
Deputetja Marjana Koçeku ka bërë publike një situatë ende të paqartë me grupin e njohur si Bajrat e Shkodrës. Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, deputetja i paralajmëron ashpër nëse i prekin familjen. “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën,” shprehet ajo. Ditë më parë Koçeku, pas intesifikimit të protestave njoftoi largimin nga partia Socialiste duke bërë të ditur se do dilte si e pavarur. Ajo sqaron se idealet ia caktojnë kufijtë. “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë,” është shprehur ajo.
Marjana Koçeku përfaqëson socialistët në qarkun e Shkodrës pasi fitoi në zgjedhjet e 11 majit. Pas vendimit për t’u larguar, ajo ka hedhur akuza ndaj PS-së se i ka kufizuar mandatin e deputetes. “Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet,” deklaroi Koçeku.

Ajo i ka dalë përballë partisë Socialiste duke e sfiduar me kërkesën për të provuar forcën e tyre politike në zgjedhje të jashtëzakonshme. “Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni Parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka,” shkruan Koçeku.
Pas këtij propozimi, Koçeku ka thumbuar me angazhimin e vet në terren, ndërsa u ka përmendur socialistëve edhe kandidimin e saj në Tiranë, përtej origjinës së saj nga malësia. “Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde,” tha ajo.


