
Rama ka histori të vjetër të sulmeve ndaj gjykatësve. Ishte koha kur i duhej t’i jepte drejtim çështjes së ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri i akuzuar për trafik droge. I detyruar ta shkarkojë Tahirin nga grupi parlamentar, gjithë vëmendjen e kaloi të prokuroria me sulme në kohën kur vijonin hetimet. “Ku u gjet ky zell i panjohur i një prokurorie të Krimeve të Rënda që nuk ka lëvizuar asnjë gisht që kur ka lindur? As për fakte e prova që dihen e shihen ashiqare si shumë të dyshimta. Kurrë. Asnjëherë…Në cilën epokë të gurit u gjet kurajoja për t’i prerë faturën e burgut deputetit me katër fletë bakalli që do të ofendonin çdo bakall…dhe për llogari të kujt deshën t’ia shesin këtë faturë të arrestit me burg këta prokurorë? Kështu i luftojnë kriminelët…”,-u shpreh Rama duke e mos e lënë me kaq, por shtoi se: “Rasti i ish-ministrit ishte një kopje surrogato e gjyqit politik që e kemi parë 4 vite në Parlament.”

Avokatura mbrojtëse e tij u duk hapur edhe për dosjen ku implikohej vëllai i ish-ministrit tjetër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e quajtur “Babalja”. “Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë, jo për të bërtitur montazh-montazh. Po më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm po akti mashtrimi të një materiali autentik…”,-thoshte Rama me kompetencë duke intimiduar prokurorë me faktin se kishte pajtuar një agjenci private ekpertize.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ai ka dalë me deklarata para se flasë gjykata. Sanitarja e korruptuar e Sanatoriumit, kjo histori është sqaruar nga vetë kreu i qeverisë. Ai e distancoi atë nga mjekët duke thënë se: “Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer, apo ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë se kanë nxjerrë në pah një llum, natyrisht të papërtypshëm por njëkohësisht nuk kanë provuar përkundrazi, do të thosha që të gjithë investigimet e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë e ky të ishte një zinxhir”.
Lexo edhe:https://gogo.al/6-reagimet-e-rames-kur-drejtesia-i-ka-prekur-te-besuarit/

Sulmet frontale me emra e mbiemra të gjykatësve e prokurorëve
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Një gjykatës komentohet nga kryeministri Edi Rama. Pas valës së prishjes të tendave e çadrave të lokaleve, fillojnë fjalime e lidhje direkte ku i gjithë faji bie mbi gjykatësin Demiri që i ka dhënë të drejtë një pronari. “Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut”-shkruan ai.
Demiri është i treti që kalon në sitën e Ramës. I pari ishte Hazbi Balliu. Atë e quajti “të pacipë” pasi vendimi i tij ra ndesh me aksionin e qeverisë për shembjen e disa ndërtesave pas tërmeteve. Komisioni i Objekteve të konfiskuara kishte vendosur kalimin te Agjencia e Shtetërore e Kadastrës një godine të dëmtuar në vitin 2019. Balliu ka penguar procesin duke anuluar vendimin dhe duke i dhënë të drejtë pronarit.

Prokurorja Elsa Gjeli është sulmuar nga Rama. Sipas tij ajo ka arkivuar një denoncim të Policisë së Shtetit për ndërtimin e “fshatit turistik” në Theth. Kryeministri akuzon Gjelin se ka refuzuar të hapë çështjen ndaj një personi që e quan kriminel që ka bërë rezistencë për të mbrojtur shtëpitë e drurit në Theth kur kanë shkuar fadromat e IKMT-së. “Tani çfarë borxhi i kanë zonjës Gjeli, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth”, -shprehet Rama pas mobilizimit të strukturave të nxitura nga kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Lexo edhe :https://gogo.al/rama-presion-gjyqtares-per-thethin-prokuroria-e-shkodres-nxjerr-zbuluar-socialistet/

Qesëndisja për pagat e gjykatësve
Kryeministri Edi Rama prej ditësh del publikisht duke deklaruar se gjytarët kanë kërkuar rritje pagash tinëzisht. Kjo kërkesës sipas Ramës do i kushtojë buxhetit të paktën 37 milionë euro, para nga taksat e shqiptarëve. Sipas tij argumenteve që kishin bërë gjykatësit linin për të dëshiruar dhe se pagat e tyre janë njësoj me kolegët e tyre në Greqi dhe dyfishi i atyre në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. “I gënjen mendja se do përdorin pustetin e tyre”-tha Rama në një lidhje direkte në rrjete sociale teksa udhëtonte me makinë.
“Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i janë bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro.”-duke zbutur tonet për SPAK-un.
Shoqata e Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi duke e quajtur qëndrimin e Ramës një “përbaltje publike, mediatike, tërësisht histerike për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit”. Menjëherë replikon Rama: “Si arrini deri në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e këshillit të ministrave, mediave de t’i akuzoni të gjithë për histeri. Për çfarë histerie e keni fjalën? 37 mln euro plus që kërkoni nga buxheti janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër”, -shtoi kryeministri.

Gjykatësit i janë drejtuar gjykatës për të kundërshtuar uljen e pagës si pasojë e ligjit të vitit 2023. Asokohe qeveria vendosi që paga bazë e magjistratëve të lidhej me 36 % të pagës së Presidentit, pra në 153 mijë lekë. Paga e tyre më parë llogaritej mbi bazën e pagës së drejtorit të departamentit në Kryeministri, 132 mijë lekë. Në të njëjtën kohë qeveria rriti ndjeshëm pagat e administratës publike dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri u bë 231 mijë lekë. Duke iu referuar kësaj vlere sot paga bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë. E gjithë çështja sot vërtitet rreth referencës dhe ruajtjes së balancave.
Shënjestra e radhës, Shoqata e Prokurorëve
I pakënaqur më kundërpërgjigjet e gjyqtarëve e prokurorëve, Rama deklaron se Shoqata e Prokurorëve është e paregjistruar. Pa e konfirmuar informacionin, ai tha në platformën “X” se: “Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, por brenda afatit për regjistrim…” Pas publikimit të një dokumenti regjistrimi, Rama justifikohet duke shtuar se: “Dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”. Shoqata është regjistruar e pajisur me NIPT që nga dhjetori 2025.
Pas pagave e regjistrimit, për çfarë do i sulmojë Rama gjykatësit e prokurorët në dorë të cilëve janë akuza për afera miliona euroshe nga qeveria dhe krahu i tij i djathtë, Balluku?


