Një shkrim Agim Neshos i publikuar nga “Fox News” me titullin “Njihuni me Ramaduron, autokratin progresiv të Evropës, të trajnuar nga Sorosi dhe armik të trumpizmit” e ka kritikuar Evropën se po fuqizon në heshtje autokratë si Rama duke pretenduar se po mbron demokracinë. “I zgjedhur për mandatin e katërt me një shumicë të fuqishme që mund të ndryshojë Kushtetutën, Rama njihet nga kritikët si “Ramaduro” i Evropës, një referencë për Nicolás Maduron e Venezuelës, për korrupsionin e dyshuar, tendencat autokratike dhe mjeshtërinë në mashtrimin politik.”-citon shkrimi. Rama shihet nga Nesho si ish-dishepulli i George Sorosit dhe “Shoqërisë së Hapur” që i shndërruar në një kameleon i përshtatet interesave të sundimtarëve rajonalë. Më tej ai konsiderohet si i nënshtruari i Melonit dhe bashkëpunues me Recep Tayyip Erdoğanin, mbështetës i Macronit. “Nga ky “servilizëm” -vëren Nesho, ai sot është kryeministër me një mandat të katërt qeverisës përmes zgjedhjeve të manipuluara.”

“Kohët e fundit, ka marrë një rol të ri: si socialisti progresist që punoi për të minuar iniciativat e epokës Trump në Evropë. I njohur për retorikën anti Trump përfshirë deklaratën e famshme në “CNN” dhe “Foreign Policy”, ku e quajti Trumpin “turpin e qytetërimit tonë”.  Rama sipas Neshos u bë i preferuari i elitave evropiane dhe demokratëve amerikanë. “Mbijetesa e tij politike varej nga përshtatja me rendin anti Trump, edhe pse udhëheqja e tij brenda vendit po shkon drejt autoritarizmit.”-shkruhet më tej.

Për të mbërritur te pagëzimi i kryeministrit si “Ramaduro”, shkrimi vijon: “Përpjekja e fundit e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të bllokuar rinovimin e kontratës së Chevronit në Venezuelën e Maduros është një shembull guximtar i lidershipit me parime duke i mohuar regjimeve autoritare legjitimitetin dhe burimet.” Në fund të shkrimit kërkohet diplomacia amerikane të ndërmarrë hapa konkretë edhe në Ballkan.

Pas këtij botimi kanë reaguar eksponentë të lartë të PD-së. Vetë kreu Sali Berisha në një postim në “Facebook” e ka konsideruar shkrimin një damkosje historike të Edi Ramës. “Fox News, televizioni më i fuqishëm dhe më i shikuar në SHBA e quan Edi Ramën kreun e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë si “Ramaduro”për ngjashmërinë e tij identike me diktatorin e Venezuelës Nicolas Maduro.”-shkruan Berisha duke iu referuar “Fox News” dhe në fund shton:  “Ramaduro”, pra shpallet si Maduro i Europës. Këtu më poshtë keni artikullin e publikuar sot nga Tv “Fox News!” Ky fokus nuk ka kaluar pa vëmendjen e formatit të medias opozitare dhe panelit të Çim Pekës në “Syri TV”.

Duke ndjekur udhëzimin e Berishës, pasi klikon te linku i shkrimit zbulon detaje që bëjnë diferencën.

Po cila është e vërteta e “pagëzimit” të kryeministrit si “Ramaduro”?

Shkrimi nuk është redaksionale e “Fox News” po mban autorësinë e ish-ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, Agim Nesho (deri në një vit më parë nënkrytar i Partisë së Lirisë së Ilir Metës) dhe Michael Rubin duke mos përfaqësuar linjën editoriale të “Fox News”.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11