
Aktivisti Baki Goxhaj pritet të dëbohet nga Izraeli pas procedurave ligjore. Sipas “Euronews” ai do largohet me avion nga Izraeli bashkë me shumë persona të tjerë të mbështetur nga Turqia. Lajmi konfirmohet nga organizata ligjore izraelite “Adalah”. Goxhaj u ndalua 2 ditë më parë nga forcat izraelite. Ai dhe shumë të tjerë po dërgonin ndihma në Gaza me flotën e anije ‘Sumud’. Ata tentuan të thyenin bllokadën e krijuar ndaj Gazës. Sipas “The Jerusalem Post”, aktivistët e ndaluar po transportohen në jug të Izraelit, në aeroportin Ramon. Kjo ngjarje ka ngjallur debate e reagime edhe në Shqipëri.

Aktivistja Rezarta Çaushaj shprehet se: “Kapja e flotilave humanitare në ujërat ndërkombëtare bazohet mbi zbatimin e të Drejtës së Konflikteve të Armatosura, seksionimi, konfliktet ose bllokadat detare, jo mbi të drejtën për të lundruar në det të hapur siç pretendohet”. Ajo sqaron se: “Kur ekziston një konflikt i armatosur dhe një bllokadë detare, shteti bllokues gëzon të drejtën e njohur ndërkombëtarisht për të ndaluar, kontrolluar dhe kapur edhe anijet neutrale përpara se ato të hyjnë në ujërat territoriale, mjafton që qëllimi i tyre për të thyer bllokadën të jetë i qartë që nga momenti i nisjes”.

Çaushaj veçon edhe të drejtën zakonore: “Nga pikëpamja e të drejtës zakonore ndërkombëtare, kodifikuar në Manualin e San Remos të vitit 1994, natyra humanitare e ngarkesës (ushqime apo ilaçe) nuk e zhbën dot paligjshmërinë e thyerjes së bllokadës. Kushti kyç që parasheh kjo kornizë ligjore është se shteti bllokues ka të drejtën absolute të përcaktojë rrugët teknike, kohën dhe portet specifike të kalimit ku ndihmat duhet t’i nënshtrohen inspektimit përpara se të futen në territori”. Refuzimi i vetëdijshëm i aktivistëve për t’iu nënshtruar protokolleve të kontrollit, sipas aktivistes i shndërron ata në shkelës të bllokadës. Në fund shpreh edhe qëndrimin e vet: “Nuk jam dakord me poshtërimin që Izraeli u bëri aktivistëve që ndaloi”, dhe shton se nga Shqipëria nevojitet të bëhet një notë proteste.

Një reagim erdhi edhe nga kreu i lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori i cili e quajti “rrëmbim” ndalimin e Goxhajt. Ai më herët shkruajti: “Uroj që trysnia e qeverive evropiane të sjellë lirimin sa më të shpejtë të aktivistit Baki Goxhaj dhe të gjithë aktivistëve të tjerë të cilët, përveçse janë rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare nga ushtria izraelite, janë poshtëruar publikisht nga ministri fashist Itamar Ben-Gvir. Të jetë për Edi Ramën, mund të rrëmbehet gjysma e shqiptarëve dhe s’ka për ta vënë asnjë sekondë ujin në zjarr”.


