
Pas deklaratave të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha mbi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, janë krijuar polemika në mediat italiane dhe shqiptare lidhur me të ardhmen e protokollit për kampet e emigrantëve në Gjadër. Në një intervistë për “Euractiv”, Hoxha u shpreh se marrëveshja aktuale është 5-vjeçare dhe se nuk është i sigurt nëse ajo do të zgjatet pas vitit 2030, pasi deri atëherë Shqipëria synon të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Sipas tij, me hyrjen në BE, territori ku ndodhen kampet nuk do të konsiderohej më “territor ekstraterritorial”, por territor i Bashkimit Europian.
Deklaratat u interpretuan nga disa media si një sinjal për përfundimin e marrëveshjes me Italinë, çka solli reagime dhe debate politike. Gazetari i “Euractiv”, Eddy Wax, publikoi pjesë nga intervista, ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se citimi i shkurtuar ishte “mjaftueshëm çorientues” dhe mund të përdorej sipas interesave të caktuara. Rama theksoi se marrëveshja me Italinë mbetet e pandryshuar, “Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”. Ai shtoi gjithashtu se nuk kishte asnjë konflikt personal me gazetarin, duke ironizuar debatin “Edi kundër Eddy”.
Pas reagimit të Ramës, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shpërndau deklaratën e tij në rrjetet sociale dhe e falënderoi publikisht me fjalët “Faleminderit Edi”, duke dhënë një sinjal mbështetjeje për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve mbi menaxhimin e emigracionit.



