Protestat masive që kanë përfshirë Iranin ditët e fundit janë shoqëruar me një shtypje të ashpër dhe përdorim të dhunës vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë, sipas dhjetëra dëshmive të mbledhura nga BBC Persian. Dëshmitarë okularë nga qytete të ndryshme të vendit flasin për qëllime direkte ndaj protestuesve të paarmatosur, trupa të pajetë në rrugë dhe spitale të mbingarkuara.

“E pashë me sytë e mi, ata qëlluan drejtpërdrejt mbi rreshtat e protestuesve dhe njerëzit ranë aty ku qëndronin,” thotë Omid, një burrë në fillim të të 40-ave, emri i të cilit është ndryshuar për arsye sigurie. Ai ka protestuar në një qytet të vogël në jug të Iranit kundër përkeqësimit të kushteve ekonomike. Sipas tij, forcat e sigurisë përdorën armë automatike të tipit kallashnikov kundër protestuesve të paarmatosur. “Ne po luftojmë një regjim brutal me duar bosh,” shprehet ai.

Protestat u intensifikuan pas thirrjeve të Reza Pahlavit, djalit në mërgim të shahut të fundit të Iranit, ndërsa një nga tubimet më të mëdha mbarëkombëtare u zhvillua të enjten, në natën e dymbëdhjetë të demonstratave. Një ditë më pas, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei deklaroi se “Republika Islamike nuk do të tërhiqet”, paralajmërim pas të cilit, sipas dëshmive, ndodhi edhe gjakderdhja më e rëndë.

Një e re nga Teherani e përshkruan të enjten si “ditën e gjykimit”. “Edhe lagjet më të largëta ishin të mbushura me protestues. Por të premten, forcat e sigurisë vetëm vrisnin dhe vrisnin. Ishte një ditë e përgjakshme,” thotë ajo. Sipas saj, Teherani u shndërrua në një fushëbetejë, ku protestuesit brohorisnin ndërsa përballë kishin forca të armatosura rëndë. “Është një luftë e njëanshme,” thekson ajo.

Dëshmi të ngjashme vijnë edhe nga Fardis, në perëndim të Teheranit, ku sipas banorëve, anëtarë të forcës paramilitare Basij sulmuan papritur protestuesit, duke qëlluar me municion të vërtetë. Sipas dëshmitarëve, makina pa targa hynin në rrugica dhe qëllonin edhe mbi banorë që nuk ishin pjesë e protestave. “Dy ose tre persona u vranë në çdo rrugicë,” pohon një prej tyre.

Raportimi nga Irani është bërë jashtëzakonisht i vështirë, pasi autoritetet kanë ndërprerë aksesin në internet dhe mediat ndërkombëtare nuk lejohen të punojnë lirshëm në vend. BBC Persian është e ndaluar zyrtarisht të raportojë nga brenda Iranit dhe mbështetet kryesisht në dëshmi të drejtpërdrejta, pamje të verifikuara dhe burime mjekësore.

Organizata Iran Human Rights, me bazë në Norvegji, raportoi se të paktën 648 protestues janë vrarë, përfshirë nëntë nën moshën 18 vjeç. Megjithatë, burime lokale flasin për shifra edhe më të larta, që variojnë nga disa qindra deri në mijëra viktima. BBC thekson se këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë publikuar statistika zyrtare për numrin e të vrarëve.

Mjekë dhe infermierë nga qytete të ndryshme kanë raportuar për trupa të shumtë të pajetë dhe protestues me plagë të rënda, veçanërisht në kokë dhe sy. Spitalet, sipas tyre, janë mbingarkuar dhe në disa raste trupat nuk u janë dorëzuar familjeve. Dëshmi të tjera flasin për varrosje të menjëhershme dhe për kërkesa nga forcat e sigurisë për “pagesë për plumbat” përpara lirimit të trupave.

Pamje të publikuara në rrjete sociale dhe të verifikuara nga BBC Persian tregojnë makina policie dhe ndërtesa qeveritare të djegura, si dhe turma të mëdha protestuesish në qytete si Teherani, Karaj, Rasht, Mashhad, Shiraz, Babol dhe Khorramabad.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi se ishte “i tronditur nga raportet për dhunë dhe përdorim të tepruar të forcës nga autoritetet iraniane”. Ndërsa raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, Mai Sato, theksoi se “pavarësisht numrit të viktimave, përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë është thellësisht shqetësues”.

Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “BBC”-së.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10