Debati për pragun elektoral është kthyer në një nga temat më të diskutuara të reformës zgjedhore, duke nxjerrë në pah ndarjet mes partive të vogla, forcave të reja politike dhe partive tradicionale. Diskutimet janë përqendruar te propozimi për një sistem proporcional kombëtar me prag 4%, që sipas mbështetësve garanton stabilitet, ndërsa sipas kritikëve penalizon partitë e vogla.

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka i ftuar në “News24” u shpreh kundër pragut 4%, duke paralajmëruar se ai “mund t’i zhdukë partitë e vogla nga Parlamenti”. Sipas Dukës, sistemi aktual i detyron partitë e vogla të futen në aleancë me partitë e mëdha, ndërsa një prag 2% do të ishte “më i drejtë dhe më funksional” për pluralizmin politik.

Në anën tjetër, Rezart Kthupi në “Euronews” argumentoi se pragu është një mekanizëm normal në sistemet proporcionale. Ai shpjegoi se “sa më i ulët të jetë pragu, aq më shumë shpërndarje në përfaqësim ke”, ndërsa një prag më i lartë kufizon hyrjen e partive të reja në Parlament. Kthupi solli si shembull Norvegjinë, që ka prag më të ulët dhe përfaqësim më të gjerë, si dhe Turqinë, ku pragu 7% kufizon më shumë subjektet e reja politike. Sipas tij, edhe pa prag formal ekziston një “prag natyral”, që në Shqipëri përllogaritet rreth 12.500 vota për të siguruar një mandat deputeti. “Nëse ti e kalon pragun dhe merr rreth 70 mijë vota, mund të marrësh pesë ose gjashtë mandate”, u shpreh ai për News24.

Adriatik Lapaj është pozicionuar në mbështetje të pragut 4%, ai argumentoi se një prag shumë i ulët do të sillte fragmentim të skajshëm politik dhe do të krijonte hapësira për grupime kriminale. “Po të mos ketë prag, krijohet partia e gangsterëve të Shqipërisë së Mesme, e jugut apo e veriut dhe futen në Parlament me disa mandate”, deklaroi Lapaj. Ai shtoi se pragu 4% është zgjedhur si një kompromis mes modeleve europiane: “Nuk thamë 3% që të mos dukej sikur po e bëjmë për interesin tonë, por as 5% sepse do të ishte shumë i lartë për kushtet e Shqipërisë.” Lapaj në “News24” mbrojti gjithashtu edhe idenë e koalicioneve parazgjedhore, duke thënë se ato do t’u jepnin mundësi partive të vogla të bashkoheshin pa humbur identitetin. “Koalicionet parazgjedhore krijojnë mundësinë të bashkohesh për parime dhe jo për pazare pas zgjedhjeve”, deklaroi ai. “15 mandate deputetësh humbën për shkak të egove dhe mungesës së bashkëpunimit”. Sipas tij, reforma zgjedhore duhet të synojë jo vetëm ndryshimin e formulës elektorale, por edhe krijimin e një sistemi më përfaqësues dhe më të besueshëm për qytetarët.

Edhe Arlind Qori, ka shprehur rezerva për mënyrën se si po ndërtohet reforma zgjedhore dhe për ndikimin që sistemi mund të ketë mbi forcat e reja politike. Qori dhe përfaqësues të tjerë të partive të vogla kanë ngritur shqetësimin se sistemi vazhdon të favorizojë Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, duke e bërë më të vështirë për subjektet e reja të sigurojnë përfaqësim proporcional me votat që marrin.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11