
Në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosja. Emri i tij ka ngjallur debat mes radhëve të politikës. Aspak mbështetës ndaj Bashës në drejtimin e kuvendit, Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së ka bërë një postim në rrjete sociale ku shkruan se ajo ishte një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të tij dhe se pasqyron nivelin e tyre dhe mënyrën se si ata e “Projektojnë republikën”.

Abdixhiku shton se: “Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojnë më lart.” Përvoja e tillë politike sipas tij do të tejkalojë: “aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcehen. Dritë një ditë do të ketë.” Bashkimin e votave të PDK-ës me AAK-ën për votimin e Bashës, Abdixhiku e sheh si një gabim trashanik dhe paralajmëroi se kjo e çon vendin në një krizë të re interpretimi nga Gjykata Kushtetuese, dhe ngriti shqetësimin se emri i Dimalit në krye të kuvendit rrezikon një krizë tjetër që lidhet me vendet e rezervuara për të drejtat e minoriteteve, sidomos komunitetit serb.

Analisti Imer Mushkolaj ka dalë kundër deklaratave të Abdixhikut duke shtruar pyetjen retorike se pse LDK-ja nuk e ndaloi atë situatë dhe pse e lejuan fitoren e “injorancës”. Ai shjon më tej duke e përcaktuar LDK-ën si një parti të vogël që po vajton pas një veprimi në të cilin vetë mund të kishte marrë pjesë aktivisht për ta parandaluar. Sipas “REL” Mushkolaj ka theksuar se votimi i Bashës konfirmon se opozita nuk është në gjendje të krijojë qeveri dhe se “VV” tashmë “e kalli lojën”.

Partia Demokratike e Kosovës nuk është e kënaqur me Dimal Bashën si kryetar të kuvendit. Deputetja e PDK-ës Ganimete Musliu është distancuar nga votimi i Bashës, e tha se nuk mund ta votonte pasi ai e ka ndërtuar karrierën mbi urrejtje he përçarje. “Kuvendi i Kosovës ka nevojë për një kryetar që bashkon, jo që ndan. Nuk mund të pranojmë dikë që historikisht ka qëndruar kundër vlerave tona kombëtare dhe institucionale.”-u shpreh Musliu.

Jakup Nura u tregua i ashpër në fjalën e tij duke thënë se është më mirë një luan që udhëheq 100 gomerë, sesa një gomar që udhëheq 100 luanë.” Nura e thellon kritikën ndaj Bashës duke shtuar se zgjedhja e tij është fyerje për votuesit e Kosovës, pasi Basha nuk përfaqëson interesin e qytetarëve dhe është një zgjedhje që dëmton reputacionin e Kuvendit.

Deputetja e LDK-ës, Doarsa Kilica Xhelili e thotë qartë se: “LDK-ja nuk ka vota për asnjë kandidat të VV-së për Kryetar Kuvendi. Situata po sjell humbje të mëdha për Kosovën dhe nuk mund të pranojmë këto veprime pa konsultime dhe pa parime.” Mungesa e dialogut dhe e konsensusit për të e bën situatën të vështirë.

Lista Serbe nuk e ka votuar Dimal Bashën si kreun e ri të kuvendit pasi më herët ai në foltore ka përdorur fyerje dhe kritika ndaj komunitetit serb, duke i dedikuar më shumë se gjysmën e fjalimit ndaj tyre.

Flutura Kusari aktiviste e shoqërisë civile dhe medias në Kosovë nuk ka qenë pro Bashës në krye të Kuvendit e thotë se ai është njëri prej sulmuesve më të mëdhenj të gazetarëve dhe aktivistëve në Kosovë dhe se shpreson që ai tani kontrollojë intolerancën dhe sjelljen ndaj mediave.

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe aktualisht jeton në Ferizaj. Ai ka përfunduar studimet e larta në John Jay College of Criminal Justice në Neë York, ku ka diplomuar me vlerësimin më të lartë (“Summa Cum Laude”) në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”. Më pas, ka kryer studimet e nivelit Master në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në The New School University, gjithashtu në New York. Pas përfundimit të studimeve, Basha ka punuar në fusha të ndryshme, përfshirë menaxhimin e të dhënave dhe analizën e cilësisë së të dhënave për Gjykatën Federale të SHBA-së.
Përveç kësaj, ai ka kontribuar me shkrime dhe analiza në media të ndryshme kosovare, duke trajtuar çështje të sigurisë dhe drejtësisë. Në vitin 2019, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës për herë të parë. Gjatë mandatit të tij parlamentar, ai ka qenë anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Komisionit për Legjislacion, Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, dhe Komisionit për Stabilizim dhe Asociim. Në vitin 2021, ai u rizgjodh deputet dhe vazhdoi angazhimin e tij në Kuvend, duke u bërë një nga zërat më të shquar të LVV-së. Gjatë periudhës së opozitës, Basha ka kritikuar ashpër qeverisjen e mëparshme dhe ka promovuar politika të reja në fushat e drejtësisë, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik. Në fjalimin e tij të parë si Kryetar, Basha theksoi rëndësinë e forcimit të shtetit të Kosovës dhe angazhimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve të tij.


