Mbajtja në kontroll të plotë të bullizmit online ndaj fëmijëve është gati e pamundur, sipas ekspertit, edhe pse vijojnë të bëhen përpjekje nga BE-ja përmes projektligjeve të ndryshme që priten të aprovohen, të tentohet të deskriptohen mesazhe, Inteligjenca Artificiale e vështirëson duke gjeneruar “false positive” (një pozitiv të rremë).
E vetmja mënyrë sipas Kallanxhiut është kontrolli prindëror. “Prindërit kontrollojnë fëmijën në rrjete sociale përmes opsionit “Parental control” ku në Tik Tok është “Family sharing” dhe kontrollon çfarë shikon fëmija, kë bën follow, çfarë komenton, vendos fjalët që ai që ai duhet të përdorë ose jo në platformë dhe pastaj monitoron kohën se sa duhet të rrijë. Aplikacioni fiket kur personi kalon një minutazh të caktuar”, thotë ai.
A është krim bullizmi online?
Avokati Henri Bici sqaron nëse një bullizues mund të ndiqet penalisht edhe pse bullizmi nuk është e parashikuar si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. “Format e ndryshme të bullizimit online mund të lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me veprime të tjera në funksion të konsumit të veprave të tjera penale, siç mund të jenë kanosja, fyerja, shpifja, përndjekja, apo raste më të rënda si shtyrja e të miturit drejt kryerjes së një krimi apo shkaktimi i vetëvrasjes”, thotë ai.
Bici garanton se kuadri ligjor është i plotë dhe i mbron fëmijët. “Shqipëria është nënshkruese dhe ka ratifikuar “Konventën për të drejtat e fëmijës”. Pra, parë në këtë këndvështrim, me miratimin e këtyre ligjeve, është vendosur baza dhe janë hedhur themelet në mënyrë që të miturit të trajtohen në mënyrë specifike, duke iu respektuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat dhe liritë ekstra që ata gëzojnë si të mitur, qofshin këta subjekte apo viktima të veprës penale”. Një zgjidhje për rastet e bullizmit të fëmijëve online, sipas tij është kontakti me njësitë e qeverisjes vendore ku janë ngritur njësitë për mbrojtjen e fëmijëve. “Duhet të sinjalizohen të parat për raste të ndryshme kur të përfshirë janë të mitur, në mënyrë që të marrin masat përkatëse, duke asistuar të miturit në kontakt me ligjin”, shton Bici duke sqaruar se avokati bën verifikimin nëse janë konsumuar elemente të veprave penale të ndryshme, për të bërë të mundur që përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore që vijnë nga veprimet e kundërligjshme.

Henri Bici, avokat
Gjurmimi dhe denoncimi në polici, si zgjidhje
Për t’i shkuar çështjes deri në fund, kjo është detyrë e Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së krimit Kibernetik. Ekspertja Nadia Elbasani thotë se: “Një person që nuk ka dijeni nga aspekti teknologjik, e ka të pamundur që ta gjurmojë me prova digjitale një profil i cili mund të jetë fals, një profil që shpreh gjuhë urrejtje, krijon ofendime për një grupim të caktuar, po qoftë edhe për një individ e të tjera me radhë. Detyra është e organeve shtetërore”, thotë ajo duke udhëzuar edhe për veprimet që duhet të ndiqen si zgjidhja më e mirë për të frenuar bullizmin online: “Duhet të ketë në radhë të parë një denoncim nga personi i dëmtuar e më pas organet shtetërore duhet të shkojnë deri në fund të gjejnë përmes IP-ve e të tjera me radhë që është detyrë e tyre se kush është personi pas një rrjeti social që mund të jetë një profil real ose një profil fals”. Ajo thekson nevojën e komunikimit prind-fëmijë duke u shprehur se: “Të fajësosh teknologjinë është teza më e lehtë e mundshme, të kërkosh mbylljen e rrjeteve për të mitur edhe kjo është kthyer në një diskutim të hapur në BE, kemi disa zgjidhje që janë duke u diskutuar aktualisht, por në vetvete, nëse doni që problemin ta shikoni në thelbin e vet, është marrëdhënia prind-fëmijë”.
