
Gazetarja Afrovita Hysaj, drejtuese e medias online “Disidentët”, është vendosur përsëri në qendër të vëmendjes për shkak të padisë së ngritur nga deputetja e Partisë Socialiste për qarkun Vlorë, Pranvera Resulaj, para këtij posti Resulaj drejtonte Drejtorinë e Tatimeve në Vlorë.
Deputetja e ka paditur gazetaren duke ju drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë me akuzën e mashtrimit, shpifjes dhe gjuhës raciste. Kjo sepse sipas deputetes, gazetarja e ka përdorur në shkrimet e saj me qëllim dëmtimin e imazhit të saj si figurë publike.
Si nisi përplasja midis gazetares dhe deputetes
Në shkrimet e faqes “Disidentët”, Pranvera Resulaj është përmendur se është shkarkuar nga detyra kur drejtonte Tatimet, që ka 2 apartamente në pronësinë e saj dhe se është me origjinë nga qyteti i Librazhdit.
“Kjo faqe, nëpërmjet mashtrimit, shpifjes dhe gjuhës raciste ndaj një figure publike dëmton shëndetin e shoqërisë në tërësi, intimidon dhe vendos nën presion negativ njerëzit e ndershëm, duke i detyruar të tërhiqen nga jeta publike sepse në të kundërt mund të bëhen objekt tallje dhe denigrimi të figurës.”- shkruan Resulaj në postimin e saj në Facebook.

Pas padisë së ngritur, gazetarja Afrovita Hysaj ka reaguar duke thënë se shkrimet e saj për deputeten qëndrojnë dhe se këto mund të konfirmohen mjaft mirë duke qenë se janë të dhëna publike dhe janë vënë në dukje dhe nga media të tjera të ndryshme. Hysaj gjithashtu është shprehur se do të mbajë përgjegjësi nëse këto shkrime do të rezultojnë shpifje.
“Megjithatë, nëse ndonjë prej shkrimeve tek faqja ‘Disidentët’ rezulton të jetë shpifje, jam unë e para që mbaj përgjegjësi personale e ligjore. Në kaq vite gazetare jam koshiente që shkrimet do kenë reagim, edhe si ky i deputetes. Dhe e mirëpres… madje i them bravo sepse keni nisur një proces që më besoni do jetë interesant.”– shkruan ajo në postimin e saj në Facebook.
Gjithashtu Hysaj është ndalur dhe në faktin se Resulaj i ka nxjerrë në Facebook të dhënat private, adresën e familjes, lagjen, rrugën, pallatin dhe numrin e derës së shtëpisë.



Dhe shton se deputetja do duhet të mbajë përgjegjësi në rast se gazetarja apo familja e saj do të kërcënohet.
“Zonja deputete, besoj se nëse do ketë raste ku familja ime apo unë të kërcënohem jeni ju ajo që do mbani përgjegjësi? Të publikosh adresën e shtëpisë sime, tek militantët tuaj ka sigurisht pasoja… E për këtë deputete publikisht po e deklaroj: përgjegjësia është e juaja.”- shkruan gazetarja Afrovita në faqen e saj në Facebook.

Lidhur me këtë përplasje ka reaguar dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), që del në mbështetje të gazetares dhe dënon padinë e deputetes.
AGSH thekson se humori dhe satira, të cilat janë të mbrojtura nga Neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, i lejon medias ta teprojë dhe madje të provokojë, përderisa ato nuk çorientojnë publikun.
Mes të tjerash, shqetësimi kryesor që AGSH ngre është fakti se deputetja Resulaj ka publikuar në rrjetet sociale të dhënat personale të gazetares.
Përplasja e gazetares me televizionin lokal 6+1 Vlora Tv
Kjo nuk nuk është hera e parë që gazetarja Afrovita Hysaj vendoset në qendër të vëmendjes. Në tetot të vitit të kaluar, televizioni lokal 6+1 Vlora Tv e ka etiketuar gazetaren me terma fyese, duke e akuzuar se ka përfshirë padrejtësisht televizionin në një ngjarje.
Bëhet fjalë për përdhunimin e një vajze 26-vjeçare nga tre djem. Lidhur me këtë ngjarje, gazetarja Afrovita Hysaj raportonte asokohe se janë të përfshirë 4 djem, dhe jo 3 sikurse ishte thënë në deklaratën e policisë.
Hysaj ka dhënë detaje më shumë mbi ngjarjen, duke zbuluar se motrat e dy prej autorëve të dyshuar janë drejtoresha në administratë. Ndërsa një i tretë është familjar i drejtuesit të televizionit lokal 6+1 Vlora. Raportim që më pas solli reagim nga vetë pronari i televizionit, i cili e kërcënoi gazetaren me mesazhin në Whatsapp: “Je në gjak me mua!”.
Ky rast solli shumë diskutime dhe reagime, duke vënë dhe njëherë në pikëpytje rolin e gazetarit në Shqipëri.


