
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, pretendon se ndihmat, veçanërisht mielli i shpërndarë në prill, në zonën e Maliqit janë përdorur si mjet për blerje votash nga Partia Socialiste. Nga ana tjetër, përfaqësues të Kishës nga e cila është bërë edhe shpërndarja e ndihmave thonë se kjo është thjesht një ndihmë humanitare për familjet në nevojë dhe nuk ka lidhje me politikën.

Xhensil Shkembi, gazetar dhe pjesëtar i komunitetit kishtar në Maliq, reagoi me indinjatë ndaj deklaratave të Spahos, duke sqaruar se ndihmat janë pjesë e një projekti 3-vjeçar të fondacionit “Hope for Albania”, dhe shpërndahen rregullisht gjatë vitit për më shumë se 200 familje në nevojë në qarkun e Korçës.
“Kisha asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim të ngatërrojë humanizmin me politikën, sepse kisha është fe, është familje, është atdhe. Krejt ndryshe nga politika,” shkruan Shkëmbi. Ai shton se veprimi i Spahos ka cënuar rëndë dinjitetin e grave përfituese: “Zoti Spaho, gratë të cilat i kishit ekspozuar në foto (duke shkelur rëndë privatësinë e individit) janë ndjerë të fyera nga ana juaj. Barrë të rëndë ke marrë përsipër, deputet!”
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Edmond Spaho mohon se ka sulmuar personalisht një gazetar dhe thekson se targeti i tij janë strukturat e Partisë Socialiste. Ai ngre dyshime mbi mënyrën e shpërndarjes së ndihmave, duke pretenduar se ato nuk janë shpërndarë në ambientet e kishës, por në banesa të lidhura me përfaqësues të PS-së. “Nëse mielli ishte humanitar, Kisha e shpërndan në oborrin e saj dhe jo në shtëpitë e dy anëtarëve të PS-së, njëri punonjës në bashkin Maliq dhe tjetri në një institucion shtetëror. Aq më tepër kur kjo bëhet në kulmin e fushatës elektorale,”– deklaroi Spaho.
Ai vijon më tej duke vënë në dyshim paanshmërinë e Kishës: “Nuk mund ta kapërdij termin ‘humanitar’, kur pastori i Kishës është anëtar i këshillit bashkiak në Maliq, i zgjedhur nga PS. Klerikë të tillë gjen vetëm në PS. Toni Gogu është pastori tjetër deputet.”
Spaho njoftoi gjithashtu se çështja është kallëzuar në SPAK, së bashku me një tjetër padi ndaj 8 punonjësve të administratës lokale dhe qendrore që, sipas tij, kanë bërë fushatë gjatë orarit zyrtar.
“Rastin e miellit e kemi çuar në SPAK dhe uroj të kenë këllqe ta zbardhin,”– përfundon Spaho.

Përplasja mes Spahos dhe Shkëmbit ka shkuar edhe drejt ashpërsimit, ku Spaho e ka quajtur Shkëmbin “gazetar të regjimit”. “Po të kujtoj ty Xhensil “gazetari” i rregjimit, që pastori Plator Collaku është anëtar i Këshillit Bashkiak nga PS-ja. Pra “feja” jote dhe e pastorit janë punet e PS-së dhe jo punët e Zotit. Fene e keni si maskë për paudhësitë tuaja.”- u shpreh ai.
Ky debat ka përfshirë opinionin publik dhe rrjetet sociale, duke ngjallur diskutime për kufijtë mes ndihmës humanitare dhe propagandës politike në prag të zgjedhjeve. Dilema mbetet: a është ky një akt humanizmi i keqinterpretuar për qëllime politike, apo një taktikë elektorale e maskuar?


