
Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet nën një presion të vazhdueshëm për të zgjedhur kryeministrin e ri. Ky presion shtohet çdo ditë e më shumë, pasi u bë mbi 7 javë që Franca ka mbetur pa kryeministër.
Macroni pritej të emëronte një kryeministër gjatë fundjavës por ai nuk e bëri këtë gjë. Në vend të kësaj, ai zhvilloi disa bisedime në Pallatin Elysée mëngjesin e të hënës me ish-presidentët Nicolas Sarkozy dhe François Hollande. Po ashtu pati takime me Xavier Bertrand, një figurë udhëheqëse nga partia konservatore Les Républicains si dhe me ish-kryeministrin socialist Bernard Cazeneuve, i cili është përmendur në media si një nga kandidatët kryesorë. Por edhe këto bisedime duket se nuk prodhuan gjë.

Politico.eu shkruan se spekulimet politike tanimë kanë dalë jashtë kontrollit, kur edhe fëmijët po japin sugjerime se kush duhet të jetë kryeministri i ri. Hamendësimet e shumta, bisedimet e gjata dhe një listë që ndryshohet vazhdimisht me kandidatë të mundshëm shënojnë përpjekjen më të fundit të presidentit francez Macron për të thyer bllokimin që ka kapluar Francën që nga zgjedhjet e parakohshme të kësaj vere. Në një kohë kur francezët u kthyen në punë pas pushimeve verore dhe me nisjen e shkollës të hënën, Franca duket se është ende larg kompletimit të qeverisë.
Pse është kaq e rëndësishme për Macronin zgjedhja e kryeministrit të ri
Emmanuel Macron shpërndau parlamentin më 9 qershor dhe shpalli zgjedhje të parakohshme legjislative për në datat 30 qershor dhe 7 korrik, pasi Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë mposhti aleancën e tij të qendrës në zgjedhjet evropiane. Ai donte të forconte pozitat e tij, por duket se ky vendim po i kthehet në të kundërt.
Kjo sepse pas zgjedhjeve të parakohshme, Asambleja Kombëtare është e ndarë në tre blloqe thuajse të barabarta. Ato janë: koalicioni i krahut të majtë Fronti i Ri Popullor (NFP), grupi qendror i Macronit si dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë. Problemi është se asnjëra prej tyre nuk duket e gatshme të bëjë koalicion me partitë e tjera.
Siç shkruan “Le Monde”, presidenti zakonisht detyrohet të emërojë një kryeministër nga partia që fitoi zgjedhjet legjislative, në mënyrë që qeveria të rrëzohet menjëherë nga Asambleja. Megjithatë, këtë herë asnjë grup politik nuk mund të pretendojë një shumicë absolute. Macron do të duhet të gjejë dikë që do të duhet t’i mbijetojë një votimi mosbesimi nga 577 deputetë.
Cilët janë disa nga kandidatët e mundshëm? Fillimisht ish-kryeministri Bernard Cazeneuve u shfaq si kandidati kryesor, por u hoq nga diskutimet brenda ditës. Më pas, u përfol se Macroni ishte në bisedime për të emëruar Thierry Beaudet në këtë post. Por brenda natës favoriti i ri u bë Xavier Bertrand.
Këtë të martë, Macroni zhvilloi disa bisedime me liderët konservatorë, duke përfshirë kreun e Senatit Gérard Larcher dhe udhëheqësin parlamentar konservator Laurent Wauquiez. Por pasditen e së martës, Bertrand u përball me kundërshtime serioze. Analistët janë të mendimit se 36 orët e fundit kanë habitur edhe vëzhgues të sprovuar politikë dhe kanë frymëzuar prodhuesit e memeve dhe trolleve në internet.
Gazetarja franceze Diane de Fortanier postoi në Twitter një grafik tallës të rritjes dhe rënies së kandidatëve të mundshëm, ndërsa ish-zyrtari i Elysee Gaspard Gantzer u tall me konsultimet e pafundme të Macronit – duke bërë shaka se ai do të takohej më pas me kryeministrat francezë, fituesit e çmimeve të filmit “Césars” dhe madje dhe me kampionët e garës me biçikleta “Tour de France”.




