Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqjen pas më pak se një viti në detyrë, përballë protestave masive që shpërthyen në të gjithë vendin kundër korrupsionit, politikave ekonomike dhe asaj që qytetarët e kanë cilësuar si dështim të qeverisë për të luftuar lidhjet me interesa mafioze.

Sipas “BBC”, dorëheqja e Zhelyazkov u njoftua pak minuta përpara se parlamenti bullgar të votonte një mocion mosbesimi të paraqitur nga opozita, dhe vetëm pak javë përpara anëtarësimit të Bullgarisë në eurozonë më 1 janar. Kryeministri pranoi publikisht se kishte dëgjuar “zërin e qytetarëve” dhe se kërkesa kryesore e protestuesve ishte largimi i qeverisë.

Protestat përfshinë dhjetëra qytete, ndërsa në Sofje sipas “The Guardian” u mblodhën nga 50 mijë deri në mbi 100 mijë persona. Demonstruesit brohorisnin “Dorëheqje” dhe “Mafia jashtë”, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion të përhapur dhe lidhje me figura të kontestuara politike dhe ekonomike.

Një nga arsyet kryesore të zemërimit publik, sipas “BBC”, ishte fakti që qeveria e Zhelyazkov mbështetej nga figura të lidhura me akuza serioze korrupsioni. Në qendër të kritikave ishte Delyan Peevski, oligark dhe politikan i sanksionuar nga SHBA dhe Britania për korrupsion, partia e të cilit kishte ndihmuar në mbajtjen në këmbë të qeverisë. Protestat u organizuan nën sloganin “Dorëheqje! Peevski dhe Borissov jashtë pushtetit”.

Lëvizja protestuese nisi fillimisht kundër një buxheti të propozuar që parashikonte rritje taksash dhe kontributesh shoqërore, por shpejt u shndërrua në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Qeveria u detyrua ta tërhiqte projektbuxhetin, por kjo nuk mjaftoi për të qetësuar zemërimin publik.

Zhelyazkov ishte kryeministri i gjashtë i Bullgarisë në pesë vite, në një vend të goditur nga paqëndrueshmëri e vazhdueshme politike dhe mosbesim i thellë ndaj institucioneve (New York Times). Qeveria e tij ishte një koalicion i qendrës së djathtë dhe kishte mbijetuar disa vota mosbesimi përpara se presioni i rrugës ta detyronte të largohej.

I lindur më 5 prill 1968 në Sofje, ai është një politikan me përvojë të gjatë në qeverisje dhe administratë publike. Ai u zgjodh Kryeministër më 16 janar 2025 dhe ka qenë anëtar i Parlamentit që nga viti 2024, duke shërbyer në Asamblenë e 45-të, 50-të dhe 51-të. Zhelyazkov ka mbajtur pozita kyçe, përfshirë Kryetar i Parlamentit (49-ta Asamble) dhe Zv/Kryetar i Parlamentit (48-ta Asamble), si dhe ka udhëhequr komisione të rëndësishme parlamentare si Komiteti i Transportit dhe Komunikimeve dhe Komiteti i Qeverisjes Elektronike dhe Teknologjisë së Informacionit. Karriera e tij përfshin gjithashtu poste ekzekutive dhe rregullatore, duke shërbyer si Ministër i Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (2018), Kryetar i Komisionit për Rregullimin e Komunikimeve (2017), Sekretar i Këshillit të Ministrave (2009–2013), si dhe Sekretar i Bashkisë së Sofjes dhe Zv/Kryetar i Lagjes Lozenets. Ai ka një diplomë master në drejtësi nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, duke kombinuar ekspertizën akademike me një karrierë të pasur në shërbim publik.

Pas dorëheqjes, sipas “The Guardian” dhe “BBC”, ministrat do të vijojnë përkohësisht detyrën deri në formimin e një qeverie të re. Presidenti bullgar Rumen Radev pritet t’u kërkojë partive parlamentare të tentojnë krijimin e një kabineti të ri, nëse kjo dështon, vendi do të drejtohet nga një qeveri teknike deri në zgjedhje të reja, që do të ishin të tetat në katër vite.

Vetë Zhelyazkov ka paralajmëruar se Bullgaria do të përballet me muaj të vështirë përpara, duke theksuar se vendi do të hyjë në eurozonë pa një qeveri të rregullt. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se procesi i kalimit në euro nuk është vënë në rrezik. Bullgaria renditet ndër vendet me perceptimin më të lartë të korrupsionit në Europë, sipas Transparency International, ndërsa protestat e fundit janë cilësuar nga vetë Zhelyazkov si “një protestë për vlera”, një energji qytetare që, sipas tij, “duhet mbështetur dhe inkurajuar”.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10