
Papa Leo pas ngjitjes në fronin e tij i ka dhënë prioritet familjes dhe paqes. Në meshën e së dielës, papa ka kritikuar shfaqen e lëvizjeve politike nacionaliste ku nuk ngurron t’i quajë “fatkeqe” edhe pse nuk lakoi asnjë emër konkret udhëheqësish apo vendesh që mund të kenë ngjallur pakënaqësi në këndvështrimin e Vatikanit. Në lutjen e tij ndaj Zotit në meshë nga sheshi i Shën Palit ishte hapja e kufijve, shembja e mureve dhe largimi i urrejtjes.
Falimi i tij para qindra besimtarëve ishte një trokitje në ndërgjegjen e gjithsecilit kur tha: “Nuk ka vend për paragjykime, për ‘zona sigurie’ që na ndajnë nga fqinjët tanë, për mendësinë përjashtuese që, për fat të keq, po e shohim të shfaqet edhe në nacionalizmat politikë.”
Papa Leo, më herët ish-kardinali Prevost i ka patur të mprehta retorikat e tij ndaj politikave të presidentit amerikan Donald Trump dhe nënpresidentit JD Vance. Sipas “Reuters” në një llogari në platformën X, me emrin @drprevost, e pakonfirmuar si në pronësi të papa Leos, (tashmë e çaktivizuar), ai ka qenë i vëmendshëm ndaj vendimeve të Shtëpisë së Bardhë. Me Trumpin ka qenë po aq i ashpër edhe papa Françesku. “Nuk është i krishterë për shkak të qëndrimeve të tij ndaj emigracionit. Një person që mendon vetëm për ndërtimin e mureve, kudo që të jenë, dhe jo për ndërtimin e urave, nuk është i krishterë,” tha Françesku kur u pyet për Trump në vitin 2016.

Krahas kritikave për ndasitë dhe politikat nacionaliste, një tjetër deklaratë domethënëse vjen nga papa Leo. Ai është pozicionuar pro familjes dhe martesave mes nje burri e një gruaje si djepi i ardhshëm i njerëzimit. Ai u shpreh qartë se martesa nuk është një ideal, por masa e dashurisë së vërtetë mes një burri dhe një gruaje. Për papa Leon roli themelor i marrëdhënieve familjare në planin e Zotit është për shpëtimi, duke u mbështetur në leximin ungjillor nga lutja e Jezusit gjatë Darkës së Fundit. Sipas “Catholicnewsagency”, papa Leo XIV theksoi se martesa mes një burri e një gruaje është një dashuri e plotë, besnike dhe pjellore. Duke cituar enciklikën Humanae Vitae të Papa Palit VI nga viti 1968, duke vënë në dukje se dashuria bashkëshortore “Ju bën një mish dhe ju lejon, në imazhin e Zotit, të dhuroni jetën.” Papa Leo u zgjodh më 8 maj për të pasuar Papa Françeskun e ndjerë si udhëheqës i Kishës me 1.4 miliardë besimtarë.


