
Mbrëmë Donald Trump dhe Kamala Harris patën përballjen e tyre të parë në debatin presidencial 90 minutësh, që u mbajt në ABC News. Pasi iu përgjigjën të gjitha pyetjeve dhe u kthyen në shtëpi, të dy palët shpallën fitoren e këtij debati.
“Mendoj se ishte debati im më i mirë ndonjëherë, veçanërisht pasi ishte tre me një.”– shkroi Donald Trumpi, duke pretenduar se përveç Harrisit kishte kundërshtarë në atë debat dhe dy gazetarët e rrjetit televiziv. Ndërkohë nga kampi demokrat, fituese e debatit u konsiderua zv.presidentja. Zëdhënësi i fushatës së Harrisit, Brian Fallon shkroi në “X”: “Ishte kënaqësi. Le ta bëjmë përsëri në tetor”.
Se si ishte rezultati i vërtetë i këtij debati duhet ta ndjekësh vetë atë për të krijuar një opinion të pavarur, pasi nëse i referohesh mediave ke dy interpretime të ndryshme. Media si “New York Times” shkruajnë se Trumpi u turpërua në këtë debat dhe e krahasojnë atë me presidentin Joe Biden dhe debatin e tij të fundit, ku amerikanëve iu hapën sytë se ai nuk ishte më në gjendje të drejtonte vendin, media të tjera si “New York Post” thonë se dy moderatorët e debatit u treguan të butë me Harrisin, ndërsa Trumpin e ngacmonin dhe e ndërprisnin tërë kohën.

Shtrëngimi i duarve
Kur Harrisi dhe Trumpi u ngjitën në skenë, ishte hera e parë që ata u takuan personalisht. Inaugurimi i Bidenit si president ishte një shans kur ata mund të takoheshin, por Trumpi refuzoi të merrte pjesë. Në momentin kur Trumpi u ngjit në skenë, ai qartazi nuk donte t’ja jepte dorën Harrisit dhe iu drejtua vendit të vet, pavarësisht se e pa zv.presidenten që po vinte drejt tij. Por Harrisi nuk u step dhe i shkoi Trumpit në foltoren e tij dhe i dha dorën duke u prezantuar: “Unë jam Kamala Harris, si jeni? Le të bëjmë një debat të mirë.” “Gëzohem që të shoh”-iu përgjigj Trumpi. Ky ishte shtrëngimi i parë i duarve në një debat presidencial që kur Trumpi dhe Hillary Clinton u përballën në vitin 2016.

Për çfarë debatuan Trumpi dhe Harrisi
Debati presidencial në SHBA mbuloi shumë nga çështjet që mund t’i prisnit si – aborti, imigracioni dhe ekonomia. Tre nga çështjet më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të debatuara mes amerikanëve. Por gjithashtu nga ky debat dolën tema të reja, madje dhe disa tema të pazakonta.
5 deklarata që s’duhet t’i humbni:
“Ata po hanë qentë” – kështu u shpreh Donald Trump duke iu referuar emigrantëve nga Haiti që kishin ardhur në Ohajo. Sipas tijj ata po hanë kafshë shtëpiake. Mirëpo zyrtarët e qytetit nuk kanë gjetur asnjë provë për të mbështetur pretendimin e Trumpit.
“Kjo puna e heqjes së armëve të të gjithëve, Tim Walzi dhe unë jemi të dy pronarë armësh” – tha Harris duke zbuluar se ajo ishte një pronare armësh dhe në vitin 2019, por kjo mund të shihet si një përpjekje e re për të tërhequr votuesit e moderuar.
“Kam lexuar se ajo nuk ishte me ngjyrë… dhe më pas lexova se ishte me ngjyrë, dhe kjo është në rregull. Secila prej tyre ishte në rregull me mua. Kjo varet nga ajo.” – këtu Trumpi flet për identitetin racor të Harrisit, diçka që ai e ka vënë në dyshim gjatë gjithë fushatës. Harrisi e quajti atë një “tragjedi” që Trumpi “ka tentuar vazhdimisht, gjatë karrierës së tij, të përdorte racën për të përçarë popullin amerikan”.
“Dihet mirë se ai shkëmbente letra dashurie me Kim Jong Un-in” – tha Harrisi kur po flisnin për politikën e jashtme. Ajo sulmoi marrëdhëniet e Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, si dhe me presidentin rus Vladimir Putin. “Ajo po shkon në filozofinë time tani. Në fakt, unë do t’i jepja asaj një kapele MAGA” – tha Trumpi kur debati kaloi në çështjen e tarifave, duke sulmuar Harrisin mbi ndryshimin e pozicioneve të saj politike.

Kamala Harrisi shihet si fituese e këtij debati të parë
Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, pika në të cilën shumë analistë bien dakord është se fituese e këtij debati të parë është Kamala Harris. Në këtë mendim është dhe analisti Doug Schoen. Në një shkrim për “Fox News”, një media që konsiderohet më pranë Trumpit se të tjerat, ai thotë: “Është shumë e qartë për mua se të martën mbrëma, nënpresidentja Kamala Harris fitoi atë që mund të jetë i vetmi debat mes saj dhe ish-presidentit Trump. Dhe zëvendëspresidentja kishte një ndihmë. Ajo u ndihmua dhe u mbështet nga dy moderatorët e ABC News-it, të cilët me sa duket ndjenin nevojën për të kontrolluar faktet e pothuajse gjithçkaje që tha ish-presidenti.” Ai thotë se ish-presidenti ishte qartazi i irrituar dhe u bë edhe më i ashpër gjatë debatit. Ndërsa zëvendëspresidentja u duk e qetë dhhe me vetëbesim, ndërsa shihte Trumpin të lëkundej nga pytjet e pamëshirshme të saj dhe të moderatorëve David Muir dhe Linsey Davis.
“Megjithëse Harrisi e fitoi qartë debatin sipas vlerësimit tim, nuk është aspak e qartë se ky debat, vetëm 56 ditë para zgjedhjeve, do të ndikojë rrënjësisht në rezultatin e 5 nëntorit.”– shton Schoen. Analisti mendon se Trump foli drejtpërdrejt me bazën e tij të martën mbrëma dhe mbështetësit e tij e kuptuan se me sa paragjykime e trajtoi ABC News këtë process.

“Liderët botërorë po qeshin me ty”
Në këtë debat përpos të tjerave, Harrisi i dha një goditje të fortë Trumpit. Ajo i tha atij se krerët botërorë po “qeshin” me të. Po ashtu, ajo i tha atij: “Kam biseduar me udhëheqës ushtarakë, disa prej të cilëve kanë punuar me ty, dhe ata thonë se je një turp.” Sipas Harrisit, Trumpi është i dobët dhe do ishte zgjedhja e gabuar për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-ve.

Kush foli më shumë
Pavarësisht pretendimeve se nuk u trajtua si i barabartë me Harrisin nga moderatorët, Trumpi foli më shumë se Harrisi gjatë gjithë debatit dhe përfundoi 5 minuta përpara. Konkretisht ish-presidenti Trump foli për rreth 42 minuta e 52 sekonda, ndërsa zv.presidentja Harris foli për rreth 37 minuta e 36 sekonda. Edhe pse rregullat e debatit ishin krijuar për t’u ofruar të dy kandidatëve një shans të barabartë për t’iu përgjigjur pyetjeve, ata mund të zgjidhnin të mos përdornin kohën maksimale të caktuar. Moderatorët gjithashtu u lanë më shumë kohë kandidatëve për të dhënë përgjigje.



