

Të hënën e 29 Korrikut, Arben Ahmetaj denoncoi Belinda Ballukun, për Tunelin e Llogarasë. Ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj në një intervistë për “Syri TV” dha detaje mbi mënyrën se si sipas tij u kopsitën letrat për Tunelin e Llogarasë dhe si një kompani turke fitoi miliona pa punuar vetë. Sipas Ahmetajt, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka kryer 10 miliard lekë tendera të dyshimtë (lexo këtu).
Nuk kaluan as dy javë dhe për këtë denoncim publik të Ahmetajt opozita bëri ndaj Ballukut një kallëzim në SPAK.
Por cilat janë dy kompanitë që Partia Demokratike i përmend në kallëzimin penal kundër Ballukut dhe si gjenden ato të përfshira në këtë që ka ndodhur?
Kompanitë e lidhura me projektin për Tunelin e Llogarasë janë dy kompani turke: “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”. Pronari i kësaj të fundit është një ish-deputet turk i partisë së Erdoganit.
Historia nisi në në dhjetor të vitit 2020, kur ministria e drejtuar nga Belinda Balluku shpalli tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”.
Sipas kallëzimit kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion” kishte marrë pjesë në garë duke bërë një ofertë me vlerë rreth 140 milionë euro. Por tenderi u anulua nga ministrja Balluku, me argumentin se 5 kompanitë që ishin në garë u skualifikuan se nuk plotësonin kriteret ligjore dhe teknike.
Tenderi u rihap përsëri në Qershor të vitit 2021 (kliko këtu) dhe në garë morën pjesë 5 operatorë ekonomikë, 4 prej të cilëve u skualifikuan dhe fituese u shpall oferta prej 170 milionë euro e një konsorciumi turk.
Bëhet fjalë për një bashkëpunim të dy kompanive: “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”. Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, oferta më e ulët erdhi nga kompanitë shqiptare pa eksperiencë dhe për këtë arsye oferta e tyre nuk ishte pranuar.
Por cilët janë pronarët e dy kompanive turke?
Pronari i kompanisë së parë “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK” është Serkan Çam, një shtetas turk, i datelindjes së vitit 1983.
Pronari i kompanisë së dytë “ASL INSAAT TAAHHUT” është Abdulkadir Kart, i cili ka qenë deputet në Turqi i partisë AK të presidentit Reccep Tayip Erdogan, nga viti 2002 deri në vitin 2007 sipas biografisë së tij në mediumet turke. Po ashtu, sipas përllogarive të “Open Data Albania”, kjo është kompania më e paguar nga buxheti i shtetit shqiptar në vitin 2023.
Një muaj pasi fituan tenderin, në nëntor të vitit 2021, konsorciumi turk i kompanive themeluan në Shqipëri degën e tyre “INTEKAR – ASL”. Kompania me përfaqësues Serkan Çam zotëron 30% të aksioneve, ndërsa kompania tjetër “ASL INSAAT TAAHHUT” me përfaqësues Abdulkadir Kart zotëron 70%.
Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt pikërisht kompaninë e skualifikuar në fazën e parë “Gjoka Konstruksion”, me pronar biznesmenin Rrok Gjoka, i cili në tenderin e parë kishte dhënë një ofertë për 30 milionë Euro më pak. Kjo është ajo pikë që opozita përdor si fakt, që kompanitë turke janë paguar për një punë që e ka bërë një firmë shqiptare.