Adresimin në dyert e policisë, Elbasani e sheh në një aspekt tjetër. Ajo shprehet: “Kemi disa problematika: Mospasja e historive të suksesshme në gjurmimin e profileve të tilla, mosshkuarja deri në fund të gjetjes së autorit, ka krijuar stigmën se duke u bullizuar online duhet ta zgjidhim individualisht. Pra mosfunksionimi i plotë i drejtorisë përkatëse në Policinë e Shtetit mund të bëjë që prindi të mos e çojë deri në fund një denoncim apo të mos e çojë nëpërmend që në fakt ka një drejtori në Policinë e Shtetit që merret me problematika të tilla”, vijon Elbasani.
Lexo edhe: https://gogo.al/nje-zgjidhje-e-thjeshte-per-bullizmin/
Një zgjidhje tjetër e mundshme është edhe raportimi i përmbajtjeve në platforma të ndryshme. Për ekspertin Tomi Kallanxhi kjo është disi e vështirë për gjuhën shqipe pasi Inteligjenca Artificiale nuk e identifikon, por vetëm You Tube që njeh gjuhën shqipe dhe mund të fshijë video të ndryshme. “Në shumicën e rastve edhe fshihet”, shton ai. Edhe Kallanxhi e drejton fokusin te prindi apo personat kujdestarë: “Të monitorojnë mjetet e komunikimit edhe lojën Roblox, gen Alfa e përdorin shumë”, thotë ai, duke shtuar se edhe pse shumë shtete duan të ndalojnë me ligj përdorimin e rrjeteve për të mitur nën 15 vjeç, “Duken si ligje që bëhen që shteti të lajë duart, por duhet të jetë familja që të monitorojë”.
Nga ana ligjore pengesat kryesore që hasen sipas avokatit Henri Bici lidhen me faktin që duhet vërtetuar se me anë të sjelljes bullizuese janë konsumuar elementet e veprave penale. “Vështirësia tjetër kryesore është fakti që të vërtetosh lidhjen e profilit apo adresës online me personin konkret që ka kryer bullizmin, pasi pasojat ligjore mund t’i atribuohen vetëm një personi konkret. Mund të përmenden adresat online dhe profilet fake, që në pamje të parë nuk paraqesin asnjë të dhënë personale që të mund të identifikohet në mënyrë direkte përdoruesi.”-thotë ai.
Lidhur me provat e mundshme që duhen paraqitur për të vërtetuar një rast të tillë Bici përmend fotot (screenshot) të komenteve dhe shprehjeve bullizuese, linqet online dhe çdo gjurmë që personi mund të lërë në rrjete sociale apo aplikacione online. Ai veçon rolin e autoriteteve që duhet te merren më pas me verifikimin e IP-së, që zbulon adresën fizike nga ku është kryer komenti apo shprehja bullizuese online. Më pas këto i vlejnë fazës së hetimit.
Mungesa e empatisë dhe komunikimit ushqen bullizmin online. Edukimi i të miturve me normat e sjelljes në rrjetet sociale për ekspertin Tomi Kallanxhi fillon në kurrikulat shkollore. Ai i referohet rastit të rëndë ku për shkak të një situate bullizmi online konflikti u kthye në fizik dhe i kushtoi jetën 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan S. Noli” ku ai mësonte e më pas u shoqërua me vendimin e qeverisë për mbylljen e Tik Tok-ut. “Nuk i japim dot drejtim situatës, dhe po tentojmë ta mbyllim dhe u kthye, siç u kthye në bumerang, nga 30 000 shkarkime që ishte Tik Tok-u në 2024, në 2025 shkoi 100 000 shkarkime në muaj”, tha ai.
