Kosova prej 18 vitesh është e pavarur nga Serbia. Pas një lufte të gjatë ku janë vrarë mijëra vetë e shumë të tjerë ende rezultojnë të humbur, Kosova shënon historinë më të rëndë të vrasjeve, persekutimeve shpënguljes nga trojet me dhunë të të gjitha formave ndaj një populli. Viti 2008 ndau të tashmen nga e shkuara, duke krijuar shtetin më të ri në Ballkan. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërhyrja e forcave të NATO-s, KFOR-it e shumë organizmave të tjera ndërkombëtare i dhanë fund luftës. Serbia ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se nuk heq dorë nga Kosova, ndërsa ajo vijon të integrohet në politikën ndërkombëtare, ndërsa ka edhe mbështetjen e SHBA-ve. Kosova feston 18 vite e pavarur, ndërsa Gjykata e Hagës mban prej vitesh një proces të gjatë ku ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare akuzohen për krime të rënda. Protestuesit mbushën rrugët e sheshet kryesore të Prishtinës me thirrjet për lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dita e Pavarësisë solli përplasje në distancë me deklarata nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. Media serbe “Kurir” citon Vuçiçin pasi tha se: “Kutia e Pandorës së padrejtësisë dhe shkatërrimit të shteteve sovrane u hap me njohjen e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”. Sipas tij pasojat e pavarësisë janë katastrofike: “Është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike kanë qenë pasojat, jo vetëm për Serbinë, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën dhe botën, nga vendimet jashtëzakonisht të gabuara, si të NATO-s, ashtu si të Evropës dhe Amerikës në vitin 2008 dhe natyrisht edhe në vitin 1999, pra edhe më parë”.

Vuçiçi del kundër NATO-s për shkak të ndërhyrjes dhe mbrojtjen që i bëri Kosovës. “Kur e shikoni sot këtë, atëherë është e qartë se ajo Kuti e Pandorës, e padrejtësisë dhe shkatërrimit të shteteve sovrane, nisi pikërisht atëherë, me vendimin e të fuqishmëve të cilët as që shqetësoheshin dhe as nuk ua ndiente për të drejtën ndërkombëtare. Mendonin se ishin të gjithëfuqishëm, se ishin përfaqësues të Zotit që me mjetet, armët dhe pasurinë e tyre të madhe mund të ndanin drejtësi me zjarr dhe me shpatë sipas dëshirës”, -thotë ai.

Kreu i shtetit serb, shtoi se: “Atëherë këto veprime i arsyetonin me qëllime më të larta dhe me parandalimin e katastrofave humanitare, por se në fund e kanë vënë veten në një situatë ku sot ndodhen në të njëjtën pozitë dhe po vuajnë nga i njëjti zjarr dhe shpatë. Dhe duhet të shpjegojnë dhe të përdorin të njëjtat argumente që ne i përdornim para 18 apo 27 vitesh. Pra, është e qartë se bëhet fjalë për fillimin e rrënimit të rendit botëror në periudhën ndërmjet viteve 1999 dhe 2008”.

Ai pranon ato që i quan “gabimet” e bëra nga Serbia që çuan në fitoren dhe lirinë e Kosovës, por i qëndron mendimit se Serbinë nuk kanë mundur ta thyejnë: “Mund të flisja edhe për gabimet tona në vitet ’90 dhe 2000, për mungesën e angazhimit të mjaftueshëm, për konfliktet e brendshme që prodhonin tensione në atë kohë dhe për faktin që nuk kishim një udhëheqje mjaftueshëm të fortë për të qëndruar pas popullit dhe shtetit të vet, por që merrej vetëm me rezultate zgjedhore. Megjithatë, kanë kaluar 18 vite, çdo vit është gjithnjë e më i vështirë, por Serbinë nuk kanë arritur ta thyejnë”,- tha presidenti Vuçiç duke përdorur si argument Kushtetutën dhe të Drejtën Publike Ndërkombëtare si dhe Rezolutën 1244 dhe ironizoi SHBA-të duke u shprehur se: “E drejta ndërkombëtare nuk mund të rrënohet vetëm sepse një fuqi e madhe e dëshiron këtë”.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë kosovare, Albin Kurti i ka kujtuar Vuçiçit skandalin e “Sarajevo safari”dhe kërkoi krijimin e një Gjykate Speciale me qëllim hetimin dhe gjykimin e vrasjes së civilëve boshnjakë me snajper në vitet e 90-të. Sipas tij Vuçiç ka marrë pjesë në “Sarajevo safari”, ku duke paguar mund të qëlloje civilë boshnjakë nga kodrat përreth Sarajevës.

Lexo edhe: https://gogo.al/hetim-ne-itali-per-turizmin-e-snajpereve-gjate-luftes-ne-bosnje-te-pasurit-qe-paguanin-per-te-vrare-civile-ne-sarajeve/

“Koha.net” në Kosovë shkruan se Kurti në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, tha se e ashtuquajtura “Shtëpia e verdhë” për trafikim të organeve në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë dhe se ajo është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së. “Ajo është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev, më 15 prill 2008, as dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç”,- tha Kurti.

Pasi preku një çështje të ndjeshme si “Sarajevo safari”, Kurti vlerësoi Luftën Çlirimtare të UÇK-së si të drejtë e të domosdoshme për mbijetesën. “Ai nuk mund dhe nuk do të ndryshojë një e vërtetë themelore dhe historike. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet”. Pas përpjekjeve për ta inkriminuar UÇK-në në gjyqin ndaj ish-krerëve të saj në Hagë: “Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës dhe një represioni sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë, deri në gjenocid. Ky proces nuk mund të vërë në dyshim karakterin çlirimtar dhe antikolonialist të luftës sonë dhe as aspiratën legjitime të Kosovës për liri dhe barazi”,-theksoi Kurti.

“Kutia e Pandorës” dhe “Sarajevo safari” kanë ndezur një replikë të ashpër mes tyre, duke sjelllë nevojë për t’i hetuar çështjet që mund të trondisnin politikën në rajon.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13