
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj doli përpara Komisionit Hetimor për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, më konkretisht për atë të sterilizimit dhe shërbimit të Check-up. Megjithatë, më shumë se një dëshmi që do të hetonte thelbin e çështjes, ajo që ndodhi ishte një shfaqje për publikun me skena jo dhe aq në zbardhje të të vërtetave. Komisioni u shndërrua në një arenë debatesh shterpë, që kanë eklipsuar çdo mundësi për të arritur qëllimin kryesor: dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë. Më shumë u debatua për një prezantim të Beqajt që këmbëngulte ta bënte në “PowerPoint”, për parakalimin e tij me pranga ndërsa shoqërohej nga forcat e policisë, apo dhe debate teknike për rendin e ditës sesa për arsyet e ngritjes së këtij komisioni. Asnjë informacion i vlefshëm nuk u dha mbi thelbin e hetimit.

Dita 1 – Kërkesa për “powerpoint” shkakton debate
Mbledhja e datës 12 nëntor u shoqërua me mbi 9 orë diskutime të nxehta mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Dy palët e përfshira në komision nuk gjetën asnjë konsensus mbi mënyrën se si duhej të dëshmonte Beqaj. Ai kishte kërkuar të prezantonte qëndrimet dhe deklaratën e tij përmes materialeve të përgatitura në Power Point, imazhe, audio apo video, por kjo u refuzua nga kryetarja e komisionit, çka solli debatet.
Opozita, e përfaqësuar nga kryetarja e komisionit Albana Vokshi, akuzoi mazhorancën, për një skenar të qëllimshëm që kishte për qëllim pengimin e dëshmisë së ish-ministrit. Vokshi akuzoi PS-në se nuk duan të lejojnë seancën pyetje përgjigje dhe se skenari me prezantim ishte krijuar që mos të dëshmojë Beqaj për të fshehur informacionet e rëndësishme që mund të dilnin në komision. “Është krejt e lexueshme lëvizja juaj, e nxorët me pranga me duar vetëm për të bërë show ndërkohë që ju nuk doni ta vijoni, nuk doni të merrni dëshminë, doni të fshini vjedhjet. S’doni të lëmë kohë të thirret Vilma Nushi e Edi Rama.”– tha Vokshi.
Nga ana tjetër, nënkryetari socialist i Komisionit Plarent Ndreca e kundërshtoi me forcë akuzën dhe e quajti Vokshin “bolshevike” dhe “hitlerjane“, duke theksuar se kjo sjellje ishte një tentativë për të imponuar vullnetin e shumicës dhe për të anashkaluar të drejtën e Beqajt për të folur. Debatet mes të dyve shkuan deri në fyerje personale, duke nxitur një atmosferë kaotike që dëmtoi çdo mundësi për të zhvilluar një mbledhje të qetë dhe produktive.
“Je bolshevike, ke formim Bolshevik. Ti mund te vish nga PD, po aty ka bolshevik, dhe një nga ato je ti. Je kthyer në drejtuese hitlerjane që do ti imponohesh komisionit. Do të bësh hetim gestapoje. S’ke për t’iu imponuar vullnetit të shumicës. Jemi të vendosur që Beqaj të flasë të vërtetën që ai mendon. Ti ke frikë nga power point i tij.”– tha nënkryetari socialist i komisionit.



Dita 2 – A e kërcënoi Beqaj opozitën?
Meqë ditën e parë nuk iu lejua “powerpointi”, ish-ministri i Shëndetësisë i kishte printuar fotot që donte të prezantonte. Por as në mbledhjen e së mërkurës Beqaj nuk arriti të jepte dëshminë, për shkak të një sërë debatesh që shpesh kaluan në fyerje personale dhe mosmarrëveshje për rendin e ditës. Një nga momentet më të nxehta të mbledhjes ndodhi kur Beqaj, pas mesnatës së të mërkurës, u shfaq para komisionit dhe iu drejtua deputetëve të opozitës me tone të ashpra. Ky veprim shkaktoi një reagim të fortë nga deputetët e PD-së, të cilët kërkuan ndërhyrjen e policisë për ta rikthyer Beqajn në burg, duke theksuar se ky veprim ishte një skandal.
“Kush je ti more, kush je ti që hyn ashtu?! Urgjent policia ta kthejë në burg Ilir Beqajn! Guxon të hyjë në atë mënyrë në sallën e mbledhjeve të Komisionit. Sekretaria njoftoni policinë. Çojeni tani. Urgjent të vijë policia.”- thërriste kryetarja e Komisionit Albana Vokshi.
Po ashtu edhe deputetja Ina Zhupa e cilësoi situatën si një provokim dhe kërkoi që Beqaj të kthehej në qelinë e tij pasi kishte kaluar koha e lejes së tij. “Ilir Beqaj tani duhet të shkojë atje ku ka vendin, ne të vazhdojmë diskutimet këtu. Ky komision nuk mund të bjerë peng i telefonatave të Ndrecës, që kam folur unë dhe kam marrë leje. Ju zonja kryetare mbani përgjegjësi sepse ju çoni shkresat. Nëse këta duan të bëjnë show dhe t’i japin një natë liri Beqajt, më vjen shumë keq. Sot është data 14 nëntor, leja që keni marrë për Beqjen është për 13 nëntorin.”– tha ajo.
Pas ngjarjeve në komision, Beqaj reagoi nga qelia, duke sqaruar se kishte hyrë në sallë vetëm për të shprehur revoltën për trajtimin që po i bëhej gjatë orëve të pritjes. Sipas Beqajt, nuk kishte kërcënuar askënd, por kishte kërkuar që të respektohej orari dhe procedurat për të dhënë dëshminë, duke refuzuar të lejohej të përballet me një komision që e trajtonte me përbuzje.
“Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcënuar apo fyer askënd. I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj.”– tha Beqaj. Reagimi u bë nëpërmjet avokatit të tij.
Skena e Beqajt me prangat
Një tjetër moment që shkaktoi diskutime ishte mënyra si Beqaj u paraqit në Kuvend. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u rikthye në Kuvend më 12 nëntor, i shoqëruar nga forcat e policisë dhe me pranga në duar, pas katër muajsh qëndrimi në burg për akuzat për abuzim me fondet e Bashkimit Europian. Ai u shfaq me pranga në duar, të cilat mundohej t’i mbulonte nën xhup, një gjest që ngjalli, nga njëra anë empati për të, por dhe urrejtje nga një palë tjetër që e konsideronin turpërimin e ish-ministrit të merituar. Kjo skenë e Beqajt me pranga në të dyja ditët, nxiti debate televizive dhe në rrjet.