Pjesë nga denoncimi publik i Arben Ahmetajt për tunelin e Llogarasë:
Ahmetaj: E dyta, Tuneli i Llogarasë ëshë një aferë perse, korruptive. D.m.th, një kompani shqiptare shumë dinjitoze ka garuar në tender dhe ka fituar. Ia kanë anuluar. E ka fituar me 140 milionë euro. Pasi janë bërë takime në Ankara, le ta zgjasim këtë punën e batutave se do t’ju them detaje. I është dhënë tenderi një kombinimi turk, i cili sipas…
Peka: Kush i bëri bisedimet në Ankara…
Ahmetaj: Të gjithë i ke me fotografi. Sipas të gjithave analizave që unë i kam bërë bilancit nuk ka sjellë asnjë makineri. Përsëri punën e ka bërë nënkontraktori prestigjioz “Gjoka”. Ama kompania turke, fiton pas taksash, në përllogaritje në referencë të bilanceve kontabël të tyre që unë i kam studiuar me vëmendje, kombinimi turk 32 milionë euro. 32 milionë pa bërë asgjë. Meqë deshët fakte. Meqë më thatë së, dikush thotë që unë nuk kam fakte. Unë nuk jam 007, nuk ka bërë kush deal me mua për 1 milion arsye. Me kë i bën deal i di vetë ai. Le t’i urdhërojë të gjithë gangsterët, kriminelët. E di ça i thotë qeverisë, më gjeni patjetër çfarë ka bërë Ben Ahmetaj. E thotë në mbledhje qeverie, ma thonë njerëzit e tij. Pra, kombinimi turk vetëm ka faturuar fitimin. Zero makineri dhe pajisje, gjithë punën e ka bërë firma shqiptare. Pyetja është pse ia hoqën Gjokës këta, ai e ka bërë gjithë punën. Pse ia hoqën, 140 milionë, pse u shtua e shkoi 190 milionë euro, me kursin e sotëm. Çfarë ka ndodhur në Ankara? Kujt i tregon ky korrupsion në tendera. Ja ku e ke. Do Altin Dumani të ndjekë pllakat?! Iu hoq tenderi Gjokës me presion, i cili ofroi 140 milionë euro. U ritenderua 190 milionë euro me kursin e sotëm dhe një procedurë e parapërgatitur e merr ‘InterkarASL’, kombinim turk. Kombinimi turk nuk ka sjellë asnjë makineri dhe pajisje në Shqipëri. Gjithë punën e ka bërë Gjoka.
Peka: Pra iu dha dikujt me 50 milionë euro më shumë kosto?
Ahmetaj: Po. Dhe punën e bëri i njëjti që e anuluan. Se ai është i specializuar për tunelet.
Peka: Dhe marrëveshja është bërë në Ankara.
Ahmetaj: Po patjetër, le të thonë sa të duan, jo takime zyrtare. Duan ta vazhdojnë bisedën le ta vazhdojnë. Ky Altin Dumani, heroi i fëmijëve të mi, pse nuk merret me gjakderdhjen?!
Peka: Ministrja përgjegjëse për këtë tender, Belinda Balluku? Ishte Belinda Balluku në Turqi kur u bë ky takim.
Ahmetaj: Merrni dhe investigojeni ti dhe Altini. Ti si gazetar e Altini si prokuror. Jooo do futeshin tek unë, ta çojmë në të s’ëmës këtë, se kështu na ka thënë ky burri i madh i shtetit.
Peka: Vazhdojmë…
Ahmetaj: E dini sa paga ka paguar turku? 2 milionë euro paga. Bechtel-i paguante 50 milionë. Imagjino edhe menaxhimin e ka bërë “Gjoka”, këta kanë marrë para ekstra pa bërë gjë. Le ta investigojnë, nuk kanë këllqe ta investigojnë se i del ai që i del, siç u thotë njerëzve; o Zot kudo që ne hapim një dosje, na del ai, për kryeministrin. Dhe nuk ka këllqe ta vazhdojë. E ka thënë, ia them unë Edi Ramës, kështu e ka thënë. Që sa herë hap një dosje i del ti, sipas atij. Ti që ke thënë që thembra e Akilit të korrupsionit janë tek tenderat, që Infrastruktura ka bërë gati 10 miliardë tendera, bashkia 6, shëndetësia 3 miliardë euro tendera dhe Ben Ahmetaj zero. Dhe ky urdhëroka arrestim për mua! Dhe fillojnë njerëzit, që o vëlla po, patjetër që është politike por kështu janë këta. Ou. D.m.th Shqipëria është vari leshtë për këta. E drejta është vari leshtë për këta. Reforma në drejtësi është vari leshtë për këta, sepse këtu kemi “Kim Jongun” që komandon me batuta të gjithë nëntokën dhe mbi tryezë dhe u dashka që të bëjnë një ish-zv.kryeministër “kokë turku” që ta përdorim dhe si statistikë se na duhet suksesi. Ja ku e ka faktin, meqë deshët fakt.