“Duhet të fillojmë me edukimin që nga mosha 10-13 vjeç. Si të menaxhojnë mediat e tyre sociale, çfarë është privatësia e tyre, si të menaxhojnë kontentin, çfarë fotosh duhet të ndajmë e çfarë fotosh nuk duhet të ndajmë, foto personale asnjëherë, sado shok apo shoqe ta kemi dikë, foto personale, në momente sado familjare, intime, asnjëherë nuk duhen ndarë, sado të kemi besim te dikush, asnjëherë këto foto nuk duhen ndarë, të kuptojmë se çfarë është privatësia, të mos ndajmë vendndodhje”, -thekson Kallanxhi duke shtuar se: “Pasi të kemi edukuar shoqërinë, për privatësinë dhe të dhënat personale dhe të ketë kuptuar shoqëria që social media është thjesht një cunami në gotë, të fillojmë të marrim vendime”.
I pyetur nëse është sofistikuar bullizmi online, Kallanxhi shprehet: “Këtë nuk di ta them, po herët a vonë, fëmijët po mësojnë të mbijetojnë në një ambient online që d.m.th që rriten dhe kuptojnë më shpejt se çfarë ndodh në një media sociale nga eksperienca, ngaqë ka shumë kohë që kanë akseset e tyre se fillojnë që nga mosha 3-4 vjeçare dhe deri kur shkojnë 10-15 kur bien pre e bullizmit, ndoshta do kenë më shumë “eksperiencë” për median sociale dhe komunikimin mes tyre”, shprehet ai. Në aspektin ligjor avokati Bici për rastin kur bullizuesi dhe i bullizuari janë të mitur sqaron se: “Ndiqet e njëjta procedurë, por duke marrë në konsideratë parashikimet ligjore të legjislacionit të sipërpërmendur, i cili mbron specifikisht të miturit edhe në rastet kur ata janë autorë të kryerjes së një vepre penale”.
Çfarë qasje duhet të kemi ndaj një të mituri bullizues? Psikologia Milena Turtulli Bregu kërkon të mos jemi impulsivë dhe të ofrojmë modelin e zgjidhjes për problemin që i mundon. “Me shumë qetësi dhe përmbajtje të ndjekim hapat e duhura që t’i tregojmë se hapja e tij ndaj prindërve ishte zgjedhja e duhur.
E pyetur për rolin që duhet të luajë shkolla, psikologia Dine shtron nevojën e hartimit të politikave të qarta për raportimin e rastit dhe ndërhyrjen e shpejtë të strukturave. Ajo evidenton edhe gabime që bëhen shpesh në shkolla: “Minimizimi i situatave (“janë thjesht konflikte mes fëmijëve”), fokusimi vetëm tek ndëshkimi dhe jo tek rehabilitimi, mungesa e bashkëpunimit me prindërit dhe mosadresimi i rolit të grupit që e përforcon bullizmin”, thekson ajo.
Për psikologen Milena Turtulli Bregu, gabimi qëndron te bisedat për bullizmin që shpesh janë formale dhe sipërfaqësore duke u larguar nga realiteti i fëmijëve. “Nevojiten biseda më të thella e të qëllimshme për të kuptuar që jetojmë në një realitet dinamik dhe përherë në ndryshim”, thotë Turtulli duke theksuar se zgjidhja nuk gjendet në tavolina pa përfshirjen e fëmijëve.
Ajo evidenton disa sjellje që shfaq një fëmijë i bullizuar i cili e mban të fshehtë shqetësimin e tij. Sipas psikologes janë kambanë alarmi reagime si: rënia e humorit, ankthi i shtuar në dukje pa arsye, mbyllje në vetvete, izolim, shtimi i kohës së kaluar me pajisje si smartfoni, mendime negative apo edhe ndjesi mospërshtatjeje. “Ndonjëherë reagon shumë fort për situata të vogla familjare, ndryshime në gjumë, në oreks si dhe ulje të vetëbesimit dhe vetëvlerësimit”, nënvizon ajo duke i paraqitur se raste që duhen trajtuar me ndihmën e profesionistit.
Në një këndvështrim tjetër psikologia Borjana Dine trajton edhe tërheqjen nga frika e reagimit të prindërve duke kërkuar që të ndërtohet sa më parë komunikimi mes tyre për t’u dhënë besim fëmijëve. Ajo veçon edhe kujdesin që tregojnë fëmijët për ta fshehur ekranin e pajisjeve duke qëndruar më vete në dhomë, shenja këto që duhen lexuar me vëmendje nga të rriturit, por vlerëson rolin mbështetës e jondëshkues duke kufizuar menjëherë aksesin në teknologji, pasi kjo mund t’u kthehet kundër duke bërë që fëmijët të tërhiqen edhe më shumë.