Normalja e re e Francës
Në shumë vende të tjera evropiane, demokracia parlamentare dhe bisedimet e vështira për koalicionin janë normë, dhe këto konsultime të gjata do të ishin të rëndësishme. Por në Francë, ku sistemi presidencial ka garantuar stabilitet politik që nga fillimi i Republikës së Pestë, kjo pasiguri e krijuar është e paprecedentë.
Një qeveri e përkohshme ka drejtuar vendin që nga korriku, kur ministrat dhanë dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme në qershor që nuk arritën të siguronin një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare Franceze. Megjithatë Fronti i Ri Popullor, një aleancë partish të majta, ka shumicën e vendeve. Por Macroni i ka rezistuar emërimit të Lucie Castets, kandidates për kryeministre nga e majta, duke argumentuar se Fronti i Ri Popullor nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Asamblenë Kombëtare dhe nuk do t’i mbijetonte një votimi mosbesimi. Në vend të saj, ish-kryeministri socialist Cazeneuve u pa si kandidati kryesor për të udhëhequr një qeveri të re ditët e fundit. Si një politikan nga e majta, emërimi i tij do të kishte qenë një shenjë e fitores së Frontit të Ri Popullor pa dorëzuar në fakt pushtetin e grupit.
Aleati i jep Macronit goditjen e fortë
Aleati i tij, ish-kryeministri francez Edouard Philippe i dha një goditje të rëndë Macronit ditët e fundit, pasi deklaroi se do të kandidonte ne zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Philippe, një figurë e qendrës së djathtë që ka një marrëdhënie të ndërlikuar me të, mendon se Macroni do të detyrohet të japë dorëheqjen përpara përfundimit të mandatit të tij në 2027.
Vendimi i tij për të dalë publikisht kaq herët është një pengesë e madhe për presidentin francez, i cili më parë e kishte konsideruar Philippen si aleat. Macroni është zotuar të qëndrojë në postin e tij deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2027, si garantues i institucioneve franceze. Por është e qartë se Philippe, i cili drejtoi qeverinë franceze nga viti 2017 në 2020, mendon se ish-shefi i tij nuk do të mbijetojë më gjatë dhe është i përgatitur ta bëjë të ditur këtë gjë. Ai e ka ngarkuar tashmë partinë e tij “Horizons” që të “të jetë gati për pranverën” në vitin 2025. “Ai konsideron se gjithçka mund të lëvizë.”– tha dikush i afërt me Philippe për Politico.eu.

Edhe nëse një qeveri e re emërohet në ditët në vijim, ajo ende do të përballet me betejën e menjëhershme dhe të vështirë për të vendosur për një buxhet të vështirë përmes një parlamenti të ndarë dhe armiqësor, i cili mund të shkaktojë një tjetër krizë të brendshme. Franca duhet të paraqesë propozimet për të ulur shpenzimet publike në BE deri më 20 shtator, megjithëse ky afat mund të zgjatet deri në tetor. Por Franca nuk mund të paraqesë një buxhet të pakësuar për vitin 2025, pa një qeveri të re dhe buxheti i ri duhet të dorëzohet në parlament përpara 1 tetorit dhe të votohet përpara 1 janarit. Pa një kryeministër, nuk do mundet t’i bëjnë këto.
Marrëdhënia e Philippes me Macronin ishte përcaktuar më parë nga rivaliteti dhe respekti reciprok. Ish-kryeministri, i cili është një nga politikanët më të njohur të Francës, ishte zotuar për një mbështetje “besnike, por të lirë” për Macronin, me partinë e tij “Horizons” që mbështet presidentin francez në parlament. Por marrëdhëniet u përkeqësuan papritur pas vendimit të presidentit francez për të thirrur zgjedhje të parakohshme. Ish-kryeministri fajësoi Macronin se kishte “vrarë” koalicionin qeverisës duke dërguar ekipin e tij të papërgatitur në votimin e kësaj vere.
Pallati Elysée hodhi poshtë ambiciet presidenciale të Philippes, duke thënë se ishte më shumë i fokusuar në krijimin e një qeverie për të drejtuar vendin. “Duhet të gjejmë një kryeministër të ri, të përballemi me emergjencat dhe sfidat me të cilat përballet vendi.”- tha një këshilltar i Pallatit Elysee, sipas Politico.eu.
“Ai nuk është i sinkronizuar.”- tha një këshilltar tjetër i qeverisë për Philippen. “Në janar, ai refuzoi të bashkohej me qeverinë; në qershor, ai nuk dëshironte të kandidonte në koalicionin parlamentar dhe këtë verë, ai mungoi plotësisht ndërsa ne po përpiqemi të rindërtojmë shumicën.” Njoftimi i fundit i Philippes pritet të dëmtojë përgjithmonë marrëdhëniet e tij me Macronin dhe centristët e tjerë. Ish-kryeministri Phillippe thuhet se u takua me presidentin Macron për dy orë të hënën, pa i përmendur qoftë edhe një herë planet për të shpallur kandidaturën e tij.


