
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi ka dhënë dorëheqjen pak orë pasi u thirr në SPAK. Agaçi ka mbajtur postin pranë kryeministrit për 13 vite. Ai tha për mediet: “U thirra për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të përbëjë një lajm, të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë”. Agaçi është distancuar nga daljet publike edhe pse shpesh është akuzuar nga opozita. Më herët ai ka ushtruar profesionin si avokat në Itali, për t’u kthyer më pas si pjesë e administratës shtetërore shqiptare.
Sipas “Lapsi.al” dyshohet se ai është i përfshirë në çështjen e Inceneratorit të Tiranës. Rama i ka dhënë bonus 18% në vitin 2016 kompanisë “Integrated Energy BV” me seli në Holandë në pronësi të Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit. Kompania e tyre hyri në garë për inceneratorin e Tiranës, në një kohë kur nuk ishte bërë asnjë regjistrim si subject në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas ligjit. Kompania nuk ekziston, por tashmë firma e Ramës ishtë marrë. Në shkelje të procedurës, kontrata finale për inceneratorin rezultoi se u firmos jo me kompaninë “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e cila kishte nxituar të regjistrohej më 31 gusht 2017, ditën e firmosjes së kontratës.
Firmosja e Ramës është plot dyshime, pasi ai në një komunikim me mediet të pubikuar nga “Syri.net” citohet të jetë shprehur në dhjetor të vitit 2023 se: “Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë. Dhe çdo firmë e imja është frut i një procesi dhe i një mekanizmi. Dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo nga sfera të ndryshme ra që kanë kompetencat e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell një rezultat. Dhe kur ky rezultat merr firmën time, kthehet në një vendim. Kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë në sferën e kompetencës time dhe ju përsëris nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulime të natyrësmediatike, politike të natyrës jo aritmetike, është e drejta e të gjithëve të marrin vendime.”

Kush është Engjëll Agaçi?
Sipas një jetëshkrimi të shkurtër në faqen zyrtare të Kryeministrisë mësohet se Engjëll Agaçi ka lindur në Fier, më 15 Shkurt 1969. Ai ka punuar si avokat në Romë pasi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Tor Vergata”, në Romë. Karriera e tij profesionale ka vijuar me kërkime shkëncore në të Drejtën Ndërkombëtare Publike të Krahasuar, dhe më pas ka përfunduar doktoraturën në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku dhe ka marrë titullin Doktor Shkencash.
Agaçi ka marrë titullin “Akademik Nderi” më 17 tetor 2015 nga Këshilli i Përgjithshëm i Akademisë Norman (Norman Academy) në Itali. Më 02 qershor 2023, Presidenti i Republikës së Italisë, SHTZ. Sergio Mattarella, i ka akorduar titullin “Kalorës i Meritës së Republikës së Italisë”. Agaçi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të Republikës së Shqipërisë që nga data 15 shtator 2013 e deri sot.


