
Shpallja e kreut të demokratëve Sali Berisha si “non grata” nga SHBA-të vijon të nxisë reagime. Ish-ambasadori dhe diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ka rikthyer sërish në vëmendje çështjen duke komentuar sanksionet ndaj Berishës.
Sipas diplomatit Moore “non grata” e Berishës është dhënë pa caktuar prova konkrete. Ai shkon më tej duke thënë se ky vendim është marrë në bazë të thashethemeve që janë bërë në ambasadën amerikane në Tiranë e më pas i janë dërguar Uashingtonit zyrtar.
Moore ka dalë kundër programit për shpllajet “non grata” të disa politikanëve duke e argumentuar me faktin se ai ka shumë të meta dhe ka kërkuar të rishikohet. Moore ka thënë se: “Legjislacion që krijoi këtë tip sanksioni u themelua gjatë administratës së parë të Trumpit në vitin 2018 dhe ishte një përpjekje për të gjetur një mënyrë më efeçiente për të vënë sanksione mbi njerëz të akuzuar për korrupsion”.
Duke analizuar mangesitë e vendimeve, diplomati amerikan thotë se një nga pikat kyçe është barra e provës, pasi këto sanksione kërkojnë fakte, detaje, argumente edhe transaksione financiare që bllokohen nga SHBA-të. “Ka pasur edhe një nxitim për t’i vënë disa njerëz nën sanksione. Zoti Berisha nuk është i vetmi në Shqipëri, subjekt i këtyre sanksioneve”,- tha Moore.
Po sa të vlefshme janë sipas Moorit sanksionet dhe përmbajtja e dëshmive kur kanë kaluar 7 vite. Ai përgjigjet duke thënë se ka shumë njerëz në botë që janë në atë listë që nuk janë marrë nën hetim asnjëherë. Dhe ngrihet pyetja serioze për sa i përket vlefshmërisë së sanksioneve. “Sigurisht që ato mund të sfidohen dhe një problem i dytë me këtë legjislacion është që nuk ka një proces kundërshtimi apo për të parë nëse dikush ka dhënë kontribut pozitiv në interes të SHBA-ve”, -sqaroi ai më tej. Ambasadori Moore e konsideroi parlamentin e ri si një shpresë për të ndërhyrë në Uashington që Berishës t’i hiqet “non grata”.
Kreu i demokratëve është shpallur “non grata” në SHBA në vitin 2021. Ka qenë vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken që ka njoftuar qëndrimin e amerikanëve për Berishën dhe familjen e tij. Në komunikatën zyrtare Blinken shkruan: “Në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve”.
Berisha ka reaguar për akuzat duke hedhur dyshime mbi McGonigalin, Rosinin dhe Lublodevin se janë paguar me mijëra euro, për ta shpallur atë “non grata”. Dosja e Berishës e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi është në dyert e gjykatës nën akuzat për korrupsion e pastrim parash. Pas gjithë debatit, ka dhënë dorëheqjen nga çështja edhe gjykatësja, Elsa Ulliri me pretendimin se ka konflikt interesi pasi është kushërirë me deputeten Andia Ulliri të PD-së.