Dështimi i Komisionit
Përfundimisht, pas orësh të tëra debatesh dhe akuzash për dy ditë me radhë, Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-up në Shëndetësi, i ngritur për të hedhur dritë mbi dy prej kontratave më të diskutueshme në sektorin e shëndetësisë, dështoi në realizimin e qëllimit të tij. Rezultati i komisionit ishte ky: kishte një dëshmitar të pranishëm në korridoret e Kuvendit por pa i marrë dëshminë dhe nuk arriti të miratojë asnjë raport përfundimtar të punës së tij 8 mujore.
Që ky komision dështoi e pranuan dhe vetë palët. Të enjten në Kuvend deputetët e PD-së kërkuan zgjatjen e afatit të komisionit hetimor me 3 javë në mënyrë që të merret në pyetje kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi, si dhe që komisioni të përgatisë një raport. “Komisioni se ka përfunduar ende planin e tij të punës dhe për sa kohë s’ka përfunduar, nuk mund të ndërpritet aktiviteti hetimor. Afati ka mbaruar dje dhe ju s’i dhatë kohë Komisionit për raportin përfundimtar që t’i paraqitej seancës parlamentare. E keni vrarë Komisionin, s’e keni lejuar opozitën të bëjë punën e saj. Sot duhej të diskutohej raporti përfundimtar i Komisionit, ndaj vendimmarrja juaj është kundër ligjit, Kushtetutës dhe rregullave të Komisionit parlamentar. Mblidhni konferencën dhe zgjasni afatin e Komisionit, t’i japim edhe dy javë për raportin e një javë për hetimin, total 3 javë e të biem dakord, e të mos pengojmë punën e komisionit.”- tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.
Kësaj kërkese të opozitës, kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali u përgjigj duke thënë se ky komision ishte shtyrë dy herë por opozita nuk e kishte shfrytëzuar si duhet kohën. Ministri Niko Peleshi tha se ishte opozita ajo që pengoi Komisionin, duke përdorur fjalët: “vrau gjatë natës Komisionin për ta qarë sot gjatë ditës në Kuvend”. Maxhoranca nuk dha konsensusin për ta zgjatur hetimin parlamentar dhe kërkesa e opozitës nuk u hodh për votim.



Komisionet e mëparshme hetimore – Rastet Tahiri dhe Ahmetaj
Ka dy komisione të mëparshme hetimore ndaj ministrave socialistë nga e cila opozita dhe maxhoranca mund të kishin nxjerrë disa mësime: hetimi parlamentar për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe Saimir Tahirin si dhe hetimi për inceneratorët dhe Arben Ahmetajn. Këto dy komisione ofrojnë një pasqyrë të qartë të problemit të përplasjeve politike që mund të pengojnë proceset e hetimit dhe të mbikëqyrjes.
Komisioni i parë nisi pas publikimit të informacionit për lidhje të mundshme të Tahirit me grupe kriminale të lidhura me trafikun e drogës, që solli një betejë të ashpër mes opozitës dhe maxhorancës, me PD-në dhe LSI-në që bojkotuan mbledhjet e komisionit edhe pse ishin ata që kishin kërkuar ngritjen e tij. Pavarësisht nga komisioni, në fund të vitit 2018, Tahiri u dënua por dënimi ndaj tij nuk përfshiu akuzua për përfshirje direkte në trafikun e drogës. Ai u dënua për “shpërdorim të detyrës” duke i shpëtuar akuzave të tjera.
Komisioni Hetimor për inceneratorët u ngrit në vitin 2021. Pas disa muajsh diskutimesh dhe përplasjeve mes palëve, ky komisioni hetimor nuk arriti të nxirrte ndonjë rezultat të dukshëm. Madje kishte akuza se kishte shërbyer për të prishur hetimet e prokurorisë. “Komisioni ka shërbyer deri diku për të mbuluar një nga aferat më korruptive dhe skandaloze të vendit. Anëtarë të opozitës në Komision nuk janë pyetur apo s’u është marrë asnjë mendim për raportin.”- shprehej Albana Vokshi dy vite më parë. Por ndryshe nga komisioni i Beqajt, Tahiri dhe Ahmetaj iu nënshtruan pyetje-përgjigjeve.


