Një projektligj në mes protestave ka ngjallur debat. Mendohet që toka bujqësore do u kalojë lehtësisht të huajve. Avokatja Irena Dule thotë se ky projektligj privilegjon të huajt mbi vendasit: “Nuk është ideja në vetvete, por mënyra si është ndërtuar, një ligj i posaçëm që krijon regjim paralel, privilegjon të huajt mbi vendаsit, dhe mundëson privatizim toke që e shet si “investim i huaj.” Shqipëria ka ndërtuar me kalimin e viteve një model të njohur ligj(sh)bërjeje (nuk po rendis shembuj se të tillë ka plot dhe nuk është kjo tema)”. A krijon ky ligj diskriminim për shqiptarët? Dule thotë: “Ligji i posaçëm vetëm për personat e huaj nuk është instrument mosdiskriminimi, është instrument trajtimi të veçantë. Dhe trajtimi i veçantë, sipas nenit 18 të Kushtetutës, kërkon justifikim objektiv dhe proporcional. Ky ligj nuk ofron asnjë justifikim të tillë, sepse nuk ka. Asimetria e krijuar është e qartë: neni 3 i Ligjit 8337/1998, i cili e lidh blerjen e tokës bujqësore shtetërore me përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve, mbetet në fuqi për shqiptarët. Për të huajt, drafti hap kanal të ri paralel. Shqiptari pret radhën e kompensimit. I huaji nuk pret”. Duke parë masat e parashikuara në draft në rast mosrespektimi kontrate, dhe revokimi i të drejtës për pronësi, Dule shkruan: “Drafti përdor termin “revokim i pronësisë”, por nuk shpjegon as si bëhet, as kush e vendos, as çfarë ndodh me paratë e paguara. Kjo nuk është garanci juridike, por një dispozitë e paqartë që mund të rrëzohet lehtësisht në gjykatë”. Ajo sqaron se: “Çdo ekspert ligjor e kupton që kufizimi i mos-tjetërsimit dhe revokimi ekzistojnë vetëm për të hedhur hi syve, për t’i thënë opinionit publik “ja, ne vendosëm garanci”, ndërsa investitori i huaj e di mirë që këto nuk do t’i rezistojnë dot një sfide gjyqësore”. Avokatja shtron argumentin se nuk ka një përvojë të ngjashme ligjore në BE ku me ligj të posaçëm t’u shesë tokën bujqësore të huajve: “Asnjë shtet anëtar i BE nuk ka krijuar ligj të posaçëm që u jep të huajve më shumë të drejta mbi tokën shtetërore sesa vendasve. Ky draft nuk ka precedent evropian, jo e jo por as në ballkan dhe jo sepse është inovativ, por sepse është i palogjikshëm si instrument i politikës ligjore”.

Lexo edhe: https://gogo.al/projekt-ligji-per-shitjen-e-tokes-bujqesore-per-te-huajt-liberalizim-apo-kanal-paralel-privatizimi/

Në një intervistë për “MCN”, ditë më parë, deputetja demokrate Jorida Tabaku është shprehur kundër, duke thënë se do ketë probleme të konflikteve lokale, të regjistrimit të pronësisë dhe korruptive: “Gabimet e së shkuarës, me ligjet 7501 që nisën pas viteve ’90-të, tashmë po theksohen gjithmonë e më shumë e po krijohen probleme gjithmonë e më shumë. Do ketë probleme të konflikteve lokale, të regjistrimit të pronësisë dhe korruptive. Unë të siguroj që asnjë investitor i huaj nuk vjen me këtë këtë ligj, investitori i huaj do siguri juridike, nuk duan konflikte pronësore, duan që investimi i tyre të mos vendoset në pikëpyetje nesër”.

Ky projektligj sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla është në fazë përfundimtare të përgatitjes ligjore. “Sapo të kemi edhe aspektet ligjore do ta bëjmë publik për të pasur të gjitha mundësitë dhe proceset që do të kryejmë për të përfituar nga ky projektligj”, ka thënë Salla në një dalje për mediet.

Projektligj parashikon që toka bujqësore në Shqipëri mund t’u shitet të huajve 7 vite pasi vendi të jetë anëtarësuar në BE. Sipas një drafti të nxjerrë për konsultim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, përcaktohet se “personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore private ose për tokën bujqësore e përfshirë në fondin ‘tokë bujqësore shtetërore e disponueshme (e pandarë)’”. Blerja do kufizohet “për 2 ha brenda një bashkie dhe deri 30 ha në shkallë Republike”.

Një nga kushtet që duhet të plotësojnë të huajt është se ata kanë të drejtë të blejnë tokën bujqësore në Shqipëri vetëm për investime në fushën e bujqësisë si në pronë shtetërore ose private. “Kalimi i së drejtës së pronësisë lejohet vetëm për tokën bujqësore dhe nuk përfshin kategori të tjera të pasurive të paluajtshme”, thuhet në projektligj. Një shtetas i huaj që mund të blejë tokën bujqësore duhet të jetë rezident i përhershëm në Republikën e Shqipërisë për jo më pak se 5 vjet dhe “të kenë zhvilluar veprimtari bujqësore ose agrobiznesi në Republikën e Shqipërisë, të dokumentuar për të paktën 3 vjet”, si dhe “të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë”.

Në draftin e publikuar online kërkohet që aktiviteti të ushtrohet “përmes një shoqërie tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë” dhe ndalon tjetërsimin e tokës bujqësore në favor të të huajve kur prona është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve, është objekt i projekteve ose investimeve strategjike, apo shtrihet në zona me karakter ushtarak ose me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare.

Përjashtohen nga shitja sipërfaqe toke që ndodhen në zona “që përmbajnë vlera muzeore, arkeologjike ose historike, si dhe në parqe kombëtare, rezervate natyrore apo zona të mbrojtura të florës dhe faunës”. Në rast se një subjekt e blen tokën do jetë i detyruar pa përdorë “vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale” dhe “të mos ndryshojnë kategorinë ose destinacionin e përdorimit të tokës bujqësore”, duke u mundësuar “të ushtrojnë aktivitet real bujqësor ose agrobiznes në tokën e fituar në pronësi”. Në rast të mosrespektimit të detyrimeve, institucionet përkatëse “kanë të drejtë të marrin masa sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë revokimin e së drejtës së pronësisë ose vendosjen e sanksioneve administrative”.

Projektligji “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14