
Kryeministri Edi Rama ka folur për dorëheqjen, kur në bulevard kërkohet largimi i tij prej 104 ditësh. Në podkastin “Flasim” me Rudina Xhungën, ai ka parashikuar edhe kohën kur nuk do jetë më në krye të qeverisë. Rama deklaroi se qëndrimi në politikë lidhet me integrimin e Shqipërisë në BE. “Unë nuk jam këtu për t’u bërë mbret ose për të qëndruar në pafundësi. Unë jam këtu vetëm sepse e shoh të hapur derën e Bashkimit Evropian dhe në momentin që unë, me ndihmën e Zotit dhe të shqiptarëve, e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”, deklaroi Rama.
Ai komentoi edhe kërkesën e protestuesve për kufizim mandati. Sipas Ramës në demokracitë parlamentare nuk ka kufi mandatesh për kryeministrin. “Demokracitë parlamentare nuk e kufizojnë mandatin e kryeministrit, nuk kanë kufi për mandatin e kryeministrit, se është pa kuptim. Kryeministri është shprehje e shumicës. Është shumica që vendos kë zgjedh dhe normalisht shumica zgjedh atë që fiton”, tha Rama.

Kush do jetë pasardhësi i tij? Rama përgjigjet duke thënë se: “Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë, pra nuk është dikush që ti e zgjedh”. Rama shtoi se ende nuk është hapur gara për pasuesin e tij në PS. Kreu i qeverisë dhe i PS-së njëkohësisht, zbuloi se plani i tij është të largohet nga drejtimi i PS-së, por jo nga të qenurit pjesë e partisë.
“Kur vjen momenti i kalimit të stafetës, stafeta kalohet ose duke ikur dhe duke e lënë gjënë në rrjedhje siç unë kam ndërmend ta bëj… Unë nuk do ta lë PS-në, do jem anëtar i organizatës së Surrelit”, u shpreh ai. Rama iu kthye projektit turistik në Zvërnec nga vajza dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së. Ai tha se nuk ka pasur asnjëherë komunikim për këtë çështje me Donald Trump. Rama siguroi se nuk do të tërhiqet nga ky investim, por vetëm nëse ligji dhe shkenca, siç thotë ai, do t’ia ndalojnë, atëherë projekti nuk do të realizohet.


