
Mesnata e së enjtes po kalohet me çaste tmerri e paniku për shumë vajza studente që janë strehuar në konviktet e Qytetit Studenti, ku një grup djemsh të maskuar kanë vandalizuar godinën. Me thirrje të shumta e britma për ndihmë, teksa dritaret e fasada po dëmtoheshin, videoja bëri xhiron e rrjetit me shpejtësinë e dritës. Të parët që e publikuan janë mediat pranë qeverisë, të cilët prentendojnë se sulmi nga djemtë e maskuar është kryer pikërisht se vajzat kanë refuzuar t’i bashkohen protestës.

Një tjetër media la pas raportimin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke çuar me nxitim grupin e xhirimit pranë konvikteve, për të dokumentuar si “EKSKLUZIVE” pamjet brenda godinës pas shkatërrimit. Sigurisht duke e paraqitur si përballje mes të rinjve dhe se vajzat ndiheshin të pasigurta.

Pikërisht pasiguria dhe ngjallja e frikës janë shndërruar në mekanizmin e radhës të propagandës, ku target-grupi janë vajzat dhe gratë që kanë dalë të protestojnë. Në mbrëmje, një vajzë u mor me forcë brenda një furgoni nga persona civilë, ndërsa një çift që po lëviznin me motor u ndaluan dhe u morën forcërisht po me furgon. Videot u filmuan nga disa kënde dhe u shpërndanë po nga e njëjta dorë, ndërsa mesazhet në grupet e WhatsApp-it vërshuan pa ndalim. Në mesazhe shkruhej se grupe civilësh që nuk flisnin shqip rrëmbenin vajza dhe dhunonin djemtë që të mos dilnin në rrugë. Situata rëndohet edhe më tej, kur thuhej se pikërisht këto vajza kanë rënë pre e abuzimeve seksuale. Kështu, “mikeshat” këshillonin që vajzat të mos qëndronin në protestë pas rënies së muzgut, pasi situata mund të bëhej shumë e rrezikshme për to.
VIDEO
Ndaj, nga mania për “EKSKLUZIVE” dhe pasiguria, lind pyetja: Diversion apo lojë algoritmesh për të dhënë frikë?!


