Pasi u hoqi mundësinë shqiptarëve të zgjedhin deputetët që duan, duke blinduar përfundimisht listat e kandidatëve për deputetë, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë “artilerinë e rëndë” në diskursin politik.

Në fakt, gjasat e riaktivizimit të konfliktit Rama-Meta, i cili vazhdon prej vitesh, duke patur në mes edhe “dashurinë”, u dukën edhe ditë më parë, teksa presidenti Ilir Meta e sulmonte nëpërmjet këshilltarit të tij, Tedi Blushit pasi analisti Mero Baze publikoi disa shkrime kundër Metës. Konflikti Rama-Meta u ashpërsua edhe pas daljes së Metës në një intervistë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut (Lexo më shumë këtu), teksa presidenti i vendit nuk hezitoi edhe ta sulmonte direkt kryeministrim Rama në profilin e tij në “Facebook”.

Por dje, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Rama ka menduar që përveç gjuhës pezhorative, duke e quajtur LSI-në kancer, të përdorë edhe diversionin.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi

Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? A ka ndodhur që ky diversion të jetë përdorur edhe vite më parë?

 “Luli nuk e do as Monikën as Ilirin. Unë do e shpëtoj Lulin”, ka artikuluar diversionin e tij Rama kundrejt koalicionit PD-LSI, koalicion që ka vendosur të përballet me PS-në e Ramës që kërkon tashmë një mandat të tretë, ndërsa ditë më parë ka qenë pikërisht kryeministru Rama që e ka luftuar me të gjitha mënyrat garimin e bashkuar të këtij koalicioni në zgjedhjet e 25 prillit.

Bomba që hodhi në erë koalicionin me LSI-në ka qenë reforma në drejtësi. E dini shumë mirë që aty ndarja është bërë e pariparueshme. LSI-ja është krijuar për të marrë sa më shumë pushtet duke marrë peng njërin nga dy të mëdhenjtë. Ka përfituar nga degradimi i Partisë Socialiste. Është një organizatë, e cila funksionon vetëm me këtë parim. Njësoj si qelizat e kancerit, shtohen vetëm për ta vdekur organizmin që kapin.

Ti voton për Lulin po ti s’merr Lulin! Ti e merr Lulin paketë! Ti merr Ilirin, merr dhe Monikën! Luli mezi, meeeziiii po mban Saliun. Luli është bërë si ushtari i mirë Rajan. Duhet ta shpëtojmë!”, tha mes asamblesë Rama, ndërsa pyetjes se si do ta shpëtonte Bashën nga LSI-ja iu përgjigj më pas duke qeshur dhe duke thënë: “Avash-avash”.

Por përtej kësaj, kryeministri Rama ka theksuar edhe se vetë kryedemokrati Basha nuk e do kryetaren e LSI-së, Kryemadhin dhe presidentin e vendit, Metën.

Kjo Lulit i vjen nga stresi që ka nga Meta dhe Monika se nuk i do ata, po s’di si t’i heqi. Ku hiqen ata, ne e dimë ç’kemi heq! (qesh)…Luli është vetëm pasagjer aty…lokomotivën e lëviz Iliri…Monika është fatorino…”, u shpreh Rama.

Megjithatë Rama mohon se ka tendencë të punojë në ndarjen e këtij koalicioni dhe me ironinë në buzë se kryedemokratin do ta shpëtojë duke thënë: “Dhe më ka ardhur shumë keq, shumë keq kur më akuzonin se dua t’i ndaj ata, se dua t’i ndaj ata! Që Lulin dua ta shpëtoj, këtë s’e mohoj po që t’i ndaj ata?! Kurrë! Bashkë atje, natyrisht të gjithë bashkë!”

Edi Rama duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste (Video)

Rama, një lojtar politik prej 20 vitesh ka menduar që një nga pengesat për të fituar një mandat të tretë, pikërisht koalicionin PD-LSI ta luftojë me diversion, gjë që e ka arritur njëherë para tri vitesh.

Është fare e qartë se qëllimi i Ramës në retorikën e tij është të nxisë ndaj Bashës dhe Kryemadhit një konflikt, duke përdorur jo vetëm një orientim ndaj publikut dhe elektoratit të pavendosur që nëse voton Bashën, “e ka marrë bashkë në paketë megjithë Kryemadhin” por mbi të gjitha të hedhë në ajër një informacion të prapaskenës, të paverifikuar, që sipas tij as Basha nuk e do Kryemadhin dhe Metën.

Por diversioni nuk mbetet këtu. Rama zotohet se do ta shpëtojë Bashën edhe pse me ironi, një ide që rezultoi e pasuksesshme për demokratët pasi Rama dhe Basha bënë marrëveshjen e 17 majit, marrëveshje që lëkundi frymën e krijuar gjatë “Çadrës” dhe që kryedemokratin Basha e la për vite me radhë në opozitë.

 Lulzim Basha duke sulmuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, 2017 (Video)

Ka qenë pikërisht Basha që u vu kundër LSI-së asokohe, ndërsa Rama ia doli të triumfojë mes tyre, situatë që as më shumë e as më pak qe vënia në praktikë e shprehjes: kur zihen dy vetë fiton një i tretë.

Po kësaj radhe, a do arrijë Rama të fusë në konflikt PD-në dhe LSI-në? Apo diversioni është edhe më i madh se kaq dhe pas perdeve mund të gatuhet një lojë edhe më e madhe mes Ramës dhe Metës kundër Bashës apo mes Ramës e Bashës kundër Metës?!

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)