Kur me raste sporadike po cënoheshin figura të rëndësishme të politikës, audiencat shqiptare në komentet e tyre në rrjetet sociale komentonin se shkrimet seksiste, objektivizimi, sharjet, fyerjet dhe gjuha e urrejtjes kishin të bënin me dimensionin publik të personazheve të targetuara.

Për shembull, vite më parë u targetua zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për transformimin e saj fizik duke mos u kursyer komentet seksiste shoqëruar me një imazh të saj, teksa kryente inspektimin e një tuneli. Edhe sot po të kërkosh me emrin e saj në “Google”, imazhet që të shfaqen janë ato.

Sulmet ndaj personazheve publikë u fuqizuan, teksa muaj më parë u kalua në linçim të një tjetër figure të rëndësishme të qeverisë, edhe kjo grua, të zëvendësministres së Brendshme Romina Kuko, nga një domein që vetëquhet medie.

Por rastet u bënë më të prekshme, ndërsa audiencat nisën të shohin se dhuna digjitale dhe linçimi, kryesisht me bazë gjinore në shënjestrim të grave, e lidhur edhe me mentalitetin e shoqërisë sonë, nisi të prekë edhe gra të tjera, si gazetaret në krye të detyrës.

Nuk kaluan shumë kohë kur pas rasteve të Ballukut dhe Kukos, gazetarja Afrovita Hysaj u përball me linçim dhe kërcënim publik ndërsa po raportonte mbi përdhunimin në grup të një vajze në Vlorë. I dyshuari? Pronari i televizonit “6+1” në Vlorë, Albert Deliaj.

Megjithëse renditja e këtyre ngjarjeve në rend kronologjik sa vjen dhe bëhet shumë shqetësuese, edhe më shqetësuese dhe tragjike bëhet renditja e ngjarjeve që përfshinë në muajt pasardhës viktima, përdoruesit e thjeshtë të teknologjisë.

Një grua 41-vjeçare ndërroi jetë në Sukth të Durrësit, ndërsa duket se nga hetimet paraprake shkak ishte bërë hapja e një profili fals për të.

Muajt e fundit platforma TikTok u kthye në epiqendër të zhvillimeve fatale, pasi një vajzë 27-vjeçare u vetëvra me dyshimin se një foto u publikua për të por po ashtu një 67-vjeçare u arrestua në Sarandë me akuzat se abuzonte nipin në këtë rrjet.

Megjithëse ekspertë komunikimi, gazetarë, juristë apo ekspertë të sigurisë kibernetike kanë ofruar zgjidhjet e tyre (Lexo Këtu për më shumë) sërish nuk po duket se po finalizohet ndonjë përpjekje konkrete përtej polarizimit: të mbyllim rrjetet sociale/mos t’i mbyllim ato.

Hapësira digjitale nuk është vetëm media online

Megjithë retorikën, përpjekjet për një ligj anti-shpifje apo sulmet e politikanëve ndaj medias për ta delegjitimuar atë e ulur besueshmërinë në sy të publikut, duhet kujtuar gjithnjë se problemet e shkaktuara në hapësirën digjitale nuk mund të kenë si faturim të vetëm problemet e shkaktuara nga media online. Hapësira digjitale nuk i përket vetëm medias online por përfshin rrjetet sociale, profile personale, domeine e adresa anonime, domeine propagande etj. (Lexo Këtu për më shumë).

Më shumë se menaxhimi i përmbajtjeve të medieve online, detyrë mbetet menaxhimi i raporteve të çdo përdoruesi të Republikës së Shqipërisë me këtë hapësirë digjitale, që komplikohet për shkak të:

-Zhvillimit të shpejtë të teknologjisë

-Nivelit të lartë të përdorimit të teknologjisë nga audiencat shqiptare

-Nivelit të lartë të informimit të audiencave shqiptare

-Nivelit të ulët të edukimit mediatik të audiencave shqiptare

-Mungesës së përpjekjeve serioze për të ngritur lëndë të posaçme në edukimin e edukatorëve, mësuesve dhe nxënësve për mënyrën si duhet ta përdorin teknologjinë mobile dhe si t’i kuptojnë përmbajtjet mediatike.

Vetëvrasjet që kanë si shkak përdorimin e teknologjisë në Shqipëri duhen raportuar thatë nga media online, me iniciale, pa foto, pa zhbirilime në jetën e viktimës dhe të dyshuarëve, deri aty sa të mos raportohen fare. Mirëpo duket se kjo nuk e zgjidh tërësisht problemin.