“Është e rëndësishme që një i mitur bullizues të mos shihet vetëm si “problemi”, por si pjesë e një dinamike më të gjerë. Shpesh, pas sjelljes bullizuese fshihen vështirësi emocionale, modele të mësuara apo nevoja të paplotësuara. Ndaj puna me atë fëmijë i përket të gjithëve: Që nga prindi, tek mjedisi social ku ai bën pjesë, tek stafi multidisiplinar në shkollë (mësuesit, stafi psiko-social etj) e deri tek marrja dhe ofrimi i shërbimeve të jashtme”-shprehet më tej në analizën e saj edhe psikologia Dine e cila sheh me rëndësi qasjen e balancuar: “Vendosje e kufijve të qartë dhe pasojave për sjelljen, por njëkohësisht punë për zhvillimin dhe rritjen e elementeve psikologjikë, aftësive sociale dhe menaxhimit emocional”, theksoi Dine.
Si zgjidhje për të parandaluar bullizmin online, psikologia Milena Turtulli Bregu përveç ruajtjes së një komunikim cilësor me fëmijën, sheh edhe diskutimin e rasteve për të ndihmuar në një plan emergjence nëse ndodh diçka e tillë, rritjen e vetëbesimit dhe krijimin e një mjedisi jogjykues.
Nisur nga përvoja e saj profesionale nga bisedat e këshillimet me fëmijë, prindër e mësues, Bregu si zgjidhje dhe mbrojtje të fëmijëve nga bullizmi online vlerëson krijimin e një ambienti të sigurt emocional, duke i dëgjuar fëmijët pa i paragjykuar. “Mos u nxitoni me komente si “Pse nuk e fshive aplikacionin?” apo “Pse iu përgjigje?”, sugjeron ajo duke shtuar rëndësinë e vlerësimit të ndjenjave duke u thënë se është normale të ndihen të lënduar dhe se nuk është faji i tyre. Mbështetja dhe siguria që nuk do ndërpritet aksesi në internet janë mënyrat për ta afruar fëmijën në komunikim. Mbledhja e provave dhe mosfshirja e situatave bullizuese janë me rëndësi bashkë me bllokimin e bullizuesve përmes raportimit në aplikacione.
“Mësoni fëmijën që të mos u përgjigjet provokimeve. Bullizuesit online kërkojnë reagim dhe vëmendje; nëse nuk e marrin, shpesh dorëzohen. Përgjigjia vetëm sa e përshkallëzon situatën dhe mund ta bëjë edhe fëmijën tuaj të duket si fajtor në sytë e të tjerëve. Përfshini autoritetet nëse është e nevojshme. Shkolla: Nëse bullizuesit janë shokë shkolle, njoftoni mësuesit dhe psikologun e shkollës. Edhe pse ndodh online, ndikimi reflektohet në ambientin mësimor. Policia: Nëse ka kërcënime për dhunë fizike, shantazh me foto intime ose përndjekje, duhet të kontaktoni menjëherë sektorin e krimeve kibernetike”, thekson Bregu duke e drejtuar vëmendjen e fëmijëve dhe prindërve në aktivitete jashtë rrjeteve sociale, në sport, kurse arti apo shëtitje në natyrë “Të rikujtojnë se bota reale është shumë më e madhe se një ekran telefoni”, thotë ajo.
Një tjetër zgjidhje është edhe këshillimi direkt në linjën ALO 116-111 për fëmijët, prindërit apo edhe stafet pedagogjike apo edhe njohja me platformën iSIGURT.al. Për psikologen Dine për parandalimin kërkohet një qasje e integruar me edukimin e hershëm për angazhimin online si edhe respektin dhe përgjegjësinë në përdorimin e teknologjisë.
Shënim: Ky shkrim i gazetarisë konstruktive u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë


