
Kjo e premte ka nisur me një fortunë largimesh në Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj, vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ka zgjedhur të largojë nga detyra disa nga drejtuesit e drejtorive kryesore të Bashkisë së Tiranës, duke i zëvendësuar me emra të rinj. Kështu Veliaj ka ndryshuar plot 12 drejtues. Vetë Bashkia e bëri të ditur këtë përmes këtij njoftimi: “Disa nga drejtuesit e drejtorive kryesore të Bashkisë së Tiranës janë zëvendësuar sot me emra të rinj. Vendimi është marrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka ndryshuar drejtorët e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Policisë Bashkiake, të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, të Tirana Parking, të Kopshtit Zoologjik, Qytetit Studenti, si dhe disa prej qendrave sociale dhe muzeumet. Këto ndryshime duket se vijnë në kuadër të ristrukturimit të Bashkisë së Tiranës dhe freskimit me emra të rinj në detyrë.”
Njoftimi doli në të njëjtën kohë kur përfaqësues dhe mbështetës të opozitës po protestonin para godinës së Bashkisë, siç kanë bërë për muaj me radhë qëkur u arrestuan disa drejtues dhe ish-drejtues bashkie.



Elton Kacidhja ( nuk është më drejtor i UKT-së), Ermal Kapllanaj (nuk është më drejtor i Policisë Bashkiake) dhe Erindi Bejko (nuk është më drejtor i DPN2)
Cilët janë drejtuesit e shkarkuar dhe ata të rinj?
Në krye të UKT-së mësohet se është vënë Elda Muçi duke larguar Elton Kacidhen nga ky post. Toni Beni zëvendëson Ermal Kapllanajn në krye të Policisë Bashkiake, Piro Sinjari drejton tani drejtorinë e Përgjithshme të Mirëmbajtjes Rrugë Ndriçim Sinjalistikë (DPN2) në vend të Erindi Bejko. Në krye të Tirana Parking vjen Flavio Barçi e largohet Erinda Fino. Te Kopshti Zoologjik emërohet Ervis Rrahmani e largohet Rudina Hoxha. Shtëpia Studio “Kadare-Agolli” nga sot ka drejtuese Anisa Ymerin, pasi Brisilda Trako është shkarkuar nga ky pozicion. Anila Shehu largohet dhe Renato Pashollari vjen në krye të RSU1 “Qyteti Studenti”. Blerta Dardha do të drejtojë AMK-në në vend të Arli Naskës, Aldo Aga drejton Qendrën Komunitare Shkozë të cilën deri tani e drejtonte Ervis Rrahmani, ndërsa Qendra Sociale “Strehëza” do drejtohet nga Gentjana Lasku pasi Dorjan Hatibi s’do jetë më në këtë pozicion.



Anila Shehu (nuk është më drejtuese e RSU1 “Qyteti Studenti”), Rudina Hoxha (nuk është më drejtuese e Kopshtit Zoologjik), Erinda Fino (nuk është më drejtuese e Tirana Parking)


Dorian Hatibi (nuk është më drejtor i Qendrës Sociale “Strehëza”) dhe Arli Naska (largohet nga AMK por emërohet te Kopshti Zoologjik)
Hetimet për drejtorët e “5 D”-së
Ndonëse në njoftimin e Bashkisë dërguar disa mediave, thuhet se këto ndryshime vijnë në kuadër të ristrukturimit të institucionit dhe freskimit me emra të rinj në detyrë, arsyeja e vendimit të beftë është e paqartë. Drejtorët e bashkisë së Tiranës janë akuzuar disa herë dhe vetë kryebashkiaku Veliaj është detyruar të paraqitet në SPAK për shkak të vënies nën hetim të disa prej drejtorëve për çështjen “5D” si dhe për Inceneratorin. Disa prej ish-drejtorëve mbahen ende në burg që prej muajit Mars të këtij viti, ndërkohë që të tjerë janë nën hetim. Konkretisht në qeli janë Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe ndërsa 6 zyrtarë të tjerë mbahen në “arrest shtëpie”. Për Qaton dhe Mollën, SPAK thotë se janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, të cilët jo vetëm kanë përfituar në tendera publike por kanë blerë në mënyrë të dyshimtë dhe ambjente apo sipërfaqe toke në zona të ndryshme të Tiranës.
Kur Veliaj u thirr të dëshmonte në SPAK lidhur me dy çështjet më të nxehta të bashkisë më 30 Prill, pas 8 orëve të marrjes në pyetje ai i quajti para kamerave prokurorët kolegë. “Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të hetimit dhe të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka sjellë dhe disa prova të tjera, mu kërkua që të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time. Ndihem vërtet mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar. Unë i pari ndihem i lehtësuar se pata mundësi të them fjalën time.”- shprehej Veliaj asokohe. Pas deklaratës së bujshme, ai u detyrua të sqaronte se këtë e kishte thënë pasi jo vetëm prokurorët, gazetarët, por të gjithë ata që i sheh të angazhuar në një mision të përbashkët, ai i konsideronte si kolegë.
Që pas krizës së fundit që pati në Bashkinë e Tiranës, Veliaj është munduar të përmirësojë imazhin e tij. Kështu në verë ai zbuloi se ka kontraktuar dy kompani britanike dhe gjermane për ta ndihmuar në marrjen e vendimeve dhe proceset e zbatimit të projekteve për transparencë (lexo këtu). Njëra nga këto kompani rezultoi e lidhur me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, këshilltarin që e ndihmoi Edi Ramën të realizonte fushatën e suksseshme të vitit 2013 që e solli në pushtet.


