
Nga Mentor Kikia
Më telefonoi një ish-student i imi dhe më tha se qeveria ka shpallur thirrje për të punësuar specialistë komunikimi, apo siç quhen ndryshe, specialistë PR-i, për të përmirësuar komunikimin mes popullit dhe qeverisë, në kuadër të “Besës”. -Dua ta provoj një herë – tha ai – por çfarë bëjnë saktësisht këta profe? -Po ja, ti duhet t’i bindësh qytetarët se Shqipëria dhe jeta e tyre, nuk janë ashtu siç e shikojnë ata, por ashtu siç duam ne që ta shikojnë ata. -S’mora vesh gjë profe. Por në njoftim thuhet se duhet të vini me një ide të mirë, se çfarë mendoj unë se mund të bëj në fushën e komunikimit.
Ke ndonjë ide ti se me çfare ideje të shkoj unë? -Po them nja dy gjëra, por s’e di a do të bëjnë punë. Mund të thuash, psh: -Nëse populli ankohet se nuk ka ujë, unë do ta bëj të mendojë se ujë mund të mos ketë vërtet, por ama duhet të jetë krenar që Shqipëria është e para në Botë për sigurinë kibernetike. -Nëse populli thotë se nuk ka ilaçe në spitale, unë do i them se ilaçe vërtetë mund të mos ketë, por ama duhet të jemi krenarë që në vendin tonë u arrit të prodhohen makina e kamione ushtrie, zjarrfikëse e autoambulanca dhe se 30 vende janë në radhë për të blerë kamionët dhe armët që do të prodhojmë ne.
-Nëse populli thotë se na mbytën plehrat dhe ujërat e zeza derdhen në lumenj e dete, do i themi se vërtet ka ca plehra, por ama, mos harroni se sipas një studimi prestigjioz Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të gjelbërimit në Ballkan dhe ka politikat me miqësore me mjedisin.
-Nëse populli thotë se është rritur korrupsioni, ne duhet t’i themi se arrestimet nuk tregojnë se është rritur, por që ne po e luftojmë korrupsionin. Dhe kjo është merita jonë. Pra duhet parë pozitivisht. -Nëse do kemi shumë zjarre dhe populli ankohet për ullinjtë e djegur, them të bëjmë një operacion shpëtimi te një familjeje me helikopter dhe vëmë ata të shpëtuarit të thotë në televizione se s’më bëhet vonë për ullinjtë, por falenderojmë shtetin që na shpëtoi jetën. -Këto janë disa ide – e mbylla unë. -A thua na bëjnë punë profe këto? Do ketë konkurrencë të madhe besoj, apo jo? -Do ketë, por mund t’ia dalësh.