-Në treg ka media por ka edhe të vetëquajtura media që në fakt janë veçse domeine dhe operojnë mbi bazën e një kriteri: sa ky postim do mbledhë klikime. Në këtë pikë, tregu do ndahet gjysmë për gjysmë. Dhe publiku po ashtu. Ata që duan të mësojnë mbi ngjarjen, viktimën, të dyshuarit etj. do e kenë gjithmonë një mundësi.

-Nuk duhet ngatërruar marrëdhënia e një qytetari të republikës së Shqipërisë me celularin, me marrëdhënien që ky qytetar ka me konsumin e përmbajtjeve mediatike që qarkullojnë aty. Këtu, padiskutim janë 2 aktorë kyçë që duket se dështojnë në raste pasojash tragjike: familja dhe shkolla. Familja nuk i mëson të miturit që i ble smartfonin se ka në dorë një mjet për të zbuluar botën virtuale por nga ana tjetër mund t’ia përdorin si armë ndaj tij. Pra, dështon për t’i mësuar konceptin e privatësisë, hapësirës publike, rreziqeve në internet, ndarjen mes botës virtuale dhe asaj reale etj.

-Brezat po humbasin vëmendjen për shkak se po përballen me përmbajtje që kërkojnë lexime të shpejta, vënien në përdorim të memories vizive etj. Po humbasin sensin e thellësisë dhe të analizimit të pasojave. Në këtë pikë, ku i riu është edukuar si është edukuar nga familja (p.sh djali është djalë, vajza është vajzë, turpi është për vajzën, djalin s’e gjen gjë) çfarë mund të bëjë sistemi i edukimit? A mundet që shkolla ta bëjë luftën e vetme?

-Jo më pak të rëndësishëm mbeten mentaliteti dhe zhvillimi i shoqërisë dhe se si e kanë aftësinë reaguese institucionet e Republikës së Shqipërisë. Detaje nga ngjarje të ndryshme kanë treguar se institucionet kanë patur dijeni paraprake dhe mund t’i parandalonin ngjarjet makabre. Kjo nuk ka ndodhur në disa raste, përkundrazi, “faji” është transferuar te të dobëtit, media etj. etj.

Si zvogëlohet dhuna në rrjetet sociale

Një sërë zgjidhjesh lidhen me minimizimin e dhunës digjitale, duke nisur nga vetërregullimi i përmbajtjeve mediatike nëpërmjet stafeve mediatike të përgjegjshme, te edukimi mediatik që lidhet me aftësimin e audiencave për të konsumuar dhe prodhuar përmbajtje mediatike.

Duke qenë se çështjet e hapësirës digjitale nuk lidhen vetëm me problematikat e përmbajtjeve të mediave online dhe po kështu duke qenë se edukimi mediatik është një proces i gjatë që duhet pritur pak për efektet pozitive, duket se po ridiskutohet në publik nevoja për zgjidhje të tjera.

Ajo që ka mbetur e paeksploruar plotësisht është ndërhyrja ligjore, për shkak edhe të frikës që ngjalli te profesionistët e medias krijimi i një ligji antishpifje që më shumë se zgjidhje për hapësirën digjitale do të kishte si qëllim kontrollin e mediave.

A ka ardhur koha për t’u ngritur një autoritet i posaçëm për hapësirën digjitale dhe një komision i përhershëm në Kuvendin e Shqipërisë për ta zgjidhur një herë e mirë këtë situatë?

Ditë më parë ka qenë ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj (Lexo Këtu për më shumë) që ka propozuar ndërhyrjen nëpërmjet masave legjislative parandaluese në ligje specifike dhe ato në ligjet penale për të kontrolluar dhe luftuar dhunën digjitale në rrjete sociale.

Gjonaj sugjeron po kështu ratifikimin e protokollit të dytë shtesë të Konventës së Budapestit (zbulimi i provave elektronike) si dhe një autoritet të posaçëm për sigurinë kibernetike.

Sipas saj, do duhet që në Kuvendin e Shqipërisë të ngrihet një komision i përhershëm për çështjet kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet më tej kjo nismë kur problemet në hapësirën digjitale në Shqipëri duhen parandaluar para se të ketë viktima të tjera të dhunës dhe linçimit.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)